OPINIONTË FUNDIT

Kur gënjeshtra e Vuçiqit shndërrohet me armë dhe naiviteti i shqiptarëve injorantë në tradhti

Kur Vuçiqi deklaron: “Kam spiunët e mi në rrethin më të ngushtë të Albin Kurtit”, ai nuk e bën këtë për ta ndriçuar ndonjë të vërtetë apo për ta sqaruar realitetin.

Përkundrazi, ai synon të mjegullojë dhe të kontaminojë çdo gjë përmes gënjeshtrës, mashtrimit dhe manipulimit.

Kaq arsye elementare duhet të ketë çdo njeri normal, apo jo?

Ky është thelbi i luftës speciale serbe: krijimi i një mjegulle dhe konfuzioni të tillë në opinionin publik, sa që askush të mos jetë më në gjendje të dallojë se kush kë e tradhton në Kosovë dhe kush kë e paguan për tradhti.

Sepse qëllimi i kësaj strategjie është që populli shqiptar të ndihet i pasigurt dhe themelet e shtetit ku jeton të tronditen.

Dhe kushdo që bie në këtë kurth kaq të lirë e të tejdukshëm, ose është një injorant i skajshëm, ose një individ keqdashës, i cili, për shkak të servilizmit dhe tifozllëkut të verbër partiak, ka një urrejtje aq të thellë ndaj kundërshtarit politik, saqë bëhet i gatshëm të shndërrohet në zgjatim të dorës së armikut të jashtëm historik, duke i minuar me vetëdije themelet e shtetit ku është lindur dhe rritur.

E them pa drojë dhe pa e zbukuruar me diplomaci të rreme:

Kur arrij në këtë përfundim, nuk është sepse dua të kem të drejtë, por sepse faktet nuk më lejojnë të gaboj.

Sepse unë qëndrimet e mia nuk i ndërtoj mbi emocione të çastit, por mbi kujtesën historike dhe logjikën e ftohtë.

Dhe historia, siç thoshte Hegeli, është “gjykatësi i fundit i botës”.

Nëse është kështu, atëherë kjo gjykatë tashmë ka folur — dhe kush nuk e dëgjon, nuk është skeptik, por i verbër me dëshirë.

T’i besosh Vuçiqit nuk është akt guximi politik — është akt kapitullimi intelektual.

Sepse nuk kemi të bëjmë me një individ të shkëputur nga e kaluara, por me vazhdimësinë e një mendësie krimogjene, e cila ka prodhuar krime të tmerrshme ndaj shqiptarëve të të gjitha moshave, gjinive dhe profesioneve — dhe më pas edhe diçka më të ulët: mohimin e tyre.

Siç thoshte Nietzsche: “Jo vetëm ata që kryejnë krime janë të rrezikshëm, por sidomos ata që i justifikojnë ato.”

Dhe pikërisht këtu nis problemi im me disa shqiptarë.

Sepse kur faktet janë të qarta, kur gjaku ende nuk është tharë në kujtesën kolektive, kur varret ende flasin — atëherë çdo besim naiv ndaj propagandës serbe nuk është më thjesht mungesë dijeje.

Është ose injorancë e thellë, ose një përzgjedhje e vetëdijshme për ta tradhtuar të vërtetën.

Siç thoshte George Orwell: “Në kohë mashtrimi universal, ta thuash të vërtetën është akt revolucionar.”

Unë nuk bëj revolucion — unë thjesht refuzoj ta gënjej veten.

Sepse Vuçiqi nuk e ka ndryshuar thelbin — ai vetëm e ka ndryshuar tonin: nga retorika e zhurmshme nacionaliste ka kaluar në buzëqeshje diplomatike.

Por, siç paralajmëronte Machiavelli: “Njerëzit gjykojnë më shumë me sy sesa me mendje.”

Dhe pikërisht këtë dobësi ai e shfrytëzon — duke i mashtruar shqiptarët naivë dhe injorantë me një maskë të re mbi fytyrën e tij të vjetër.

Prandaj, kur një shqiptar zgjedh ta besojë këtë maskë, unë e shoh atë vetëm në dy mënyra:

Ose nuk di — dhe kjo është tragjedia e mendjes.

Sepse, siç thoshte Sokrati: “Injoranca është rrënja e çdo të keqeje.”

Ose di, por hesht — dhe kjo është tragjedia e shpirtit.

Sepse, siç thoshte Dante Alighieri: “Vendet më të errëta në ferr janë të rezervuara për ata që qëndrojnë neutralë në kohë krize morale.”

Unë nuk mund të jem neutral.

E veçanërisht jo, kur e vërteta është kaq e zhveshur nga gënjeshtra.

Sepse tradhtia nuk fillon me dorëzimin e tokës — ajo fillon me dorëzimin e arsyes.

Tragjedia fillon kur e vërteta relativizohet, kur viktima barazohet me agresorin dhe kur kujtesa trajtohet si pengesë për rehati personale.

Dhe këtu qëndron bindja ime e palëkundur:

Unë nuk kërkoj që të më besohet mua.

Unë kërkoj që të mos tradhtohet e vërteta.

Sepse, siç thoshte Albert Camus: “E keqja në botë vjen pothuajse gjithmonë nga injoranca, dhe qëllimet e mira mund të bëjnë po aq dëm sa ato të këqijat, nëse nuk ndriçohen nga dija.”

Prandaj, po — unë qëndroj pas këtij përfundimi.

Jo sepse jam i pagabueshëm, por sepse refuzoj të bëhem bashkëfajtor në një gënjeshtër kaq të ndotur, që kërkon të shndërrohet në një të vërtetë kaq të pastër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *