Kryeziu: Presidenti nuk duhet të zgjidhet vetëm me marrëveshje politike
Juristi Kadri Kryeziu ka kritikuar mënyrën se si janë zgjedhur presidentët në Kosovë deri më tani, duke thënë se procesi ka qenë kryesisht politik dhe pa kritere të qarta.
Duke folur në emisionin Politiko, Kryeziu u shpreh se ka ardhur koha që posti i presidentit të rregullohet me kritere të përcaktuara ligjore dhe procedurale.
“Sipas meje, deri më tani presidentët janë zgjedhur pa ndonjë kriter të qartë – kriteri i vetëm ka qenë ai politik. Ndoshta ka ardhur koha që presidenti të zgjidhet mbi baza kriteresh. Këto kritere duhet të jenë procedurale: kandidati duhet të jetë së paku 35 vjeç, qytetar që ka jetuar të paktën 10 vjet në Kosovë dhe të sigurojë 30 nënshkrime për të hyrë në garë,” deklaroi ai.
Kryeziu tha se zgjedhja e Vjosa Osmanit nuk erdhi si rezultat i kritereve formale, por si produkt i një marrëveshjeje politike.
“Zonja Osmani nuk erdhi mbi bazën e kritereve, por mbi bazën e një marrëveshjeje politike. Në Kosovë ka shumë figura të mençura që nuk dalin në televizion dhe që nuk marrin vëmendje publike,” shtoi Kryeziu.
