OPINIONTË FUNDIT

Kryengritja e shkronjave shqipe: Studentët shqiptarë shembin muret e diskriminimit në maqedoni; gjuha shqipe e barabartë ose paqe nuk ka!

Është fakt se klima politike në Maqedoninë e Veriut është e rënduar nga kalkulime të gjeopolitikave sllave dhe nga interesat e sëmura partiake; por zëri i studentëve shqiptarë po vjen në momentumin më të përshtatshëm dhe të pandikuar nga prartitë politike shqiptare, të cilët për më shumë se 30 vjet po tallen me kombin shqiptar në Maqedoni.

Kjo protestë nuk është vetëm një kërkesë për një provim në gjuhën amtare shqipe; është një britmë për dinjitet, për barazi dhe për respektimin e të drejtave themelore kombëtare, kulturore dhe historike që nuk duhet të ishin kurrë pjesë e tregtisë politike.

Andaj sot, unë Gëzim Mekuli, dëshiroj të jem shumë i qartë dhe i palëkundur në qëndrimin tim: Unë e mbështes plotësisht dhe pa asnjë rezervë protestën dhe çdo përpjekje të studentëve shqiptarë për të mësuar, komunikuar dhe testuar njohuritë e tyre arsimore në gjuhën e shenjtë shqipe.

Të nderuar lexues,

Kjo nuk është një betejë politike. Kjo nuk është një betejë mes pozitës dhe opozitës. Kjo është një çështje e të drejtave të njeriut, e identitetit kombëtar dhe e trashëgimisë sonë gjuhësore dhe historike. Përpjekja e maqedonasve (bashkë me ca shqiptarë të shkretë) për të penguar ose zvarritur mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk është asgjë më pak se një mohim i kësaj të drejte kombëtare. Të kërkosh drejtësi për përdorimin e gjuhës shqipe nuk duhet të shihet kurrë si një akt politik; është një akt njerëzor e intelektual. Hej, jemi në shekullin XXI dhe shqiptarët akoma mirren me hallet e shekullit të XIX.

Studentë, rini shqiptare, ju jeni motori i ndryshimit dhe kjo protestë tregon se ju nuk do të lejoni që e ardhmja e juaj të luhet si një lojë shahu nga ata që janë në pushtet. Prandaj, u bëjë thirrje të gjitha forcave politike, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë dhe Shqipëri, që të lënë anash inatet primitive dhe dallimet dhe të ngrenë zërin në mbështetje të studentëve shqiptar. Këtu nuk bëhet fjalë për parti; këtu bëhet fjalë për komb dhe për gjuhën tonë të përbashkët shqipe.

Një thirrje e veçantë shkon edhe për mediat shqipe: mbuloni këtë ngjarje të madhe me vërtetësi, ndihmoni që zëri i këtyre studentëve të dëgjohet kudo. Është detyra jonë morale të mbështesim kauzat e drejta kombëtare dhe të tregojmë solidaritet; mos bëni hesape partiake, por dilni në mbështetje të gjuhës shqipe.

Studentët shqiptarë nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa drejtësi dhe respekt. Dhe ne shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Luginës ju themi: Ju nuk jeni vetëm. Ne jemi me ju. Qëndroni të fortë dhe mos lejoni që askush t’ju përdorë për qëllimet e tyre politike.

Konsekuent deri në fund: Kjo luftë nuk është vetëm e juaja, dhe ne jemi krenarë t’ju mbështesim. Maqedonia e Veriut nuk mund të egzistoj as një javë pa shqiptarët si komb me të drejta të barabarta dhe si element shtetformues i këtij shteti; pa shqiptarë të barabartë me të tjerët e pa gjuhësi nuk mund të ketë Maqedoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *