“Kosova pas 28 dhjetorit: Zeqiraj tregon pasojat e koalicioneve politike”
Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit janë cilësuar si ndër më të rëndësishmet në dy dekadat e fundit të Kosovës.
Sipas publicistit Idriz Zeqiraj, pengimi i rikthimit në pushtet të koalicionit PAN – përbërë nga PDK, AAK dhe NISMA – ishte i domosdoshëm.
“Refuzimi i LVV dhe aleatëve të saj, GUXO dhe Alternativa, për t’u koalicionuar me ndonjë parti të PAN-it, ishte një vendim i mençur dhe domethënës,” thotë Zeqiraj. Ai shton se arsyeja ishte bindëse: këto subjekte nuk janë reformuar, edhe pse kjo ka qenë kërkesë e shqiptarëve, por edhe e SHBA-së, BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar.
ImageIdriz Zeqiraj
Publicisti përdor një termin të fortë për gjendjen e PAN-it:
“Termi ‘reformim’ nga kryeministri Kurti është i zbutur. Në realitet, subjektet e PAN-it kanë kaq shumë ngarkesa kriminale sa vetëm një spastrim i madh – më saktë, ‘riformim’ – qoftë edhe me ndryshime emrash, do t’i bënte të pranueshme për anëtarësinë e pafajshme dhe të mashtruar,” shpjegon Zeqiraj.
Ai kujton dëshmitë e rënda të 300 dëshmitarëve në Gjykatën e Hagës, që rrëfejnë krime të komandantëve të koalicionit PAN gjatë luftës: arrestime, burgosje, maltretime dhe vrasje të kundërshtarëve politikë shqiptarë për të marrë pushtetin me dhunë.
“LVV, me aleatët, nuk arriti të krijojë qeveri e vetme. Zgjodhi LDK-në për bashkëqeverisje, pasi ajo ishte e pa inkriminuar,” thekson Zeqiraj, por nënvizon se “përkundër dëshirës së elektoratit dhe anëtarësisë së partisë, kryetar Lumir Abdixhiku dëgjoi kundërshtimin e disa anëtarëve të klanit të Isa Mustafës për t’u bashkuar me bojkotin e PDK-së.”
Zeqiraj kritikoi gjithashtu drejtimin e LDK-së:
“Kryetari Abdixhiku filloi disa reforma, por shpejt shpiku një ‘Rrugë të re’, duke devijuar atë të trasuar nga Rugova. Disa nga ne, ‘kalemxhinjtë’, reaguan, por zëri ynë u mbyt me heshtje!”
Sipas tij, selektimi i kuadrove të rinj dhe përjashtimi i rugovistëve të dëshmuar ka filluar pas amshimit të Presidentit Rugova dhe është vazhduar edhe nga kryetarët pasues. Ai thekson se sjellja pajtuese me subjektet e PAN-it dhe sulmet kundër kryeministrit Kurti ishin intrigë e PDK-së për të zënë vendin e koalicionit të mundshëm me LVV.
Në një deklaratë televizive pas zgjedhjeve, Abdixhiku u shpreh:
“Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë,” duke marrë përgjegjësinë personale për humbjen.
Por Zeqiraj nuk heq dorë nga kritika:
“Nuk ishte surprizë. Anëtarët e LDK-së, përfshirë edhe mua, kemi reaguar me dhjetëra letra dhe shkrime, duke pyetur: ‘Kah po shkon LDK-ja?’ Kundërshtimi kryesor ishte për aleancat e fshehta ose të hapura me PAN-in, të cilat kanë dëmëtuar partinë dhe vendin.”
Ai shton se disa kuadro të LDK-së, si Nait Hasani dhe Asdren Shala, kanë shpifur ndaj viktimave të tyre, si oficeren e Kosovës Sabahate Tolaj dhe Shaban Manaj.
“Ne kemi bërë thirrje që Lidershipi i LDK-së të mos bëhet pjesë e bllokadës, e cila më shumë sesa anti-LVV, ishte kundër Kosovës dhe e sponsorizuar nga Serbia. Kjo do t’i kthehej partisë me humbje zgjedhore, dhe kështu ndodhi,” përfundon Zeqiraj.
Ai vëren se koha ka treguar se bashkimi i klasës politike do të kishte shmangur vendosjen e Asociacionit dhe Sanksioneve, të cilat sipas tij, nuk janë ligjore dhe u përdorën si vegla politike nga ish-udhëheqës të PAN-it.
“Populli nuk e aprovoi bllokadën e opozitës të koalicionuar. Zhbllokimi i situatës u krye kryesisht nga LDK-ja, për çka ajo pësoi keqas,” përfundon Zeqiraj.
