“Kosova në bllokadë” – Bajraktari jep alarmin: Kriza politike po rrezikon edhe rrugën drejt NATO-s!
Në 27-vjetorin e dy momenteve kyçe për historinë e Kosovës – Konferencës së Rambujesë dhe fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë – veprimtari shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari ka reaguar me një mesazh të fortë për situatën aktuale politike në vend.
Ai ka paralajmëruar se kriza e thellë politike dhe bllokada institucionale po e dëmtojnë seriozisht të ardhmen e Kosovës, duke theksuar se paaftësia e të zgjedhurve për të kryer detyrat e tyre dhe mundësia e zgjedhjeve të shpeshta brenda një periudhe të shkurtër rrezikon edhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në NATO.
Bajraktari në shkrimin e tij në Facebook, u bëri thirrje politikanëve që të lënë mënjanë interesat personale dhe partiake dhe ta vendosin Kosovën dhe qytetarët në rend të parë, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Ky muaj shënon 27-vjetorin e dy momenteve vendimtare në historinë e Kosovës:
Konferencën e Rambujesë dhe bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.
Ato erdhën pas sakrificave të mëdha të popullit tonë dhe vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara për të ndalur mizoritë e regjimit të Millosheviqit.
Falë asaj sakrifice dhe pune shumëvjeçare, e gëzojmë Kosovën e lirë dhe të pavarur
Por, për fat të keq, sot vendi është zhytur në një krizë të thellë politike.
Të zgjedhurit e popullit nuk po i kryejnë detyrat e tyre. Është absurditet të shkohet tri herë në zgjedhje brenda në pak më shumë se një vit!
Bllokada po e dëmton të ardhmen e vendit dhe po e pengon anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Është momenti i fundit që politikanët tanë të shohin përtej interesave personale e partiake, dhe Kosovën dhe popullin ta vendosin në rend të parë!
