Kosova mes dy skenarëve kritikë: Marrëveshje për presidentin ose rrëshqitje drejt zgjedhjeve të reja!
Afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit paraqet një moment vendimtar për funksionimin institucional dhe stabilitetin politik në Kosovë. Ky afat është një test real për pjekurinë politike të partive dhe aftësinë e tyre për të arritur kompromis në një situatë të ndjeshme kushtetuese.
Me këtë rast, përpjekjet e partive politike për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për postin e presidentit janë vlerësuar shpesh si të pamjaftueshme dhe të ndikuara më shumë nga interesat partiake sesa nga nevoja për stabilitet institucional.
Deri më tani, skena politike është karakterizuar nga mungesa e një konsensusi të gjerë, me qëndrime të ngurta dhe kalkulime strategjike që shpesh e vështirësojnë afrimin e palëve. Takimet ndërpartiake dhe deklaratat publike kanë treguar më shumë përpjekje për pozicionim politik sesa vullnet të sinqertë për kompromis. Kjo situatë ka rritur pasigurinë dhe ka krijuar perceptimin se zgjedhja e presidentit mund të mos realizohet brenda afatit të përcaktuar.
Duke parë zhvillimet aktuale, duket se Kosova është në një udhëkryq politik: nga njëra anë është mundësia e arritjes së një marrëveshjeje të minutës së fundit për zgjedhjen e presidentit, ndërsa nga ana tjetër qëndron skenari i dështimit dhe rrjedhimisht shkuarja në zgjedhje të reja parlamentare. Duke gjykuar nga dinamika aktuale dhe mungesa e sinjaleve konkrete për kompromis, gjasat për zgjedhje të reja duken më të theksuara, megjithëse politika kosovare ka dëshmuar shpesh se marrëveshjet mund të arrihen edhe në momentet e fundit.
Halilaj: Alternativa e zgjedhjeve të reja do të sillte pasiguri shtesë dhe humbje kohe
E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli Gazmend Halilaj, i cili afatin e Kushtetueses e vlerëson si mjaft të rëndësishëm.
Në këtë kontekst, ai i vlerësoi përpjekjet e LVV-së për të gjetur një zgjidhjë për çështjen e presidentit të ri.
“Deri më 28 prill, afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit paraqet një moment kyç për stabilitetin institucional të Kosovës, dhe në këtë kontekst përpjekjet e partive politike duhet të vlerësohen mbi bazën e përgjegjësisë që ato tregojnë ndaj shtetit dhe qytetarëve. Lëvizja Vetëvendosje ka dëshmuar një qasje më të qëndrueshme dhe më serioze në raport me këtë proces, duke theksuar nevojën për zgjidhje brenda kornizës kushtetuese dhe për të shmangur krizat e panevojshme politike që e dëmtojnë vendin”, deklaroi ai.
ImageGazmend HalilajFoto galeri
Kurse, Halilaj u shpreh kritik me partitë opozitare, ku tha se, po bëjnë kalkulime afatshkurta.
“Ndërkohë, një pjesë e partive tjera duket se më shumë janë të fokusuara në kalkulime afatshkurtra politike sesa në interesin e përgjithshëm, gjë që e vështirëson arritjen e një konsensusi”.
Kurse, të gjendur mes zgjedhjes së presidentit të ri dhe zgjedhje të reja, ai beson se më shume gjasa ka për tensionim se për marrëveshje mes partive.
Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk janë alternativa e duhur, pasi do shkaktonte humbje kohe për Kosovën.
“Duke parë zhvillimet aktuale, Kosova ndodhet në një udhëkryq mes zgjedhjes së presidentit dhe shkuarjes në zgjedhje të reja, por duke marrë parasysh dinamiken politike dhe qëndrimet e deritanishme, ekziston një tendencë më e madhe drejt tensionimit të situatës sesa drejt kompromisit.
Megjithatë, alternativa e zgjedhjeve të reja do të sillte pasiguri shtesë dhe humbje kohe për institucionet, prandaj rruga më e arsyeshme mbetet arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, ashtu siç ka insistuar vazhdimisht Lëvizja Vetëvendosje, duke u pozicionuar si faktor stabiliteti dhe përgjegjësie në skenën politike të vendit”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
Gacaferi: Opozita do refuzojë çdo emër të mundshëm, sepse nuk ka interes që të zgjedhim president
Ndërsa, anëtari i Guxo, Luan Gacaferi mirëpriti përpjekjet e Kurtit për ta zgjidhur presidentin e ri.
“Unë i vlerësoj shumë përpjekjet e z.Kurti që të kemi një president/e dhe kështu vendi të mos detyrohet të shkojë në zgjedhje!”
Mirëpo, pavarësisht tentimeve të Kurtit, Gacaferi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” vlerësoi se opozita do refuzojë çdo kompromis, pasi synim i saj janë zgjedhjet e reja.
“Por, jam fort i bindur që opozita do refuzojë çdo emër të mundshëm, sepse nuk ka interes që të zgjedhim president, por vendin ta dërgojë në zgjedhje, sepse e ka zgjedhur si strategji me shpresën se e lodh popullin me zgjedhje e kështu mund ta dëmtojnë z.Kurti!”, shpjegoi ai.
ImageLuan GacaferiFoto galeri
Në fund, anëtari i Guxo, i dërgoi një paralajmërim të fortë opozitës.
“Jam i bindur se kjo strategji do iu kthehet në bumerang siç ju kthye më 28 dhjetor, bllokada 9 mujore”.
