Kosova dhe figurat konsensuale të Isa Mustafës!
Si figurë në vijim, konsensuale, për president të Kosovës do ta paraqitnim Ramush Haradinajn. Ai njihet si figurë e shquar e luftës. Kishte rolin e komandantit dhe njihej për trimëri luftarake, ku gjatë luftës kishte humbur edhe anëtar të çmuar të familjes.
Po ta kursente veten nga lakmia për pushtet, do të mbetej si legjendë dhe hero i gjallë, ku për luftën dhe heroizmat e UÇK, të tijat personale dhe heronjve të tjerë, do tu rrëfente nxënësve në takime të organizuara nëpër shkolla, universitete dhe institucione të ndryshme.
Populli qëndronte pas tij kur Gjykata e Hagës e burgosi dhe kërkonte gjykimin e tij. Lirimi i tij nga kjo gjykatë u festua nga populli dhe e priti se hero në Kosovë.
Po ç´ndodhi me këtë hero të gjallë? Nuk i pëlqeu të qëndronte si legjendë dhe iu rrek politikës. Krijoi parti dhe e filloi betejën për pushtet. Politika është një profesion i pamëshirshëm dhe e tillë ishte edhe me Ramush Haradinajn. Arriti të bëhej kryeministër dhe komprometimi i pafalshëm për te ishte Çakorri dhe Zhlebin, që ia firmosi Malit të Zi. Ky ishte një akt i pafalshëm ndaj Ramush Haradinaj. Rënjen dhe komprometimin në popull e vazhdoi me lakminë për t´u pasuruar, në zhvatjen e pasurisë shtetërore. Flitet se pas luftës, nën pronësi të tij, posedon qindra hektarë tokë të blera me çmime qesharake.
Rënjen e tij politike Ramush Haradinaj e vazhdoi me akuza të pabaza dhe irituese ndaj Albin Kurtit, duke e quajtur edhe bashkëpunëtor të Serbisë, derisa janë të njohura e të dokumentuara takimet e tij me kriminelin Radojqiq.
Po të evidentohen veprimet dhe dështimet e tij në politikë, Ramush Haradinaj del lakuriq si një palaço që do të të dhimbsej, pse nuk mbeti hero e legjendë e gjallë, po e solli veten në këtë gjendje. Se çfarë figure konsensuale mbetet tash Ramush Haradinaj, për postin e presidentit, të gjykoi vetë populli.
Një figurë tjetër konsensuale për postin e presidentit do ta radhitnim liderin e Anamoravës Lutfi Hazirin. Ky njihet për deklarata të bujshme dhe kontroverse në rrjedhat politike të Kosovës. Sot është me politikën dhe parimet e Rugovës, nesër me ato të Thaçit, e pasnesër pajtohet me Isa Mustafën. Ky ishte po ashtu ithtar i shkëmbimeve territoriale me Serbinë. Përkrahës i Asociacionit dhe kishte ndikim të drejtpërdrejtë në formimin e Bashkive të reja me nga 10 serbë.
Lutfi Haziri nuk ka qëndrim të vetin, as ide shtet formuese, po reagon në bazë të çastit dhe është një servil në politikë, gjë që është rrezik për sigurinë nacionale. Ai është po ashtu i njohur mbi deklaratat e tij mbi Veriun e Kosovës, që i shkonin përshtati Thaçit dhe Isa Mustafës. Edhe Lutfi Haziri së bashku me Isa Mustafën, janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për gjendjen e sotme kaotike të LDK.
