OPINIONTË FUNDIT

“Komplot” ndaj qeverisë Kurti? Njohësit flasin për matematikat zgjedhore: Si mund të dalë LVV dhe çfarë pritet nga ‘partia’ e Osmanit

Të enjten në orët e vona, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën ta zgjedhin presidentin e ri të Kosovës.

Të premten që në mëngjes, presidentja Vjosa Osmani ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Përmes një konference për media, Osmani ka thënë se dështimi i të enjtes mbrëma i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja.

Osmani tha se fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët që i kishjte në dispozicion, nuk e ndryshon Kushtutetën.

“Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët që i kishte në dispozicion, nuk e ndryshon Kushtutetën tonë. Asnjë kërkesë për masë të përkohshme në Gjykatën Kushtetuese nuk e pezullon automatikisht rrjedhjen e afatit kushtetues. Vetëm një vendim i Gjykatës do të mund ta bënte një gjë të tillë. Dhe një vendim i Gjykatës nuk ekziston deri në këto momente. Kemi një situatë ku afati kushtetues tashmë ka përfunduar”, u shpreh ajo.

Ndërsa, disa orë më vonë Osmani mbajti takim me krerët e partive opozitare për të diskutuar rreth zgjedhjeve të reja.

Pasdite ka ardhur edhe reagimi zyrtar i kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se nuk e pranon dekretin e presidentes Osmani, duke thënë se pret Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk mund të flasim për zgjedhje të reja pa folur Gjykata Kushtetuese”, u shpreh ai.

Kurse, analistët politikë konsiderojnë se ndaj kryeministrit Albin Kurti, ka doza komploti.

Sipas tyre, edhe në rast të zgjedhjeve në pranverë Lëvizja Vetëvendosje të jetë forcë dominuese, gjersa kritikojnë veprimin e Osmanit.

Kriza e marsit dhe matematikat zgjedhore

Profesor, doktor, Sadri Ramabaja, thotë se taktika e së enjtes përdoret shpesh në sisteme parlamentare për të bllokuar një vendim.

Sipas tij, nuk është komplot, por ka shenja të komplotit dhe Osmani ka vepruar me egozentrizëm të theksuar dhe hakmarrje politike.

““Më 5 mars Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë presidentin e ri për shkak se opozita bojkotoi seancën dhe nuk u arrit kuorumi i nevojshëm për votim. Partia në pushtet, Vetëvendosje, kishte propozuar kandidatë të saj Glauk Konjufcën. PDK, LDK dhe AAK kërkonin një kandidat konsensual dhe nuk morën pjesë në votim. Pa kuorum nuk mund të zhvillohej procesi i zgjedhjes së presidentit. Kjo është një taktikë parlamentare që përdoret shpesh në sisteme parlamentare për të bllokuar një vendim, por nuk përbën automatikisht komplot, megjithëse ka shenja të qarta të komplotit. Pas dështimit të procesit, më 6 mars, presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin dhe thirri zgjedhje të reja, duke argumentuar se një parlament që nuk arrin të zgjedhë presidentin nuk mund ta zvarrisë pafund procesin. Kjo është një kompetencë kushtetuese e presidentit, e parashikuar në rastet kur institucionet bllokohen. Ky veprim me kaq urgjencë i presidentes ka burimin jo te logjika shtetërore dhe obligimet kushtetuese, por te egozentrizmi i theksuar dhe hakmarrja politike”, deklaron Ramabaja.

Sipas tij, kriza e marsit lidhet kryesisht me zgjedhjen e presidentit, jo me një votë mosbesimi ndaj qeverisë.

“Vendi futet kështu në një krizë politike dhe kushtetuese. Pyetja logjike që shtrohet aktualisht është: a u rrëzua qeveria Kurti 3? Jo në mënyrë direkte. Qeveria e Kurti 3 ishte formuar vetëm më 11 shkurt 2026 pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Kriza e marsit lidhet kryesisht me zgjedhjen e presidentit, jo me një votë mosbesimi ndaj qeverisë. Megjithatë, nëse zgjedhjet e reja parlamentare mbahen, ato mund të ndikojnë në fatin e qeverisë, sepse do të prodhojnë një përbërje të re parlamentare. Parlamenti i dorëzon kështu ingerencat e veta tek Gjykata Kushtetuese. Konkluzioni: Republika nga një Republikë Parlamentare rrëshqet në një Republikë që mbahet peng nga opozita dhe fjala e saj Gjykata Kushtetuese”.

“Në këto rrethana krijimi i perceptimit se pati një komplot duket krejt i ligjshëm. Në debatet politike në Kosovë janë përmendur disa arsye që ushqejnë këtë perceptim: Bojkoti i opozitës për të bllokuar zgjedhjen e presidentit. Përplasja mes Kurtit dhe Osmanit, pasi Vetëvendosje nuk e mbështeti për një mandat të dytë si presidente. Interesat e opozitës për të shkuar në zgjedhje të reja. Por këto janë interpretime politike, jo prova për një komplot të koordinuar. Ngjarjet e 5 marsit 2026 janë rezultat i një ngërçi institucional që burimin e ka tek vet Kushtetuta, si gjeneruese e krizës politike”, pohon profesori.

Në rast të zgjedhjeve të reja, Ramabaja parashikon përsëri Lëvizjen Vetëvendosje si forcë dominonte të skenës politike dhe gjithsesi në krye të Qeverisë.

“Në rast se VV-ja do të arrijë të imponojë narrativën e saj mbi shkaktarët real të shkuarjes në zgjedhje, rezultati edhe mund të thellohet, të shkojë mbi 60% në dobi të saj. Por skenari më i mundshëm është ai që mban sërish Vetëvendosjen si forcën dominante të skenës politike dhe gjithsesi në krye të Qeverisë. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi 51.10% të votave dhe 57 ulëse në Kuvend. Kjo krijon disa avantazhe strukturore: elektorati i saj është shumë stabil dhe i mobilizuar; opozita është e fragmentuar”, shprehet Ramabaja.

Sipas tij, gjasat reale janë që legjislatura e 11-të të ketë vetëm tri parti në bllokun politik të korpusit elektorial shqiptar.

Zgjedhjet e pranverës mund të prodhojnë më shumë një “rinovim mandati”, sesa një ndryshim pushteti.

“Për këtë arsye, unë pres që Vetëvendosje të mbetet partia e parë sërish me diferencë të thellë nga partia e dytë pasuese, ndoshta me një rezultat pak më të ulët por thellësisht dominues. Ndërkaq tronditje të skenës politike pres të ketë brenda opozitës. Gjasat reale janë që Legjislatura e 11-të do të ketë vetëm tri parti politike në bllokun politik të korpusit elektroral shqiptar.

Prandaj zgjedhjet e pranverës mund të prodhojnë më shumë një “rinovim mandati” sesa një ndryshim pushteti”, thekson profesori.

Duke komentuar raportimet se Osmani do të formojë partinë e saj dhe mund të futet në koalicion të përbashkët me AAK-në apo LDK-në, Ramabaja thotë se koalicioni i tillë mund të spostojë PDK-në në vendin e tretë.

“Nëse krijohet një koalicion i përbashkët elektoral, siç bëjnë të ditur një lagje analistët të afërt me LDK dhe AAK-në, atëherë matematika mund të ndryshojë më shumë. Koalicioni Osmani–LDK-AAK mund ta spostojë PDK në vendin e tretë. Pavarësisht kësaj, opozita nuk ia del dot ta kthejë as rezultatin e 9 shkurtit 2025. Sidoqoftë, ky konfigurim mund të krijojë një balancë të re negociuese pas zgjedhjeve”, përfundon Rambaja.

Dekreti emocional, kritika ndaj politikanëve dhe dënimi nga qytetari

Ndërsa, analisti Gani Qarri, thotë se me dekretin emocional të Osmanit mu në ditë kur duhej të miratohej marrëveshja ndërkombëtare për përfitimin e mëse 120 milionë eurove, dëshmon se politikanët e Kosovës nuk e kanë prioritet shtetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Me moskandidimin e Vjosa Osmanit për presidente, fillimisht menduam se sukseset e saj në diplomaci dhe politikën e jashtme, ndikuan që të mos mbështet kandidatura e saj nga LVV, por dekreti emocional, për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në mënyrë kundër-kushtetuese, mu në ditën kur duhej të miratohej marrëveshja ndërkombëtare për përfitimin e mese 120 milion eurove për shtetin tonë dhe kohën kur duhet votuar në Kuvend pjesëmarrja e FSK-së në Bordin e Paqes në Gaza, dëshmoi se askush nga politikanët e Kosovës, nuk e kanë prioritet shtetin dhe mirëqenien e qytetarëve, por në radhë të parë vendosin interesat e veta personale e grupore, qoftë edhe në kurriz të fatit të vendit dhe popullit të Kosovës”.

“ Gjithsesi në këto momente dramatike dhe gjendjen aktuale gjeopolitike të konfrontimeve në rritje midis fuqive vendimmarrëse botërore, Kurti dhe LVV bënë gabim të pafalshëm që nuk e propozuan serish Vjosa Osmanin për presidente edhe në mandatin vijues, e cila do ti përdorte me sukses njohjet e forta që ka krijuar me personalitete të larta nga BE dhe SHBA, veçanërisht miqësinë e afërt me presidentin Trump, përvojën politike e kapacitetet e saj të njohura diplomatike, në shfrytëzimin me mençuri të mundësive gjeopolitike për njohje të reja, përshpejtimin e pranimit të Republikës së Kosovës në NATO, e BE dhe anëtarësimin e mundshëm të vendit tonë si shtet i pavarur me të drejta të plota në OKB dhe organizatat e tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Në situatën e tanishme globale, dhe momentet vendimtare gjeopolitike kur bota po ndryshon me shpejtësi për shkak të luftërave dhe konflikteve të papritura gjithandej globit, Kosova ka shumë nevojë për një përfaqësues me përvojë në politikën e jashtme dhe lidership të dëshmuar pro-amerikan, që di ti shfrytëzojë mundësitë aktuale gjeostrategjike për avancimin e interesave të shtetit tonë të ri, si suksesi historik që shënoj dr. Vjosa Osmani në Forumin Ekonomik të Davosit në Zvicër, kur falë afërsisë së saj personale me presidentin Donald Trump presidentja Vjosa Osmani e anëtarësoj edhe Kosovën si vend pjesëmarrës në Bordin e Paqes, megjithëse Kosova ende nuk është shtet i pranuar në OKB. Ndryshe rivalitetet dhe ndërskmbëcat e vazhdueshme partiake, pengesat e pareshtura politike dhe rivaliteti i hapur personal ndërmjet politikanëve kryesor, po e dëmtojnë rëndë edhe imazhin e vendit, strategjinë politike dhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë të vogël, përkundër qëndrimeve të forta pro-perëndimore dhe orientimit të dëshmuar pro-evropian të popullit të Kosovës”, deklaron Qarri.

ImageGani QarriFoto galeri
Ai shpreh habi për vendimin emocional siç e quan Qarri, duke thënë se dekreti bllokon sërish veprimin ligjor të Qeverisë dhe institucioneve të shtetit.

“Nuk e di kur do ta kuptojnë këta politikan mjerana, se populli i Kosovës, është lodhur më, nga makinacionet e partive politike dhe çuarjen e vendit nga zgjedhjet në zgjedhje, për interesa personale, sovrani në votimet e 28 dhjetorit vendosi me shumicën dërmuese për nxjerrjen e shtetit nga ngërçi i gjatë e bllokadat mese 1 vjeçare kundërinstitucionale, për krijimin e institucioneve të shtetit dhe stabilitetin politik të vendit, ndaj dhe pret punë aktive të institucioneve dhe qetësi për vete. Në gjendjen aktuale Kryetarja e Kuvendit zonja Albulena Haxhiu iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, me kërkesën për interpretimin kushtetues të mospranisë së deputetëve të opozitës në seancën e Kuvendit, dhe caktimin e masës së përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues të zgjedhjes së presidentit deri me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese për rastin aktual. Kështu që edhe presidentja duhet ta dijë, se institucion valid i cili tani duhet të dalë në mënyrë të prerë dhe me një vendim preciz, për nxjerrjen e vendit nga gjendja e krijuar, është Gjykata Kushtetuese, ndaj habit vendimi emocional i Presidentes e cila edhe vet është e thirrur të sigurojë mbarëvajtjen e shtetit dhe funksionimin normal të institucioneve të vendit, duke dalë me një dekret kaq të habitshëm kundërkushtetues për ta nxjerrë nga funksioni Kuvendin organin më të lartë legjislativ dhe bllokuar serish veprimin ligjor të Qeverisë dhe institucioneve të shtetit”, pohon analisti.

Aki i paprecedent, sipas Qarrit, flet publikisht se vërtetë u provua të bëhej një komplot konspirativ dhe kundër-kushtetues nga opozita dhe Vjosa Osmani me qëllimin për ta rrëzuar kryeministrin Kurti nga qeverisja e vendit duke shkelur mbi vullnetin e qytetarëve dhe përmbysur rezultatin e votave të tyre të lira, në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Realisht afati i paraparë ligjor, për zgjedhjen e Presidentit, është 30 ditë para skadimit të mandatit të Presidentit aktual, por përkundër obligimit kushtetues, derisa partitë opozitare serish vazhdojnë me inskenimet politike, për mos-respektimin e procedurave ligjore të votimit, zgjedhja e presidentit nuk mund të imponohet me forcë, e rrjedhimisht nuk ka si të ketë as sanksione kushtetuese për shpërndarjen apriori të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të lira me dekret presidencial, siç tentoi të vepronte presidentja. Edhe vet Kushtetuta, pikërisht neni 86 paragrafi 3, e thotë qartë se vetëm nëse pas tri raundeve të votimit në Kuvend, nuk arrihet numri i mjaftueshëm i votave për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi duhet të shpërndahet dhe të shkohet në zgjedhje të reja të parakohshme. Andaj nuk mund të pritet nga askush, e as nga vet presidentja që për hir të saj edhe Gjykata Kushtetuese, ta shkel Kushtetutën dhe ti jap të drejt presidentes, për vendimin e ngutshëm dhe dekretin emocional të saj, derisa partitë që posedojnë shumicën në Kuvend, nuk morën pjesë as në takimin formal, që ajo thirri kokë më vete, për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare. Akt i saj i paprecedent flet publikisht se vërtetë u provua të bëhej një komplot konspirativ dhe kundër-kushtetues nga opozita dhe Vjosa Osmani me qëllimin për ta rrëzuar kryeministrin Kurti nga qeverisja e vendit duke shkelur mbi vullnetin e qytetarëve dhe përmbysur rezultatin e votave të tyre të lira, në zgjedhjet e 28 dhjetorit, përmes një obstruksioni të tillë të paprecedent politik”.

“Për aq kohë sa është konfirmuar edhe zyrtarisht se ankimimi i Kryetares së Kuvendit tanimë ishte pranuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, presidentja e vendit, duke qenë se edhe vet është juriste, fillimisht do duhej ta priste përgjigjen institucionale nga kjo gjykatë, të vepronte më-me maturi dhe të sillej në mënyrë plotësisht profesionale edhe në kontest me funksionin që ushtron si presidente e vendit. Kjo edhe për faktin se si presidente, ajo ligjërisht është garantuese e funksionimit të ligjit dhe institucioneve të shtetit, nuk është e thirrur që ta bllokojë Kuvendin e paralizojë miratimin e ligjeve dhe të pamundësoj votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, me dekret presidencial, siç ndodhi pikërisht ditën që presidentja e shpalli vendimin personal, për shpërndarjen e Kuvendit me vetëm një pjesë të partive opozitare politike. Prandaj ashtu siç e thotë neni 86,paragrasfi 3, i Kushtetutës, në të cilin çuditërisht presidentja e bazon dekretin e saj kundërkushteues për zhbërjen e Kuvendit, pas mos-pjesëmarrjes së deputetëve të opozitës në seancën e Kuvendit, ku procesi për zgjidhjen e presidentit u ndërpre, për shkakun se nuk pati kuorum, nga 5 marsi, si data e mbajtjes së mbledhjes së parë të Kuvendit për nisjen e procesit të zgjedhjes së presidentit, Kuvendi ka 60 ditë afat për krijimin e kuorumit dhe zgjidhjen e presidentit, dhe vetëm nëse as brenda afatit prej 60 ditësh, nuk arrihet zgjedhja e presidentit, mund të dekretohej shpërbërja e Kuvendit dhe shkuarja në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme brenda afatit prej 45 ditëve”, shton analisti.

Ai gjendjen e quan të komplikuar, gjersa më të koklavitur e sheh nismën dhe dekretin e presidentes.

“Kështu që derisa gjendja është komplikuar deri në ato përmasa, sa që nga 5 marsi i këtij viti, çdo veprim i mëtejmë lidhur me zgjedhjen e Presidentit, varet jo më nga Kuvendi, partitë politike, as presidentja e shtetit, por nga vendimi që do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese, është dëm shumë i madh për vendin dhe imazhin e Republikës së Kosovës, si dhe mbingarkesë e padurueshme jo vetëm fizike por edhe psikike për qytetarët, që vetëm pas dy-tre muajsh të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, dhe formimit të Qeverisë e institucioneve tjera shtetërore të sapo dala nga legjislatura e dhjetë, serish të imponohet shkuarja në zgjedhje të reja, të parakohshme, vetëm shkaku i inateve politike dhe tekeve personale të presidentes apo kujtdo qoftë tjetër nga faktorët politik në vend. Aq më e koklavitur bëhet nisma emocionale dhe dekreti i paprecedent i presidentes për shpërbërjen e Kuvendit vetëm pak kohë pas formimit të tij dhe gati një viti pritjeje e përpjekjesh të pareshtura për krijimin e institucioneve të shtetit, kur dihet mirëfilli se brenda dy-tre muajsh nuk mund të ndryshojë shumë, as rezultati në zgjedhje, siç nuk mund të ndërrojë edhe disponimi i qytetarëve për të votuar ndryshe, vetëm pse zonja presidente, paska vendosur të krijojë një subjekt të vetin politik dhe të futet në koalicion me AAK dhe LDK-në, sa që matematikat e votimit politik, ti kënaqin partitë e përmendura opozitare dhe subjektin e ri të zonjës Osmani edhe nëse-nesër mbahen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, për të cilat realisht nuk ka nevojë askush, sepse janë vetëm humbje kohe, dënim i ri për qytetarët dhe detyrim i përdhunshëm, që ata të neveriten edhe më tepër nga zgjedhjet e shpeshta dhe të bie edhe më poshtë pjesëmarrja e tyre në votime”, përfundon Qarri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *