OPINIONTË FUNDIT

Kërkohet një “SPAK” për Kosovën? Lufta kundër korrupsionit në vitin 2025, mes shpresës dhe skepticizmit

Në fund të vitit 2025, lufta kundër korrupsionit në Republikën e Kosovës paraqitet si një sfidë e qëndrueshme dhe mjaft komplekse — me disa tregues pozitivë, por edhe me pengesa të dukshme në funksionimin e mekanizmave të drejtësisë dhe institucioneve kundër korrupsionit.

Një nga indikatorët ndërkombëtarë më të përdorur për të matur perceptimin e korrupsionit, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, shënoi për Kosovën një përmirësim të dukshëm në vitin 2025, duke u ngjitur 10 vende më lartë se viti paraardhës dhe duke arritur një nga rezultatet më të mira historike të vendit në këtë indeks. Ky rezultat interpretohet si një tregues që përpjekjet për transparencë dhe luftë kundër korrupsionit janë perceptuar më pozitivisht, megjithëse sfidat mbeten të pranishme.

Sidoqoftë, raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2025 e vlerëson luftën kundër korrupsionit si me progres të kufizuar në terma të zbatimit dhe rezultateve konkrete. Përmbajtja e këtij raporti vë theksin te nevoja për një strategji kombëtare anti-korrupsion të miratuar dhe funksional, si dhe përdorimi më efektiv i instrumenteve ekzistuese ligjore — përfshirë deklarimet e aseteve, planet e integritetit të institucioneve dhe zbatimin e ligjit të konfiskimit të pasurisë.

Një tjetër dimension pozitiv është rritja e aktivitetit për parandalimin e korrupsionit, ku drejtuesit e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit raportojnë se mbi 130 raste të mosdeklarimit ose deklarimeve të pasakta të aseteve janë referuar te prokuroria gjatë vitit 2025, një tregues i rritjes së monitorimit të shkeljeve administrative dhe potencialisht penalizuese.

Kurse, për atë se, a ka pasur përparim real në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2025 dhe se sa janë përmirësuar mekanizmat institucionalë për hetimin dhe parandalimin e korrupsionit, folën njohësit e drejtësisë.

Halilaj: Janë përmirësuar mekanizmat institucionalë për hetimin dhe parandalimin e korrupsionit

ImageGazmend HalilajFoto galeri
Së pari, për këtë temë, për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj.

Fillimisht, ai tha se nga aspekti i tij prej avokati, ka pasur përparim real dhe të matshëm.

“Kur flasim për luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2025, duhet të bëjmë dallimin mes perceptimit politik dhe fakteve institucionale. Nga këndvështrimi im profesional si avokat, mund të them se ka pasur përparim real dhe të matshëm, veçanërisht në aspektin e funksionimit të mekanizmave ligjorë dhe institucionalë”.

Për këtë, ai shtjelloi tri aspekte në të cilat ka pasur përparim real në sistemi e drejtësisë.

Në këtë pikë, përmendi, forcimin e pavarësisë së organeve drejtësisë, përmirësimin në hetimin e korrupsioneve dhe rritjen e transparencës, e që për secilën prej tyre dha argumentet e tij.

“Së pari, në vitin 2025 kemi parë forcim të pavarësisë së organeve të drejtësisë. Prokuroria Speciale dhe institucionet e tjera hetimore kanë vepruar pa ndërhyrje politike, gjë që më herët ka qenë një problem serioz. Rritja e numrit të rasteve të hapura dhe proceduara, përfshirë raste që prekin zyrtarë të nivelit të lartë, tregon se askush nuk është mbi ligjin, dhe kjo është thelbësore në një shtet të së drejtës.

Së dyti, janë përmirësuar mekanizmat institucionalë për hetimin dhe parandalimin e korrupsionit. Bashkëpunimi ndërinstitucional, qasja më e mirë në të dhëna financiare dhe transparenca në procedurat administrative kanë krijuar kushte më të favorshme për zbulimin e veprave korruptive. Këto nuk janë deklarata politike, por ndryshime që ne juristët i vërejmë drejtpërdrejt në praktikë.

Së treti, vërehet rritje e transparencës dhe efikasitetit në trajtimin e rasteve të korrupsionit. Vendimet gjyqësore po arsyetohen më mirë, procedurat janë më të hapura për publikun dhe ka më pak tolerancë për zvarritje të lëndëve. Kjo rrit besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe dërgon mesazhin e qartë se korrupsioni nuk është më i mbrojtur institucionalisht”, theksoi ai.

Ndër të tjera, avokati tha se sa procesi i luftimit të korrupsionit do punë të madhe dhe se për një mandat vështirë të zgjidhet si problem, por që ka pas vullnet dhe punë që e kanë ndryshuar këtë aspekt krahasuar me të kaluarën.

“Natyrisht, lufta kundër korrupsionit është proces afatgjatë dhe asnjë qeveri nuk mund ta zgjidhë për një mandat. Por ajo që e dallon qasjen aktuale është vullneti politik për të mos ndërhyrë, për të mos amnistuar dhe për të mos relativizuar korrupsionin. Dhe ky është ndryshim thelbësor krahasuar me të kaluarën.

Për këto arsye, si profesionist i së drejtës, e vlerësoj pozitivisht drejtimin që ka marrë shteti në këtë fushë dhe besoj se vazhdimësia e këtij kursi është në interes të sundimit të ligjit dhe të qytetarëve të Kosovës”, përfundoi Gazmend Haililaj për “Bota sot”.

Burjani: Duhet të formohet SPAK, siç është në Shqipëri

Ndërsa, ndryshe prej Halilajt, mendon jurisiti Blerim Burjani, sa i përket luftimit të korrupsionit.

Sipas tij, nuk ka pasur përparim në këtë fushë gjatë vitit 2025 dhe se është bërë shumë pak për këtë çështje.

“Rezultati 0, gati për vitin 2025.Nuk ka pasur luftë kundër korrupsionit; shumë pak është bërë, përderisa të korruptuarit janë pjesë e politikës apo pjesë e biznesit privat.

Nuk ka kurrfarë rezultati në këtë drejtim, pra, nuk ka çka të thuhet për asnjë vit”.

Krahas kësaj, ai përmendi që ndër vite ka pasur plotë raste të dyshimta në gjykata, ku janë përfshirë persona të lartë politikë e udhëheqës, e që fatkeqësisht nuk kanë marrë dënimet e merituara.

Sipas tij, pa u formuar “SPAK-u” në Kosovë, vështirë se do flitet për luftim të korrupsionit.

“Plot ministra të dyshimtë, zëvendësministra, kryetarë komunash, plot raste që janë shpërlarë nëpër gjykata: rasti “Stenda”, rasti “Hades”, rasti “Toka”, rasti i rezervave shtetërore.

Raste të shumta ndër vite, as që duhet të flitet se ka pasur luftë kundër korrupsionit.

Pa u formuar diçka si SPAK-u në Shqipëri, as që duhet shpenzuar kohë për të folur për luftën kundër korrupsionit”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *