OPINIONTË FUNDIT

Kërkesa e PDK-së ndaj LVV-së për ‘letër zyrtare’ vlerësohet si taktikë për zvarritje të procesit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, janë zotuar të vazhdojnë diskutimet për çështjen e presidentit, me synim shmangien e zgjedhjeve të reja, pas që patën të hënë.

Kurti ka paralajmëruar edhe takime me Bedri Hamza, kryetar i Partia Demokratike e Kosovës, për të siguruar mbështetje nga opozita.

Hamza i është përgjigjur ftesës duke kërkuar që iniciativa të formalizohet me letër zyrtare, në mënyrë që çështja të trajtohet brenda strukturave të partisë dhe më pas të jepet qëndrimi përfundimtar i PDK-së.

“Kryetari Hamza i ka kthyer përgjigje z. Kurti lidhur me ftesën për takim. Atij i është kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të PDK-së.

Rexhepi: Qasja e PDK-së në këtë situatë është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe thellësisht hipokrite

E për këtë temë, për “Bota sot” foli Analisti Agim Rexhepi, i cili kritikon ashpër PDK-në, duke thënë se qasja e saj është e papërgjegjshme dhe hipokrite.

Sipas tij, është e gabuar të kërkohet besim i plotë për zgjedhjen e presidentit pa dhënë transparencë, emra konkretë apo platformë të qartë, sepse kjo e nënvlerëson qytetarin.

Ai gjithashtu thotë se kërkesa për “letër zyrtare” pas deklaratës së Albin Kurtit është vetëm një manovër burokratike për të shmangur përgjegjësinë dhe për të fituar kohë, duke treguar mungesë serioziteti dhe vullneti për dialog real politik.

ImageAgim RexhepiFoto galeri
“Qasja e PDK-së në këtë situatë është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe thellësisht hipokrite. Të kërkosh “besim absolut dhe të verbër” për një çështje kaq të rëndësishme si zgjedhja e presidentit, pa ofruar transparencë, emra konkretë apo platformë të qartë, është një fyerje për inteligjencën politike dhe për vetë qytetarët e Kosovës.

Sjellja e tyre pas deklaratës së Albin Kurti, ku kërkojnë formalizim të ftesës me letër zyrtare, është një manovër e ulët burokratike për të shmangur përgjegjësinë dhe për të blerë kohë. Në vend që të tregojnë gatishmëri për dialog real dhe zgjidhje konkrete, ata zgjedhin të fshihen pas procedurave, duke dëshmuar mungesë serioziteti dhe vullneti politik”, foli Rexhepi.

Analisti tutje thotë se, sjellja e PDK-së shihet si mungesë interesi për të kontribuar në një proces të rëndësishëm shtetëror, duke shtuar se në vend të bashkëpunimit, ajo po krijon bllokadë dhe tension, duke e përdorur zgjedhjen e presidentit për kalkulime partiake.

“Kjo sjellje e Partia Demokratike e Kosovës nuk është asgjë tjetër veçse një sinjal i qartë i mosinteresimit për të kontribuar në një proces të rëndësishëm shtetëror. Në vend të bashkëpunimit, ata po kultivojnë bllokadë dhe tension, duke e përdorur procesin e zgjedhjes së presidentit si mjet për kalkulime të ngushta partiake.

Kërkesa për formalitete shtesë në këtë fazë nuk është seriozitet institucional – është alibi për të mos vepruar. Një parti që ka vullnet real për zgjidhje nuk pret letra, por ulet në tavolinë dhe merr përgjegjësi.

Në këtë kontekst, është legjitime të shtrohet pyetja: a po kërkon PDK zgjidhje, apo po investon në krizë? Sepse çdo veprim i tyre i deritanishëm flet më shumë për të dytën sesa për të parën” – përmbyll Agim Rexhepi për “Bota sot”.

Mehmeti: Me dy sytë në ballë, “hajde luajmë qorras”

Kurse, edhe analisti Gani Mehmeti, kritikoi kërkesën e Bedri Hamzës drejtuar Kurtit, duke thënë se është e paqartë dhe jo serioze, pasi nuk specifikon emrin e kandidatit të PDK-së për president.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” vlerësoi se, një kërkesë e tillë nuk do të pranohej nga asnjë parti serioze dhe procesi duhet të bazohet në sinqeritet e transparencë, jo në “lojëra politike”.

“Kështu tingëllon kërkesa e Bedri Hamzës drejtuar Kurtit për kryetarin e Kosovës, që më parë të lidhin marrëveshjen pa treguar as emër e as mbiemër, se për cilin individ apo njeri të PDK është fjala!

Jam fortë i bindur se, një kërkese të tillë, nuk do i përgjigjej pozitivisht as edhe një anëtar i PDK e lëre më i një partie tjetër që ka mbi 51% të votave në zgjedhjet e 28 Dhjetorit 2025.

Mjafton, “zgjuarësia” e të “madhit” Bedri Hamza, edhe vetëm në kërkesën e tij, sa mendja nuk do i shkonte askujt tjetër, për një kërkesë të tillë “xhentëlmene” përveç të njerëzve “të fjalës e të besës” siç është Hamza në këtë rast.

Kjo, kërkesë, nëse nuk është edhe kusht, është vetëm një lojë dhe asgjë më shumë. Kjo, si e tillë, nuk, vie në radhë as për bisedime, madje.

Në bisedime për marrëveshje të tilla, do duhej të shkohej me sinqeritetin më të madh e jo me tradhti e mashtrime. Duke e ditur emrin dhe mbiemrin dhe do të ishte pikëpyetje se do të lidhej marrëveshja apo jo, do të pranohej apo jo, në veçanti kur është fjala për ndonjërin nga Partia Demokratike e Kosovës”, shprehet ai.

Gjithashtu, Mehmeti kritikon ashpër mënyrën si po sillen partitë e mëdha në Kosovë, duke thënë se po përdorin lojëra politike dhe madje edhe mashtrime.

Ai e sheh si të gabuar që të bëhen marrëveshje pa u ditur fare emrat e kandidatëve dhe thotë se kjo e ul besimin politik (“besë s’ka më”).

ImageGani MehmetiFoto galeri
“Unë nuk di se dy partitë më të mëdha të Kosovës janë aq armiqësore, sa duhet të shkohet deri në mashtrim, aq më pak kur është fjala për Kosovën. PDK ka qenë krenare si «parti e dalë nga lufta» siç thoshin, e të bie kaq poshtë tani pas luftës, kjo nuk e ngre lart partinë, përkundrazi, vetëm sa e ulë. Diçka, çka nuk ia merr mendja njeriut, nuk është mirë as të publikohet e as të kërkohet apo kushtëzohet. Kjo më ngjan si në kushtin e Duda Baljes që kishte në legjislaturën e nëntë, kur kërkoi formimin e një komune boshnjake në këmbim të votës së saj, ndoshta edhe më e rëndë është kjo e Hamzës, sepse kjo nuk po cakton fare për kë është fjala.

Besë më s’ka! Ikuuu!

Prandaj edhe lojëra qorras jo. Nuk është as nevoja, vetëm sa e tregon secili veten se deri ku mund të shkojë.

Sa i përket ftesës me një letër zyrtare, kjo më duket se është në rregull. Kjo nuk duhet të shihet fare me një sy të keq, absolutisht. Madje, gjithçka, është mirë të bëhet përmes letrave apo shkresave, sepse vetëm ato e mbajnë të vërtetën. Këtu pajtohem plotësisht dhe se kjo kërkesë është me vend. Thashë më lart se besë s’ka më. E letra nuk lë askënd të gënjejë më pastaj, qoftë për mirë, qoftë për keq. A, më lë mua emrat, pa u njohur me ta se cilët janë për kryetar, jo. Le të shkojmë edhe 100 herë në zgjedhje. Por, këso fare edhe 101 herë po të shkohet, zor të vijë deri tek një kryetar i Kosovës për ta zgjedhur.

Edhe ashtu, ajo loja qorras, është se a po e gjen për kë është fjala, jo vetëm ta pranosh, kushdo që të jetë ai. E këtu, sipas kërkesës së Bedri Hamzës, po na del se duhet të lidhet marrëveshja me PDK për kandidatët e PDK, pa i ditur fare emrat, kur, edhe duke i diturm është paksa problematike a do të pranohen apo jo ata dy kandidatë. E pa i ditur fare, kurrë!”, shpjegon ai.

Në përfundim, ai thotë shkurt se partitë duhet të ulen në takim, të jenë të sinqerta dhe të gjejnë një kandidat për president të Kosovës, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Ai argumenton se zgjedhjet e reja vetëm do ta lodhin popullin dhe do ta rëndojnë buxhetin e shtetit, pa sjellë ndonjë ndryshim të madh politik, sepse rezultati sipas tij do të ishte pothuaj i njëjtë si në zgjedhjet e fundit.

“Unë do të thosha se duhet të shkohet në takim dhe të jenë të sinqertë e të gjejnë kandidatin për kryetar të Kosovës, të mos shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme të mos e lodhin popullin dhe të mos e varfërojnë buxhetin e shtetit me zgjedhje.

Po e përsëris se, edhe zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme po të mbahen, rezultati përafërsisht është i njëjtë me zgjedhjet e fundit” – përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *