“Kali i Trojës” në bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë-Kroaci!
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka shndërruar në kauzë të tijën ta denoncojë marrëveshjen ushtarake midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Ai po ngre tonet e tij dita ditës me qëllim që të legjitimojë “të drejtën serbe” për t’u armatosur dhe për të rikthyer kohët “e lavdishme” të Milosheviçit. Nuk ka thuajse asnjë ditë që Vuçiq të mos flasë për këtë temë. Ndërsa kur homologu i tij kroat sqaron se asgjë kundër Serbisë nuk ka në këtë marrëveshje, e cila nuk është njëkohësisht aelancë, Vuçiq thotë se “Emri im është Aleksandar Vuçiç dhe jam presidenti krenar i Serbisë. As presidenti kroat dhe as kushdo tjetër nuk do të më diktojnë se çfarë do të them”.
Kjo retorikë është paralajmërim lufte. Edhe blerjet nga ana e tij e armatimit deri të raketat me rreze të mesme veprimi janë përgatitje për luftë. Që Serbia të ketë raketa me rreze të mesme është absolutisht një rrezik për rajonin dhe Europën, aq sa e rrezikshme do të ishte prodhimi i bombës atomike nga Irani. Serbia është vend armiqësor po aq edhe sa Irani. Thjesht Beogradit i mungon forca dhe potenciali iranian. Presidenti kroat, Milanoviç, e konsideron këtë lloj arme të rrezikshme. “Asnjë vend europian nuk e ka, ndërsa tani e ka Serbia”, thotë ai.
Por ndërsa presidenti dhe kryeministri kroat flasin për këtë temë, ndërsa në Kosovë ministri i Mbrojtjes e kryeministri flasin gjithashtu për kërcënimin e vazhdueshëm të Serbisë në rajon e sidomos kundër Kosovës, ka një njeri që hesht dhe nuk flet. Ky është Edi Rama, kryeministri fuqiplotë i Shqipërisë. A mund t’ia mbyllë gojën kreu i ekzekutivit shqiptar presidentit të Serbisë? Me siguri që jo. Por një përgjigje ndaj deklarimeve të tij së paku në ato tone të homologut të tij kroat, do të duhej bërë. Sa më shumë zëra kundër synimeve serbe për agresion dhe destabilizim në rajon, aq më shumë izolohet Serbia. Ndërkaq Rama nuk ka asnjë interes personal për izolimin e saj. Përkundrazi, ai ka frikë nga Vuçiq. Dhe frika që ndjen Rama në këtë rast duket qartë edhe në mimikën e kryeministrit shqiptar.
Në fakt ai i deklaroi për medien turke se “Nëse sulmohet Kosova, sulmohet edhe Shqipëria”! Por është e sigurt se me këtë fjali donte të vriste dy zogj: – E para të sfumonte marrëveshjen me Vuçiq për të pranuar integrimin jo të plotë në Bashkimin Europian, me qëllim që Serbisë t’ia lehtësonte mbylljen e kapitujve pa kushtin e njohjes së Kosovës. E dyta, që t’i çonte një mesazh presidentit turk se “Rama nuk mban anën e Serbisë në raport me Kosovën”! Intriga e Ramës në këtë rast shkon akoma më tej. Beson se çon në BE e SHBA mesazhin sipas të cilit Rama dhe Vuçiq na qenkan garantët e paqes ose të “rrëmujës ballkanike”, siç atij i pëlqen atij të thotë për luftërat që shkakton Serbia.
Heshtja e kryeministrit të Shqipërisë për notat nervozuese të deklarimeve të mikut të tij në Beograd dëshmon shumëçka. Mesa duket marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është imponuar nga një faktor përtej Edi Ramës. Ndaj dhe me këtë çeshtje u mor vetëm ish-ministri i Mbrojtjes Vengu, por jo edhe kryeministri. Kryeministri gjen kohë të merret me çdo gjë, edhe me pulat e Roskovecit të Zegjinesë, por jo me ato që thotë e deklaron çdo ditë presidenti serb, Vuçiq. Nëse do të thotë ndonjë gje, do të jetë thjesht një diskurs që pohon, por aspak diskurs që dënon, psh paranojat e qëllimshme të Sandrit të tij në Beograd. Për këtë Sandrin e Beogradit nuk guxon të thotë “Të fala Sandrit”! Sepse është “Kalë Troje” i tij edhe në trekëndshin Prishtinë-Tiranë-Zagreb. T’i besosh në këtë rast Edi Ramës, është sikur t’i besosh vetë Aleksandër Vuçiq.
Arma e rrezikshme e importuar nga ana e Serbisë prej Kinës duhej të merrte një përgjigje të saktë e të qartë nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, sepse me atë armë rrezikohet më shumë Shqipëria sesa Kroacia. Por Rama dëshiron t’u thotë shqiptarëve se “Sa të jem unë, me këtë miqësi që kam me Vuçiq, ju jeni të sigurt”! Gjë që përkthehet në gjuhën e kërcënimit që vetëm Rama di ta përdor e që do të thotë: “Nëse nuk më zgjidhni mua, ju do të jeni të kërcënuar”! Sigurisht që kurban i kësaj strategjie bëhet Kosova. Heshtja e kryeministrit shqiptar thotë shumë. Aq shumë sa të gjitha aktet e tij të derisotme, të cilat kanë shkuar në tërësinë e tyre në favor të Serbisë dhe drejtohen kundër Kosovës.
