Ish-zyrtarët e AKI-së: Kërcënimet e Aleksandar Vulinit, alarm për diplomacinë dhe sigurinë e Kosovës
Ish-zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) i cilësuan si shqetësuese dhe propagandistike kërcënimet e ish-shefit të BIA, Aleksandar Vulin, për sulme kundër Kosovës, kryeministrit Albin Kurti dhe çdo individi që, sipas tij, ndjek politika antiserbe, duke vlerësuar se deklaratat e tij duhet të alarmojnë institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Ish-inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani, tha për KosovaPress se formulimi i deklaratave të Vulinit është jashtëzakonisht shqetësues dhe se ai, përmes fjalëve të tij, ka inkriminuar vetë shërbimet sekrete serbe për veprime të mëhershme në Kosovë.
Ramadani: Vulin ka inkriminuar veten dhe shërbimin serb për vrasje që kanë ndodhur edhe më herët
“Është jashtëzakonisht shqetësuese formulimi i fjalive dhe jo vetëm kërcënimi që e ka bërë Aleksandar Vulin, që njihet si shovinist nga politikat dhe qëndrimet e veta. Por ai jo vetëm që ka kërcënuar Kosovën dhe individët. Ka thënë se shërbimet sekrete serbe janë të njohura që kanë bërë edhe më herët veprime të tilla dhe ai në një formë ka pranuar se shërbimet sekrete serbe kanë vrarë njerëz në Kosovë dhe kjo kur vjen prej një njeriu si Vulin, i cili për një periudhë të caktuar ka qenë edhe shef i BIA-s dhe ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm, është një dëshmi, e cila do të duhej ta alarmonte diplomacinë në Kosovë dhe atë ndërkombëtare, sepse Vulin e ka inkriminuar veten dhe shërbimin serb për vrasje që kanë ndodhur edhe më herët”, tha Ramadani.
Tutje, ai theksoi se Serbia, siç u shpreh, po vepron si mashë e Rusisë dhe synon destabilizimin e Kosovës, duke kërkuar rritje të vigjilencës nga sektori i sigurisë dhe forcim të koordinimit me partnerët ndërkombëtarë.
Ramadani: Një prej dëshnive publike se shovenizmi sikurse është ai i Vulinit nuk është i izoluar
“Serbia si mashë e Rusisë do të vazhdoj edhe më tutje të sillet papërgjegjshëm dhe të tentojë ta shfrytëzojë cilëndo situatë që i vjen në dorë për ta destabilizuar Kosovën dhe kërcënuar dhe qytetarët duke përfshirë edhe lidershipin e shtetit.. 3:43 Kjo është një prej dëshmive publike se shovenizmi sikurse është ai i Vulinit nuk është i izoluar, pra është mentalitet shtetëror dhe shoqëror atje.. 4:30 Sektori i sigurisë në përgjithësi duhet të rris vigjilencën, nivelin e përgjithshëm të gatishmërisë dhe komunikimin me partnerë ndërkombëtarë, para se gjithash me SHBA-në dhe NATO-n dhe shtete e rajonit”, tha ai.
Ndërkaq, ish-inspektori i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, tha se kërcënimet nuk janë befasuese, por sipas tij, Serbia nuk ka kapacitet për t’i realizuar ato.
Deklarime të tilla, sipas tij, shfaqin natyrën ekstremiste, nacionaliste dhe shoveniste serbe.
Sopjani: Nuk është befasuese kur kjo deklaratë vjen prej një antishqiptari
“Nuk është befasuese kur kjo deklaratë vjen prej një antishqiptari. E mira e kësaj pune është se nuk kanë asnjë mundësi për të jetësuar atë që ka thënë Vulini, marrë parasysh se BIA nuk është Mossad dhe Serbia nuk është Izrael, sepse po të ishte këta moti do ta bënin këtë. Jo që kanë pritur një kohë më të mirë, por mundësia e tyre për të bërë diçka të tillë është zero dhe për këtë arsye shprehin dëshira.. Mbi këtë bazë nuk janë të rrezikshme, por vetëm shpërfaqin këtë natyrën ekstremiste, nacionaliste dhe shoviniste që ka politika në Serbi”, tha Sopjani.
Pas kërcënimeve ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili i ka cilësuar deklaratat e Vulinit si precedent të rrezikshëm dhe kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe kryeministrit Kurti.
Sveçla bëri të ditur se institucionet e sigurisë janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin.
“Kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe kryeministrit të saj, Albin Kurti. Përveç lidhjeve të dokumentuara me Rusinë, Vulin njihet gjerësisht si zë artikulues i qëndrimeve të Presidentit Aleksandar Vuçiq. Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor. Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, ne si bartës të institucioneve nuk zbrapsemi përballë këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë drejt forcimit të Republikës sonë të pavarur dhe sovrane”, tha Sveçla.
Ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, në një media serbe, ka kërcënuar me sulme kundër Kosovës, kryeministrit Albin Kurti dhe çdo individi që, sipas tij, ndjek politika antiserbe.
Ai ka thënë se Serbia duhet të veprojë në Kosovë ashtu siç vepron Izraeli përmes Mossad-it kundër atyre që i konsideron armiq.
Se Serbia ka kryer sulme kundër shqiptarëve, këtë ai nuk e ka mohuar. Përkundrazi, Vulin ka deklaruar se dinë si bëhen këto punë.
