Ish-komandanti i UÇK-së del hapur: Osmani garanton stabilitet dhe partneritet me SHBA-BE
Ish-komandanti i UÇK-së, Hafi Hoxha, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që zgjedhjen e Presidentit ta trajtojnë si çështje strategjike dhe jo si kompromis partiak.
Në një reagim publik, ai thekson se Kosova, në rrethanat aktuale gjeopolitike dhe përballë sfidave me Serbinë, ka nevojë për një president me përvojë në diplomaci, siguri dhe marrëdhënie ndërkombëtare, si dhe me kredibilitet në raport me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.
Sipas Hoxhës, presidentja aktuale Vjosa Osmani është personi më i përshtatshëm për këtë detyrë, duke renditur 10 arsye në favor të saj, përfshirë përvojën institucionale, njohuritë juridike, përfaqësimin ndërkombëtar, mbështetjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe integritetin personal.
Shkrimi i plotë:
Propozim për Delegatët e Kuvendit të Republikës së Kosovës
Të nderuar deputetë,
Në rrethanat aktuale gjeopolitike në rajon dhe në botë, me sfida të vazhdueshme në raport me Serbinë dhe me procese të rëndësishme në fushën e sigurisë, diplomacisë dhe zhvillimit ekonomik, zgjedhja e Presidentit të Republikës nuk duhet të trajtohet si procedurë formale apo kompromis partiak.
Kosova ka nevojë për një President që:
• Ka përvojë të dëshmuar në politikën e jashtme dhe diplomaci
• Kupton thellësisht çështjet e sigurisë, ushtrisë dhe bashkëpunimit me aleatët strategjikë
• Ka aftësi komunikimi dhe kredibilitet në raport me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n
• Vepron mbi interesin partiak dhe individual, në shërbim të interesit shtetëror dhe kombëtar
Në këto rrethana të ndjeshme, funksioni i Presidentit duhet të shihet si rol strategjik për mbrojtjen e interesave të Republikës, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe thellimin e partneritetit me aleatët tanë.
Duke analizuar këto kritere pa anime politike, vlerësoj se aktualisht personi më i përshtatshëm për këtë detyrë është Presidentja aktuale, Vjosa Osmani.
Arsyetim – 10 pika favorizuese per z. Vjosa Osmani ;
1. Përvojë institucionale si Presidente, ish-Kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së Presidentes.
2. Njohuri të thella kushtetuese dhe juridike si profesoreshë e së drejtës.
3. Përfaqësim aktiv dhe i qartë i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
4. Qëndrim i konsoliduar në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial.
5. Komunikim i drejtpërdrejtë dhe kredibil me partnerët strategjikë, veçanërisht SHBA dhe BE.
6. Mbështetje e vazhdueshme për forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe avancimin drejt standardeve të NATO-s.
7. Profil i pastër institucional dhe integritet personal i pakontestuar në raport me ligjin.
8. Qasje pro-reformuese dhe mbështetje për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
9. Aftësi për përfaqësim dinjitoz të shtetit në situata të ndjeshme diplomatike.
10. Stabilitet dhe vazhdimësi institucionale në një kohë sfidash të brendshme dhe të jashtme.
Ju ftoj që në vendimmarrjen tuaj të udhëhiqeni nga interesi shtetëror dhe jo nga kalkulimet partiake, sepse ky moment kërkon përgjegjësi historike.
Me respekt,
Hafir Hoxha
