I arrestuari në aksionin e djeshëm kundër fajdesë, i njohur për organet e drejtësisë
Një person u arrestua në aksionin e djeshëm kundër fajdes në Prizren, që u realizua nga Drejtoria kundër Krimit të Organizuar e Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore.
I njëjti është i njohur për organet e drejtësisë, pasi ka të kaluar kriminale.
Egzon Reshani, ishte i përfshirë para disa muaj në një rast të shkëmbimit të zjarrit, ku ishin plagosur dy persona.
Reshani u ndalua për 48 orë derisa ndaj tij pritet edhe kërkesa nga e organit të akuzës për caktimin e masës së paraburgimit.
“Jemi brenda afatit ligjor. Në momentin që do ta bëjmë kërkesën do të njoftoheni me kohë”, deklaroi zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Fitore Mehmeti-Sejrani.
Derisa në kërkim janë edhe katër të dyshuar e tjerë: B.K., GJ.K., E.K., E.K, të cilët dyshohen për veprat penale: “Fajdeja”, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrimi”, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
