Fundi i ndikimit rus? Eksperti “zbulon” si mund të reagojë Serbia rreth bazës ushtarake në Nish
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka në plan të bëjë bashkimin e shqiptarëve në Ballkan, si faktor stabilizues dhe bashkëpunues në rajon me orientim pro perëndimor, kështu ka thënë ish-diplomati amerikan Johnatan Moore javë më parë.
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë Bedri Elezi, ka përforcuar deklarimet e ish-diplomatit amerikan, madje sipas ekspertit SHBA planifikon që të ndërtojë një bazë ushtarake në Nish të Serbisë.
Sipas tij, për të ruajtur aleancën me Kosovën është planifikuar të ndërtohet kjo bazë e cila do të bëjë të mundur vendosjen e paqes për një kohë të gjatë në Ballkan.
“SHBA mbetet realisht e angazhuar dhe shumë e interesuar që të ruajë aleancën e saj me Kosovë, të vendosë angazhim të mëtejshëm ushtarak në Kosovë dhe është pikërisht për këtë arsye pse, para 2030 do kemi ndërtimin e një baze ushtarake që do të vendoset në Nish dhe nga ku do garantohet që paqja të vendoset për një kohë të gjatë në Ballkan, se dihet që Serbia ka përdorur bashkëpunimin me Rusinë për të vepruar në këtë zonë dhe pikërisht këtu do të vendoste baza amerikane që do të ketë mundësi të ushtrojë aktivitetin ushtarak brenda territorit të Serbisë”, ka deklaruar eksperti.
Rreth ndërtimit të mundshëm të kësaj baze, ka folur për “Bota sot”, edhe eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, i cili thotë se ndërtimi i kësaj baze do të ofrojë paqe dhe siguri në tërë rajonin.
Sipas tij, me ndërtimin e saj do të zhdukej domnimi i Rusisë në Ballkan.
“Raportimet se para 2030-s SHBA do ta ndërton bazën ushtarake në Nish natyrisht do të bëjë të mundur vendosjen e paqes për një kohë të gjatë në Ballkan. SHBA me ndërtimin e kësaj baze që ofron paqe dhe siguri në tërë rajonin e largon automatikisht ndikimin dhe dominimin e Rusisë në Ballkan. Tentimi i ashpër i Rusisë për dominim në Ballkan do të zhdukej njëherë e përgjithmonë mendoj unë. Ndërtimi i kësaj baze ndikon në uljen e tensioneve në marrëdhëniet SHBA-Serbi dhe forcimin e mëtutjeshëm të marrwdhënieve SHBA-Kosovë sepse ne jemi shtet i pavarur dhe sovran, kemi bazën Bonsteel në Kosovë dhe ndërtimi i një baze në një shtet krejt tjetër vetëm forcon paqen dhe ulë tensionet, zhduk dominimin e Rusisë që është shumë me rëndësi në aspektin e sigurisë duke ditur qasjen dhe veprimet negative Ruse në Ballkan”, deklaron Dashevci.
Në Serbi, tash e nëntë muaj nuk ndalen protestat dhe kjo pas tragjedisë në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 veta.
Protestat janë ende duke vazhduar, gjë që sipas raportimeve është disi e habitshme duke pasur parasysh temperaturat e larta dhe pushimet verore, por presioni është ende aty.
Në anën tjetër, për shkak të rritjes së shtypjes dhe paligjshmërisë së vazhdueshme, qytetarët rebelë shpesh thonë se regjimi është konsoliduar dhe se një lloj iniciative është në anën e tij. Megjithatë, ka edhe shumë që mendojnë se Vuçiq ka mbaruar dhe se kjo është vetëm agonia e një regjimi të dështuar.
I pyetur sesi do të reagonte Serbia për ndërtimin e kësaj baze në Nish, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se ajo ka probleme të saj të brendshme.
Sipas tij, priten ndryshime në Serbi dhe në politikën e saj, gjersa shton se kjo do të përforcojë sigurinë në rajon.
“Serbia ka një establishment që ka probleme të mëdha të brendshme me qytetarët e vet atje,ajo ka bashkëpunim me Rusinë,por unë mendoj që atje këtij establishmenti po i vjen fundi mu ashtu si i erdhi fundi politik edhe Dodikut në Bosnjë dhe Hercegovinë. Unë mendoj që priten ndryshime në Serbi, dhe me ndryshimin e politikës me mendësi të viteve 90-ta atje vjen edhe ndonjë ndryshim me qasje pro Evropiane dhe krijohet stabiliteti në rajon. Ky veprim përforcon sigurinë në rajon sepse largon Rusinë nga Ballkani dhe me largimin e Rusisë largohen edhe politikat Ruse në Serbi që do të thotë se në aspektin e sigurisë që tensionet zbuten vetvetiu”, përfundon eksperti.
