FSK në një nga zonat më të nxehta të botës – dëshmi e fuqisë së re ushtarake të Kosovës
Kosova dhe Shqipëria janë ndër pesë vendet e para që do dërgojnë trupa për ofrimin e sigurisë në Gaza në kuadër të Bordit të Paqes.
Pesë vendet e para që kanë angazhuar trupa për të shërbyer në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese janë Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria. Ndërkohë, Egjipti dhe Jordania kanë marrë përsipër të trajnojnë policinë.
E për këtë, së fundi Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se Kosova është në proces të përgatitjeve për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, një mision i autorizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara mbi bazën e Rezolutës 2803.
Fillimisht dërgimi i trupave u bë i ditur në takimin e themelimit të Bordit të Paqes nga gjenerali amerikan Jasper Jeffers, i cili ka bërë të ditur se Kosova është ndër shtetet që ka shprehur zyrtarisht vullnetin për të kontribuar në këtë mision shumëkombësh, së bashku me dhjetëra vende të tjera partnere.
Krahas kësaj, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se kontributi i mundshëm i Kosovës do të përfshijë kapacitete të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë njësi për deminim, ekipe për kërkim-shpëtim, si dhe kapacitete të tjera profesionale që ndërlidhen me stabilizimin dhe garantimin e sigurisë në terren.
“Me aprovim të Kryeministrit Kurti, Komandanti i FSK-së, Gjeneral-lejtënant Bashkim Jashari ka marrë pjesë në këtë forum ndërkombëtar, ku kemi kemi shprehur dhe vullnetin politik që në mesin e 40 shteteve pjesëmarrëse, Kosova të ofrojë gatishmërinë për të kontribuar në këtë Forcë me një kombinim kapacitetesh, pra jo vetëm kapacitete tipike ushtarake apo vetëm kapacitete që kanë të bëjnë me deminim dhe kërkim-shpëtim, por dhe kapacitete relevante të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.
Mirëpo, se si do ndikojë dërgimi i trupave të FSK në Gaza në aspektin strategjik për Kosovën dhe raportet e saj me SHBA-në, folën ekspertët e sigurisë.
Dashevci: Ky nuk është thjesht një operacion i radhës është një moment kulmor që vulos transformimin e Kosovës
E për këtë temë, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, i cili u shpreh se, pjesëmarrja e FSK në këtë mision është një zhvillim historik dhe thellësisht simbolik për shtetin tonë.
ImageArben DashevciFoto galeri
Sipas tij, fakti që FSK është e gatshme për misionin në Gaza, tregon se ka shënuar ngritje në një nivel të ri cilësor.
“Angazhimi i Kosovës për të dërguar trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të një misioni stabilizues në Gaza, të autorizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara mbi bazën e Rezolutës 2803, përbën një zhvillim historik, strategjik dhe thellësisht simbolik për shtetin tonë. Ky nuk është thjesht një operacion i radhës është një moment kulmor që vulos transformimin e Kosovës nga konsumues sigurie në prodhues dhe eksportues të sigurisë globale.
Nga aspekti i sigurisë ndërkombëtare, pjesëmarrja në një teatër kaq kompleks si Gaza një zonë me tensione të larta gjeopolitike, me sfida humanitare dhe me rrezik të vazhdueshëm destabilizimi kërkon kapacitete të nivelit më të lartë operacional.
Nuk mjafton vullneti politik; kërkohet profesionalizëm i sprovuar, disiplinë e hekurt, zinxhir komandues i qartë, interoperabilitet me forca shumëkombëshe dhe respektim strikt i standardeve ndërkombëtare të sigurisë. Fakti që FSK-ja konsiderohet e gatshme për një mision të tillë është dëshmi e pakontestueshme e ngritjes së saj në një nivel të ri cilësor”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Dashevci vlerësoi mbështetjen e SHBA në formimin, ngritjen dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, derisa tha se partneriteti me të është jetësor dhe i domosdoshëm.
Sipas tij, ky partneritet i ka dhënë mundësi Kosovës që të paraqitet në nivele të larta ndërkombëtare.
“Ky zhvillim është fryt i një transformimi të thellë institucional. Gjatë viteve të fundit, FSK-ja është ndërtuar mbi doktrina moderne, është pajisur me standarde profesionale dhe është trajnuar sipas kritereve të NATO-s, duke arritur nivele të larta të ndërveprueshmërisë me forcat aleate.
Çdo stërvitje e përbashkët, çdo program trajnimi, çdo investim në arsimim ushtarak ka pasur një qëllim të qartë: ta shndërrojë FSK-në në një forcë të besueshme, të aftë për të kontribuar përtej kufijve të vendit.
Mbështetja strategjike e Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë themelore në këtë proces. SHBA-të jo vetëm që kanë ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve operacionale, por kanë investuar në ndërtimin e një kulture ushtarake profesionale, të bazuar në meritokraci, përgjegjësi dhe standarde të larta etike. Ky partneritet i thellë strategjik ka krijuar themelet që sot i japin Kosovës mundësinë të ulet në tryezën e kombeve që kontribuojnë në sigurinë globale”.
Më tej, eksperti potencoi se, ky angazhim do të rrisë përvojën e FSK-së në menaxhimin e krizave, si dhe do të jetë ambasador i shtetit dhe i vlerave mbi të cilat është ndërtuar Kosova.
“Nga perspektiva strategjike, ky mision forcon pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Ai rrit kredibilitetin diplomatik, thellon partneritetet me aleatët dhe demonstron se Kosova është një aktor serioz në arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Pjesëmarrja në një mision të autorizuar nga OKB-ja është vulë legjitimiteti ndërkombëtar dhe një mesazh i qartë se Kosova respekton rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Në aspektin operacional, ky angazhim do të rrisë përvojën e personelit të FSK-së në menaxhimin e krizave, në operacione stabilizimi, në bashkërendim me aktorë civilë dhe humanitarë dhe në funksionim nën komanda shumëkombëshe. Çdo ushtar që shërben në këtë mision do të jetë ambasador i shtetit, i profesionalizmit dhe i vlerave mbi të cilat është ndërtuar Kosova.
Ky është gjithashtu një mesazh i fuqishëm për rajonin: Kosova është faktor stabiliteti, jo burim tensioni. Ndërsa dikur kishte nevojë për praninë ndërkombëtare për të garantuar paqen e saj, sot ajo është e gatshme të kontribuojë për paqen e të tjerëve. Ky transformim është thelbësor dhe i jashtëzakonshëm”, nënvizoi Dashevci.
Në fund, ai shtoi se, kjo është dëshmi që NATO dhe SHBA e shohin Kosovën, partnere të bësueshme dhe shtet të pjekur e të zhvilluar.
“Në planin e brendshëm, ky mision forcon vetëbesimin institucional dhe qytetar. Ai dëshmon se investimi në mbrojtje, në profesionalizëm dhe në partneritete strategjike jep rezultate konkrete. FSK-ja po dëshmon se është një forcë moderne, e disiplinuar, e pajisur me vizion dhe e përkushtuar ndaj standardeve më të larta ndërkombëtare.
Prandaj, dërgimi i trupave në Gaza nuk është vetëm një akt solidariteti ndërkombëtar.
Është afirmim i sovranitetit, i pjekurisë shtetërore dhe i orientimit të qartë euroatlantik të Kosovës.
Për Republikën e Kosovës është dëshmi e fuqishme se aleatët tanë NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Kosovën si partnere të barabartë dhe të besueshme në përballjen me sfidat globale të sigurisë”, përmbylli Arben Dashevci për “Bota sot”.
Berisha: Kosova shihet si një shtet kontributdhënës në sigurinë globale
Ndërsa, eksperti tjetër, Fidair Berisha u shpreh se ndonëse FSK ka përvojë në misione jashtë vendit, Gaza është një zonë shumë e ndjeshme dhe e rrezikshme.
ImageFidair BerishaFoto galeri
Megjithatë, ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se, dërgimi i trupave të FSK në Gaza, tregon se Kosova shihet si një shtet që mund të ndihmojë në sigurinë globale.
“Momentalisht, Gaza është një nga zonat më të ndjeshme në politikën ndërkombëtare. Çdo prani ushtarake ndërkombëtare, edhe nën mandatin e Organizata e Kombeve të Bashkuara, mund të përballet me rreziqe të ndryshme. Forca e Sigurisë së Kosovës ka përvojë në trajnime dhe misione jashtë vendit (si në Kuvajt), por Gaza paraqet një mjedis shumë më të rrezikshëm krahasuar me misionet e deritanishme trajnuese apo mbështetëse.
Përgatitjet për dërgimin e trupave të FSK-së në Gaza, në kuadër të një misioni të autorizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, tregojnë se Kosova shihet si një shtet kontributdhënës në sigurinë globale”, deklaroi eksperti.
Gjithashtu, Berisha konsideron se me këtë pjesëmarrje, shteti ynë përforcon pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.
“E parë në aspektin strategjik, ky angazhim ka disa dimensione të rëndësishme. Me pjesëmarrjen e Kosovës në Gaza, ajo forcon pozicionin e saj në rrafshin ndërkombëtar. Njëkohësisht, është për t’u përshëndetur besimi që i jepet Kosovës për të kontribuar në sigurinë ndërkombëtare, sepse pjesëmarrja e shteteve në misione paqeruajtëse nën mandatin e OKB-së është praktikë e zakonshme për vendet që synojnë thellimin e integrimit euroatlantik — një proces në të cilin Kosova ka nevojë të integrohet plotësisht”.
Ndër të tjera, ai shtoi se, ky mision i FSK-së është një hap përpara në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës.
Madje, ai vlerëson se me këtë thellohen raportet mes Kosovës dhe SHBA-së edhe më shumë.
“Pjesëmarrja e FSK-së në Gaza, natyrisht, pritet të ndikojë pozitivisht në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke qenë se SHBA-ja ka qenë mbështetësi kryesor i zhvillimit dhe transformimit të FSK-së. Çdo angazhim serioz ndërkombëtar i FSK-së shihet si dëshmi e pjekurisë institucionale dhe e partneritetit strategjik me SHBA-në.
Në përgjithësi, nëse ky mision i FSK-së realizohet brenda një kornize të qartë ligjore dhe strategjike, ai do të përbënte një hap përpara në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës dhe në thellimin e partneritetit me aleatët kryesorë, veçanërisht me SHBA-në si aleatin kryesor të shtetit tonë”, përmbylli Fidair Berisha për “Bota sot”.
