OPINIONTË FUNDIT

Ekzaltimi idiotesk i Baton Haxhiut dhe Blendi Fevziut!

Akoma pa mbaruar fjalën Edi Rama në Bordin e Paqes në Uashington, Baton Haxhiu bëri komentin ekzaltues për atë fjalim: – Duhet me pasë ble tha me e mbajtë atë fjalim. Këtë vlerësim ekzaltues e mbrojti më vonë në emisionin opinion të Blendi Fevziut. Gjithçka ishte bërë gati para se Rama të nisej për në SHBA. Kryeministri do të mbante fjalimin “historik” për krerët e Ushtrisë Çlirimtare në takimin e Bordit të Paqes në prezencë të presidentit Trump. Batoni nuk do të gjente fjalën më të madhe ekzaltuese, si ble për t’u shfaqur i ekzaltuar. Blendi do të thërriste panelin për të përhapur lajmin e madh të Batonit dhe kësisoj për ta lartësuar edhe më shumë naltgjatësinë e tij, Edi Rama. Të tri hallkat funksionuan mrekullisht vetëm në dy orë pasi përfundoi shfaqja në Uashington. Fjalimi u përcoll nga të gjitha mediet. Batoni në ekzaltim e sipër bëri komentin hiperbolik për “patriotizmin” e Edi Ramës. Dhe Fevziu e përhapi më pas te të gjithë shikuesit e tij jo të paktë, si arritje të jashtëzakonshme. U rikthye kështu skenari i romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe’, ose “Dimri I Madh”, ku Enver Hoxha ngrihet në qiellin e shtatë të kultit të tij!

Kur u shkrua “Dimri I Madh’ ka kaluar më shumë se gjysëm shekulli. Sot jemi rikthyer në atë periudhë të zezë të historisë shqiptare. Madje dikush në panelin e Fevziut përmendi edhe deklaratën e Ramës në Beograd para 12 vitesh kur tha se “Kosova është e pavarur”! Nuk është faji i tyre. Problemi është se mediet, njerëzit që punojnë aty, janë vënë nën peshën e pushtetit politik dhe të parasë. Punojnë njësoj siç punon mafia. Nuk bën më shumë sesa media jonë mafia shqiptare ose ajo ndërkombëtare. Organizatat mafioze i vrasin njerëzit me opium për t’u pasuruar për veten e tyre. Organizatat mediatike vrasin të vërtetën, sërishmi për pasuri, lavdi dhe prestigj! Këtë punë bëjnë vazhdimisht Baton Haxhiu dhe Blendi Fevziu. Gënjejnë njerëzit, i orientojnë qytetarët në adresën e gabuar dhe në fund’ ndërsa këta mbushin xhepat, qytetarët varfërohen nga xhepi dhe nga truri. Një vrasje e dinjitetit, integritetit dhe personalitetit njerëzor në shërbim të një kryeministri mafioz dhe delirant.

Megjithatë këto që shkrova nuk mjaftojnë për të zbuluar thelbin e deklaratës së Edi Ramës në Bordin e Paqes e në sy të Donald Trump. As për të provuar se ekzaltimi i Batonit dhe Blendit ishin mashtrim dhe hipokrizi. Unë besoj se mediet kanë detyrë të shkojnë te e vërteta. Dhe është i njohur parimi, sipas të cilit se te e vërteta shkohet përmes dyshimit dhe skepticizmit. Nuk shkohet përmes ekzaltimit. Nëse përdorim dyshimin dhe skepticizmin, atëherë do të gjejmë njëmijë arsye për të argumentuar se fjala e Edi Ramës para presidentit Trump ishte e rrezikshme dhe e gabuar. Analiza, vlerësimi, gjykimi i një fjalimi, pohimi apo deklarimi bëhen përmes zbulimit të shkaqeve dhe motiveve. Nëse një analist, gazetar, opinionist në shpjegon vetëm përgjigjen e pyetjeve si ku, kush, kur, çfarë e si, atëherë ai do ekzaltohet njësoj si Batoni e Blendi.

Por po të shpjegosh përgjigjen e pyetjes pse, atëherë do të të duhet të ndalesh, të arsyetosh, të dyshosh e madje të bëhesh skeptik. Mediet e Ramës ndalen gjithmonë te përshkrimi përmes skemës ku, kush, kur çfarë dhe si! Nuk shkojnë te përgjigja e pyetjes pse, përgjigje e cila është thelbësore për analizën, interpretimin dhe vlerësimin e një fjalimi, deklarimi, ngjarjeje, fenomeni, apo ndodhie. Dhe e bëjnë këtë qëllimisht. Sepse përgjigja e kësaj pyetjeje demaskon shfaqjen, formën, pretendimin ideotesk ose mediokër të gjësë. Nuk do të ndalem gjatë te përgjigja e pyetjes pse në shpjegimin e fjalës së Edi Ramës në Uashington, por do të vë në dukje diçka thelbësore; – Rama ruan edhe sot një raport të njëjtë si në vitin 2018 për idenë e ndarjes së Kosovës dhe ndryshimit të kufijve në Kosovë e në Ballkan..

Të gjithë vumë re, kur Edi Rama i tha presidentit Trump se presidenti i Kosovës u ndalua të vinte në takimin me ju për një marrëveshje të rëndësishme. Kanë kaluar gati shtatë vite nga ajo kohë dhe ka mundësi që Trump ta ketë harruar. Edi Rama u investua në kujtesën e presidentit amerikan. Kujtesa e tij shkon aty ku ne shqiptarëve dhe sidomos Kosovës i dhemb më shumë. Të ndarja e Kosovës përmes ndryshimit të kufijve. Edhe nëse Trump e ka harruar atë kohë, pas fjalës së Ramës ai mund të kërkojë shpjegime e sqarime si qenka ndaluar presidenti i Kosovës të vinte tek unë për të nënshkruar një marrëveshje, siç e thotë Rama. Dyshimi im në këtë rast është i qartë: – Edi Rama donte t’i kujtonte presidentit amerikan se “ju atëherë u investuat për një marrëveshje Kosovë-Serbi me ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve”! Më tej akoma. Ai dëshiron t’i thotë presidentit amerikan se “Dikush tjetër ua ndaloi të zbatoni prejektin e ndarjes”! Dhe ky dikushi ishte kundërshtarja juaj, Angela Merkel.

Pra, kemi të bëjmë me një pelivahnllëk politik anti-shqiptar, me qëllim rikthimin e idesë së shkëmbimit të territoreve, ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës. Megallomani Edi Rama e bashkë me të Batoni e Fevziu, besojnë se me fjalimin në Uashington zgjojnë instiktet anti-Merkel të Trump dhe rinis loja nga e para. Me këtë arsyetim kryeministri i Shqipërisë e përdori edhe prokurorin Smith. E paraqiti atë si armik të Thaçit, për shkak se ai “është armik i Donald Trump”! Edhe në këtë rast qëllimi i kryemninistrit ngatërrestar e hileqar të Shqipërisë është i qartë: – Ta vendosë presidentin amerikan në pozitë poshtruese dhe ta nxitë që për shkak të Smith të bëjë diçka për lirimin e presidentit (siç thoshte Rama) nga Haga.

Projekti shkon më tej. Imagjinata dhe provokimi shkojnë deri në ekstrem. Jo thjesht lirimi i Hashim Thaçit, por lirimi i tij politik do të duhej të përdorej si armë për t’u rikthyer te ideja e ndarjes së Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë i hiqet e drejta gjykatës që ish-presidenti të lirohet me kusht ose me kufizime për t’u marrë me politikë. Sigurisht që në këtë rast ka një vështirësi. Sepse sado autoritar të jetë Trump, nuk shkon deri te mendësia e Edi Ramës “për t’ua prerë këmbët” gjyqtarëve që vendosin kundër tij. Por duke e matë presidentin amerikan me kutin e tij, Rama shpreson te ndërhyrja e drejtpërdrejtë politike për ta mbyllur gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, ende pa u dhënë vendimi i trupit gjykues. Ose e pakta që kjo trupë gjykuese të intimidohet prej Donald Trump.

Shkurt, Ramës dhe Vuçiq u duhet Hashim Thaçi në Kosovë, jo vetëm i lirë si person, por i lirë të vazhdojë misionin politik të tij për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve në Ballkan. Para një jave lexova në portalet gjermane një deklaratë të ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, ku thohte se “Konflikti midis Serbisë dhe Kosovës duhet zghidhur përmes shkëmbimit të territoreve”! Me siguri që këtë deklaratë e ka të njohur kryeministri i Shqipërisë. Ndërkohë Rama në asnjë rast nuk përmend përgjegjësitë e Aleksandër Vuçiq edhe sa i përket ngritjes së Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Që do të thotë se marrëdhëniet midis këtyre dy vëllëzërve anti-Kosovë janë të qëndrueshme dhe të pacënueshme. Idenë e ndarjes së Kosovës Rama dhe Thaçi e synojnë edhe për një arsye tjetër: – Kanë frikë se përpjekja e tyre 2017-2020 për këtë do të shënohet si akt tradhtie. Nëse e realizojnë në një kohë tjetër, do të thonë: “E shihni se ne kishim të drejtë në atë kohë”! Megjithatë Albin Kurti ua ka prish planet. Vendosja e sovranitetit territorial në veri të Kosovës i ka ndryshuar tashmë ekuilibrat!

Unë thashë shumë pak në përgjigje të pyetjes: – Pse Edi Rama e mbajti atë deklaratë në Bordin e Paqes në Uashington në prezencë të president Trump. Po të kishim kohë, kjo temë mund të zgjerohej shumëfish me fakte dhe argumente të tjera, që çojnë në përfundimin se ekzaltimi i Batonit dhe Blendi Fevziut ishte i stiisur, i sajuar, i skenarizuar qëllimisht për të ngrit një kult, një hije mëngjesi që nuk ekziston. As Mirela Milori nuk iu përmbajt pyetjes pse Rama deklaroi në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën. Thjesht tha se “Rama bëri një deklaratë historike”! Po të zbërthejmë psenë e asaj deklarate dhe sidomos atë çfarë prodhoi ajo deklaratë në vitet e ardhshme, atëherë nuk do guxojë askush ta quajë deklaratën e Edi Ramës në Beograd si historike. E kam sqaruar këtë temë një ditë pas asaj deklarate në nëntorin e vitit 2014 dhe nuk I heq asnjë presjëe. Nejse, ky ishte qëllimi i Ramës. Por nuk do të thotë kjo se Trump do të rikthejë idenë e ndryshimit të kufijve. Kësisoj Rama ka vetëm një mundësi: – Ti gënjejë shqiptarët për “patriotizmin” e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *