“Durimit i ka ardhur fundi” – Shala pyet opozitën: Çfarë ka bërë Vjosa Osmani për të mos e merituar mandatin e dytë?
Gjatë ditës së djeshme profesori dhe anëtari i familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, Murat Jashari iu dha fund të gjitha spekulimeve rreth kandidaturës së tij të mundshme për president të vendit. Jashari deklaroi se familja Jashari “i takon gjithë shqiptarëve” dhe nuk duhet të përfshihet në kalkulime politike të zakonshme.
Derisa kjo deklaratë u mirëprit nga të gjithë e më së shumti nga qytetarët, gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje të reja vazhdojnë të rriten, përcjell “Bota sot”.
Nga sot (e enjte 28 shkurt) kanë mbetur vetëm edhe 6 ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit/es të ri, ndërsa përveç dy takimeve formale, partitë politike nuk është se kanë shfaqur ndonjë gatishmëri për të gjetur zgjidhje sa i përket kësaj çështjeje.
Publicisti dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të LQSHA-së, Hafiz Shala, ka bërë një deklaratë të fortë për “Bota Sot”, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së Familjes Jashari si një institucion më të lartë moral kombëtar.
Sipas Shalës, nuk duhet të insistohet që Familja Jashari të përfshihet me çdo kusht në garën për President, duke argumentuar se kjo familje heroike dhe historike është një simbol i pa përfshirë me Kushtetutë dhe meriton respekt nga e gjithë shqiptaria.
ImageHafiz ShalaFoto galeri
“Duhet ta ruajmë Familjen Jashari si një institucion më të lartë moral kombëtar. Mos të insistohet që me çdo kusht të përfshihet Familja Jashari në garën për President.
Familja heroike, emblematike dhe historike kombëtare Jashari është një institucion në vete, i pa përfshirë me Kushtetutë, që ndoshta duhej t’i specifikohej vendi dhe roli i saj i respektuar me arsyetim, nga e gjithë shqiptaria.
Deklarata e Murat Jasharit për mospërfshirjen në garë për President e vlerësova si një shprehje të pjekurisë dhe përgjegjësisë së lartë për kontributin e jashtëzakonshëm rreth çlirimit të atdheut, si yll polar orientues i tërë shqiptarisë, e cila po sillet me përgjegjësi rreth ruajtjes së vlerave historike për sakrificën që kanë bërë dhe respektin që u takon.
Merreni me mend se ka edhe të atillë që janë në gjendje ta komprometojnë Familjen Jashari, kryesisht ata që e kanë bojkotuar, spiunuar dhe mosndihmuar kur ishin të rrethuar. Prandaj, dikush që nuk e ka fituar respektin e merituar mund të bëhet “kujdestar” që kjo familje të komprometohet, gjoja duke gjetur qime në mjaltë, vetëm për ta kritikuar”, ka vlerësuar Shala.
Në deklaratën e tij, Shala theksoi gjithashtu mbështetjen e Presidentes aktuale, Dr. Vjosa Osmani, për diplomacinë dhe sovranitetin e Dardanisë, duke nënvizuar rolin e saj vendimtar në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai i bëri thirrje opozitës të reflektojë dhe të veprojë në interes të shtetit dhe jo të karrierave personale, duke paralajmëruar se papërgjegjshmëria mund të ndikojë negativisht në historinë e vendit.
“Moszgjedhja e Presidentes: këtu i thonë: “pse thjesht kur mund të komplikohet.”
Nuk e kam të qartë pse nuk pajtoheni me të zgjedhurën aktuale, e cila shkëlqeu në diplomaci në momentin më të duhur për Dardaninë, kur Amerika e Donald Trumpit, në bazë të respektit dhe besimit ndaj saj — që nënkupton edhe ndaj Republikës së Dardanisë — publikisht dhe zyrtarisht deklaroi se mbështet dhe i siguron Dardanisë sovranitetin dhe integritetin territorial, duke ia bërë Serbisë me dije se, po e preke Dardaninë, e preke Amerikën.
Si do të silleni nesër, nëse ky garantues i sovranitetit dhe integritetit ua shtron pyetjen: a nuk jeni në gjendje të bëni për Amerikën dhe për atë personalisht atë që shpreh besimin dhe përkrahjen për këtë zonjë? A keni përgjegjësi ndaj kësaj pyetjeje?
Ky lloj bojkoti, a nuk i shkon për shtat Serbisë, e cila mezi pret të ketë prishje marrëdhëniesh me Amerikën — në një nivel më të lartë të marrëdhënieve, që ndonjëherë e kam pasur me pritshmëri reale se, përveç rritjes së numrit të njohjeve nga shtetet anëtare të “Bordit të Paqes”, mund të ndikojë edhe në shtetet mosnjohëse evropiane.
Duhet të jemi po aq të arsyeshëm sa dikush që duhet të mendojë dy herë për interesat e shtetit, dhe të votojë Presidenten, jo të hamendësojë ku do të gjenden nesër në aspektin e karrierës. Ushtarët e UÇK-së ranë për atdhe, e ju nuk jeni në gjendje të hiqni dorë nga interesat karrieriste për një konsensus mbi interesat shtetërore”, ka nënvizuar ai.
Madje, Shala ka shkuar edhe më tej duke pyetur nëse dikush ka informacion se presidentja Osmani ka bërë ndonjë akt “tradhtie” ndaj vendit.
“A keni informacion se Dr. Vjosa Osmani, Presidente aktuale, ka bërë ndonjë akt tradhtie ndaj atdheut apo kombit?
A keni informacion se ka devijuar nga kursi kombëtar? Nëse keni, duhet t’ia tregoni popullit dhe të largohet, sepse ajo, edhe nëse zgjidhet dhe shkel këto parime, mund të shkarkohet, sepse nuk është e përshtatshme për karrigen e Presidentit.
As pak nuk po ju brengosë që vendi të shkojë në një palë zgjedhje të reja? A nuk po mendoni se po luani me sovranin, sikur partitë opozitare janë mbi sovranin — mbi popullin?”, ka pyetur Shala.
Ai u ka bërë thirrje subjekteve politike që të ulen dhe të bisedojnë urgjentisht pasi janë para një përgjegjësie historike.
“Uluni urgjentisht dhe mendoni se jeni para një përgjegjësie historike, ndërsa askush nuk ka brengën se ku do të gjendeni sa i përket posteve, sepse për ato duhen merita që vlerësohen nga populli.
Opozita, nëse nuk reflekton, edhe pse momentalisht ka një zbutje të diskursit që populli e vlerëson pozitivisht, përgjegjësia do të bie mbi ju. Populli do të zhgënjehet tej mase ndaj papërgjegjësisë që, në këto momente vendimtare për fatin e Dardanisë, do t’iu fusë në listën e zezë të historisë”, ka potencuar ai.v Durimit i ka ardhur fundi. Si do të na vlerësojnë miqtë tanë ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-ja, e cila bëri maksimumin për përkrahjen, nëse tregojmë jo seriozitet dhe shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, kur më në fund janë konstituuar organet shtetërore si shenjë serioziteti dhe stabiliteti shtetëror? A duam të jemi shtet serioz si anëtar i Bordit të Paqes, në mesin e shteteve serioze, një OKB e re në rritje?”, ka përfunduar ai.
