Diplomacia e ekuilibrit: Rruga e Kosovës mes SHBA-së dhe BE-së
Në vitet e fundit, marrëdhëniet ndërkombëtare janë karakterizuar nga ndryshime të dukshme në prioritete dhe qasje mes fuqive kryesore globale.
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kanë marrë një intensitet të ri, duke u shfaqur qartë edhe në krizën e fundit në Iran dhe në një seri çështjesh globale që prekin tregtinë, sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ndërsa SHBA-ja ndjek një qasje më të drejtpërdrejtë dhe shpesh më të fortë në çështjet e sigurisë dhe interesave strategjike, Bashkimi Evropian favorizon dialogun, koordinimin diplomatik dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon.
Ky dallim i qartë në prioritete dhe qasje ngre pyetje të rëndësishme për vendet më të vogla dhe të reja, të cilat historikisht kanë varur sigurinë, zhvillimin dhe integrimin e tyre nga këto aleanca globale.
Kosova, si një shtet i ri dhe ende në proces të konsolidimit të institucioneve dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, përballet me një sfidë të veçantë. A mund të gjendet përballë sfidave të reja politike dhe strategjike, duke u vendosur ndonjëherë në situatën e të zgjedhurit mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian? Si duhet të veprojë vendi ynë kur interesat e dy fuqive globale shpesh nuk përputhen? A duhet të mbështetet më shumë tek Amerika, një aleat historik dhe i fuqishëm, apo të kërkojë një ekuilibër të kujdesshëm me Bashkimin Evropian, duke ruajtur marrëdhënie konstruktive me të dy palët?
Këto pyetje nuk janë thjesht çështje diplomatike, por lidhen drejtpërdrejt me sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e ardhshëm të Kosovës. Është e rëndësishme të shqyrtojmë strategjitë dhe zgjedhjet politike për të kuptuar se si Kosova mund të veprojë në një botë ndërkombëtare gjithnjë e më të ndërlikuar, duke mbrojtur sovranitetin dhe përfituar nga marrëdhëniet me aleatët dhe partnerët strategjikë.
Hoxha: Mençuria politike sot nuk është të zgjedhësh njërën palë, por të ruash balancën dhe të forcosh shtetin tënd
E për këtë temë për “Bota sot” foli ish-ushtaraku, Hafir Hoxha, i cili tha se në mes të këtyre zhvillimeve globale dhe tensionve, Kosova duhet të mbajë një balancë dhe të mos bëj direkt ndonjë zgjedhje.
ImageHafir HoxhaFoto galeri
Sipas tij, shteti ynë nuk e ka “luksin e ndarjes” nga aleatët e saj kryesorë.
“Tensionet e fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kanë hapur shumë dilema edhe për ne, shqiptarët në Ballkan. A duhet të zgjedhim anë? A rrezikohet Kosova nga këto zhvillime?
Përgjigjja është e qartë: Ne nuk duhet të zgjedhim, por të balancojmë.
Kosova nuk është një shtet që mund të përballojë luksin e ndarjes nga aleatët e saj kryesorë. Shtetet e Bashkuara janë themeli i sigurisë sonë, mbështetësi kryesor në momentet më të vështira historike dhe garancia strategjike e ekzistencës sonë si shtet.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian është rruga jonë drejt zhvillimit ekonomik, forcimit të shtetit ligjor dhe integrimit në familjen evropiane”, deklaroi ai.
Për këtë, Hoxha e sheh si të rrezikshme zgjedhjen mes SHBA e BE.
Sipas tij, rruga e Kosovës duhet të përkushtohet në dy drejtime.
“Prandaj, zgjedhja mes SHBA-së dhe BE-së nuk është vetëm e gabuar – është e rrezikshme.
Rruga jonë duhet të jetë:
Aleanca e palëkundur me SHBA-në në siguri dhe politikë strategjike.
Përkushtim maksimal ndaj BE-së në reforma dhe zhvillim.
Koordinim i mençur i politikave tona, pa u bërë pjesë e përplasjeve të mëdha globale, duke shmangur kritika apo lavdërime të parakohshme ndaj fuqive vendimarrëse në politikën globale, gabime që shpesh i kemi bërë deri më tani në politikën e jashtme.
Shqiptarët në Ballkan duhet të jenë faktor stabiliteti, jo instrument i tensioneve globale.
Mençuria politike sot nuk është të zgjedhësh njërën palë, por të ruash balancën dhe të forcosh shtetin tënd. Ky është moment për maturi, jo për emocione”.
Më tej, ish-ushtaraku potencoi se, problemet më të mëdha të Kosovës janë brenda saj.
Në këtë pikë, ai kritiki ashpër politikanët të cilët në gjithë këto zhvillime dhe ndryshime gjeopolitike, vendosin interesat personale dhe interesat për pushtet, para Kosovës.
“Megjithatë, problemi ynë më i madh mbetet brenda vendit. Politikanët tanë nuk arrijnë të gjejnë ujdi për formimin dhe funksionimin e institucioneve të shtetit të Kosovës. Tek politikanët jo seriozë, konkurrenca për pushtet ka marrë një formë të ashpër dhe të egër. Pasurimi i shpejtë dhe i jashtëzakonshëm nga pushteti, i shoqëruar me korrupsion dhe keqpërdorim të pozitave zyrtare, ka penguar krijimin e agjencive të pavarura që do të ndalonin këto dukuri, të cilat pothuajse janë bërë gjysmë-legale.
Kjo garë dhe luftë e ndyrë mes partive politike për pushtet ngadalëson zhvillimin e shtetit dhe stabilitetin ekonomik, thellon problemet sociale dhe nxit emigrimin e fuqisë punëtore nga vendi. Kur një vend zhbrazet nga njerëzit, shuhet shpresa e të gjithëve për të jetuar dhe zhvilluar vendin e tyre. Kjo po ndodhë me Kosovën, sepse kujdesi shtetëror për resurset njerëzore nuk ekziston, edhe pse duhet të jetë prioritet absolut shtetëror”, përfundoi Hafir Hoxha për “Bota sot”.
Qarri: Realisht dallimet e kohëve të fundit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, janë të përkohshme
Kurse, analisti Gani Qarri, beson se pavarësisht se si mund të shkojnë zhvillimet, Kosova duhet të qëndrojë pranë SHBA-së dhe të mbështesë politikat e saj.
ImageGani QarriFoto galeri
“SHBA janë shteti kryesor në botë, që vendosi për ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë dhe shpëtimin e shqiptarëve të pambrojtur nga gjenocidi dhe shfarosja prej okupatorit serb, SHBA janë vendi i vetëm në krejt globin, që këtë vit e futën Kosovën edhe në Ligjin e Mbrojtjes ushtarake shtetërore, dhe nuk ka asnjë vend tjetër, apo edhe një shembull të vetëm evropian, që kanë futur Kosovën në ligjet e mbrojtjes apo programet e garancive të tyre shtetërore.
Kosova ka vetëm një GARANT-të padiskutueshëm, me të cilin ndihet e sigurt dhe fal mbështetjes së saj mund të mbijetojë si shtet i lirë e vend i pavarur dhe ajo është AMERIKA, për Kosovën dhe shqiptarët, nuk ka GARANT tjetër dhe as një-të dytë, të sinqertë dhe të vendosur-si SHBA!”
Me këtë rast, Qarri rikujtoi ndihmën dhe mbështetjen e madhe që SHBA ia dha Kosovës gjatë luftës së fundit me Serbinë.
Madje, sipas tij, fal SHBA-së Kosova ka shënuar arritjet e saj, në arenën ndërkombëtare, ku na kanë njohur mbi 120 shtete.
Ai këtu, kritioi BE dhe qsjen e saj ndaj Kosovës dhe lëshimet që i ka bërë ndaj Serbisë.
“Në fakt që nga 24 marsi i këtij viti, kur u shënua edhe 27 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake e policore të okupatorit serb, për të ndaluar gjakderdhjen e spastrimin etnik të shqiptarëve të pambrojtur nga trojet e veta shekullore autoktone dhe çlirimin e Kosovës nga Serbia, datë nga e cila për popullin dhe Republikën e Kosovës, ndryshoi përgjithmonë rrjedha e historisë, tanimë po bëhen gati tri dekada që Kosova në vijimësi, gëzon mbështetjen e vazhdueshme pikësëpari të SHBA-ve, e krahas saj edhe të vendeve demokratike perëndimore, si në shtetndërtim ashtu edhe në njohje të reja dhe çuarjen përpara të integrimit ndërkombëtar të shtetit tonë të ri.
Që nga çlirimi, Kosova ka konsoliduar pavarësinë shtetërore, është njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 120 vende anëtare të OKB-së, është pranuar në shumë organizata të rëndësishme botërore dhe ka bërë hapa të mëdhenj në faktorizimin ndërkombëtar të shtetit të pavarur, duke ndërtuar ushtrinë e vet moderne me vendim të SHBA-ve dhe përparuar me hapa të suksesshëm edhe drejt integrimit euro-atlantik, me qëllim që të anëtarësohet sa më shpejtë edhe në NATO.
Krejt këto arritje janë shënuar me mbështetjen e pandërprerë të SHBA-ve dhe shteteve kryesore evropiane që janë pjesë e aleancës më të madhe veriatlantike, e edhe rruga e nisur për anëtarësim të plotë në BE dhe NATO, lidhet shumë ngushtë dhe pashkëputshëm me mbështetjen e SHBA-ve, si dhe disa prej vendeve perëndimore, ngase ka vende evropiane që edhe sot, janë kundër, nuk mbajnë qëndrim miqësor dhe veprojnë kundër avancimit të vendit tonë, duke e kushtëzuar Kosovën edhe më tej, me lëshime të dhembshme ndaj Serbisë fashiste”, shtjelloi Qarri.
Tutje, analisti foli edhe për përplasjet mes SHBA dhe BE dhe asaj nëse mund Kosova të vihet para një zgjedhje mes tyre.
“Sa u takon qëndrimeve aktuale SHBA-BE, SHBA-të kanë arsye të forta të ndihen të frustruara, veçanërisht me ndonjërën nga vendet evropiane, të cilat përveç refuzimit që anijet e tyre ushtarake tu bashkohen anijeve amerikane për zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit, të bllokuar nga Irani, vende si Spanja e së fundi edhe Italia, refuzojnë edhe shfrytëzimin e hapësirave ajrore nga SHBA, për zhvillimet ushtarake në Iran, megjithëse janë pjesë e Aleancës Veriatlantike.
Kosova as që ka pse të bije kaq fort në siklet, nuk është pjesë e çështjes në fjalë, as faktor determinues i zhvillimeve aktuale, një vend që humbi mbi një vit me bllokada institucionale e ngërçe politike dhe as sot e kësaj dite, nuk po arrin ta zgjedh një president për shtet të vetin, dhe rrezikon serish që brenda një viti e gjysmë, të shkojë për herë të pestë në zgjedhje, duke zhgënjyer edhe aleatët më të mëdhenj ndërkombëtar me nivelin e papërgjegjësisë politike”.
Në fund, ai potencoi se, përplasjet SHBA-BE më shumë i sheh si sipërfaqësore, se sa si të thella dhe serioze.
Në këtë pikë, konsideron se këto janë probleme të tejkalueshme globale.
“Realisht dallimet e kohëve të fundit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, janë të përkohshme dhe kanë të bëjnë më tepër me tarifat doganore, e diferenca sipërfaqësore politike, ngase lidhjet e SHBA-ve me Bashkimin Evropian, janë shumë më të thella dhe më të fuqishme, se sa të pretendohet ndërprerja e tyre, për kohë kaq të shkurtër dhe shkak pothuajse dytësor, si lufta me përmasa të kufizuara në Iran, që brenda pak kohësh mund të ndërpritet, për çka edhe po punohet nga shumë faktor.
Probleme të tejkalueshme globale, për faktin e ditur historikisht se të dy luftërat e fundit botërore, shtetet e evropiane i kanë fituar me ndihmën dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejt ushtarake të SHBA-ve, madje SHBA janë edhe ama e Paktit NATO, pa mbështetjen e të cilës, Aleanca Veriatlantike jo vetëm që nuk mund të funksionojë si e tillë, por edhe asnjëra nga shtetet evropiane nuk pretendon as sot, se mund ta mbrojë veten, nga ndonjë agresion i mundshëm rus, e të mos flasim këtu për vendet baltike, që provokohen në vijimësi nga rusët dhe vetëm futja nën ombrellën e NATO-s, ua mbron atyre lirinë nga agresioni i ushtrisë ruse dhe shpëton nga pretendimet okupuese të Vladimir Putinit”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.
