Dekreti i Osmanit shpërndan Kuvendin: Kosova ndërmjet zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe bllokadës kushtetuese
Dështimi i seancës së mbrëmshme për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës ka hapur një kapitull të ri pasigurie në skenën politike të vendit.
Situata u bë edhe më e ndërlikuar pas zhvillimeve të njëpasnjëshme institucionale: fillimisht, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procedurës së ndjekur për zgjedhjen e presidentit dhe kërkoi pezullimin e afatit kushtetues deri në një vendim të gjykatës. Megjithatë, vetëm pak orë më vonë, presidentja Vjosa Osmani vendosi të shpërndajë Kuvendin përmes dekretit, duke i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Këto veprime të shpejta dhe interpretimet e ndryshme mbi afatet kushtetuese kanë krijuar konfuzion edhe në mesin e njohësve të politikës dhe të drejtës kushtetuese.
Disa argumentojnë se Kushtetuta parasheh një afat prej dy muajsh për zgjedhjen e presidentit para se të ndërmerren hapa të tjerë institucionalë, ndërsa të tjerë vlerësojnë se shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve ishte e pashmangshme pas dështimit të procesit.
Kjo mospërputhje interpretimesh po shton dilemat nëse vendi po hyn në një krizë të re politike dhe nëse vendimet e fundit mund të çojnë në bllokada të reja institucionale apo zvarritje të proceseve.
Në këtë kontekst, lind pyetja nëse zhvillimet e fundit ishin të parashikueshme pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe çfarë pasojash mund të ketë kjo situatë për stabilitetin politik të vendit. A do të sjellin zgjedhjet e reja një zgjidhje të qartë politike, apo skena politike rrezikon të përballet sërish me bllokada dhe negociata të gjata për ndërtimin e institucioneve?
Nimani: Mund të ketë ngërç politik dhe vonesë procedurale nëse dekreti i presidentes dërgohet në Kushtetuese
Fillimisht, për këtë temë, foli Artan Nimani, i cili paralajmëroi bllokadë të re politike.
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se dekreti i presidentes pritet të dërgohet në Kushtetuese dhe të shkaktojë vonesë.
ImageArtan NimaniFoto galeri
Megjithatë, si nënvizoi se një gjë e tij nuk mund të ndryshojë afatin për zgjedhjen e presidentetit.
“Po, mund të ketë ngërç politik dhe vonesë procedurale nëse dekreti i presidentes dërgohet në Kushtetuese.
Mirëpo, kjo nuk mund të shtyjë ligjërisht afatin për zgjedhjen e presidentit.
Çdo vonesë do të jetë më shumë rezultat i interpretimit dhe procedurave institucionale sesa një shtyrje e lejuar nga ligji”, u shpreh Artan Nimani për “Bota sot”.
Aliçkaj: Kriza e zgjedhjes së presidentit/es duhet të tejkalohet
Ndërsa, për këtë temë për “Bota sot” foli edhe Agim Aliçkaj, Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
Sipas tij, situata është mjaft e komplikuar dhe se situata për një bllokadë tjetër veçse po rritet.
E një pjesë të fajit për ngërçet dhe bllokadat ia lë Kushtetutës së vendit, që sipas tij ka mjaft çështje të padefinuara dhe lë hapësirë për interpretime të ndryshme.
ImageAgim Aliçkaj, Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.Foto galeri
“Situata e komplikuar e krijuar ditëve të fundit, sidomos pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit/es së vendit, është shqetësuese, e pakuptueshme dhe e rrezikshme. Po rrezikohet funksionimi normal i shtetit dhe mundësia e futjes në një krizë tjetër, pas bllokadës së vitit të kaluar nga ana e opozitës. Autoriteti ndërkombëtar i Kosovës mund të dëmtohet.
Në vend që të merremi me ballafaqimin ndaj armikut shekullor serb, me zhvillimin dhe forcimin e shtetit, ne po merremi me njëri-tjetrin. Niveli i diskursit politik ka rënë në pikën më të ulët.
Arsyeja kryesore e pothuajse të gjitha krizave politike në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, lidhet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e imponuar nga komuniteti ndërkombëtar, e cila ka mjaft çështje të padefinuara qartë dhe zbrazëtira që lënë vend për interpretime të ndryshme, por edhe për keqinterpretime dhe keqpërdorime”.
Për këtë, Aliçkaj potencoi se zgjedhja e presidentit nuk do duhej të ishte gjë e vështirë për LVV pas fitores së madhe prej 51 për qind.
Mirëpo, ai për moszgjedhjen e presidentit e fajësoi opozitën, ku sipas tij kishte kërkesa absurde dhe nuk ishte e gatshme të bashkëpunonte me qeverinë.
“Pas fitores bindëse me më shumë se 51% të Lëvizjes Vetëvendosje, në koalicion me Guxo, Alternativa dhe PSHDK, zgjedhja e Presidentit/es të Republikës së Kosovës do të duhej të ishte gjë e lehtë. Kjo fitore i jep përparësi partisë fituese. Fjalën kryesore për këtë duhet ta ketë Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti. Populli i Kosovës me votë vendosi që ai të jetë i ngarkuar me përgjegjësinë për mbarëvajtjen e shtetit gjatë këtij mandati.
Opozita duhet ta kuptojë se i ka humbur zgjedhjet dhe nuk i takon asnjë grimcë e pushtetit. Ajo duhet të përqendrohet në veprime konstruktive opozitare dhe të ofrojë propozime, programe dhe vlera për marrjen e pushtetit në zgjedhjet e ardhshme. Pretendimi i opozitës se presidenti duhet të vijë nga radhët e tyre për ta kontrolluar qeverinë është absurd. Bashkëpunimi me qeverinë është detyrë dhe obligim parësor i presidentit, jo opozitarizmi.
Natyrisht, presidenti duhet të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive, në interes të shtetit, edhe me opozitën. Kërkesat e opozitës që presidenti të jetë konsensual janë iluzore. Këtë e vërtetoi edhe njëherë mospajtimi me pozitën në takimet e kota dhe bllokimi i parlamentit nga ana e opozitës.
Sa e dhimbshme ishte të shohësh PDK-në, LDK-në dhe AAK-në ta braktisin vendin e punës – parlamentin e shtetit të tyre – bashkë me Listën Serbe”, shtjelloi ai.
Më tej, drejtori i LQSHA-së mbështeti kërkesën e Haxhiut për Kushtetueses, e që sipas saj kërkoi pezullim të afatit për zgjedhje të presidentit, e që vlerëson se mund t’i miratohet kjo kërkesë.
“Për këtë arsye, kërkesa e Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procedurës për zgjedhjen e Presidentit dhe për të vendosur masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues deri në publikimin e aktgjykimit, duke e njoftuar edhe Presidenten Osmani, është plotësisht me vend.
Vërejtjet e opozitës dhe disa juristëve se veprimi i saj e shkel Kushtetutën janë të pavenda. Deputetët e opozitës, bojkotues të parlamentit të Kosovës, janë shkelësit e aktgjykimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, ku kërkohet që deputetët të mos e lëshojnë sallën gjatë votimit. Duhet shpresuar se kësaj radhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të parashohë ndëshkimin e deputetëve bojkotues, duke ua marrë të drejtën e përfaqësimit të popullit”.
Në fund, ai paralajmëroi partitë, se kushdo që konsiderohet si sabotues i zgjedhjes së Presidentit/es do e pësojë në zgjedhjet e ardhshme me dënim me votë nga populli.
“Në bazë të reagimeve të panumërta popullore ditëve të fundit, shihet qartë se shumica absolute e popullit të Kosovës ka preferuar dhe ka shpresuar që Kryeministri Kurti dhe koalicioni i tij, pavarësisht problemeve me opozitën, ta nominojnë për rizgjedhje Presidenten e deritashme, znj. Vjosa Osmani.
Le ta dinë të gjithë – pozita dhe opozita – se kushdo që konsiderohet si sabotues i zgjedhjes së Presidentit/es të Republikës së Kosovës dhe shkaktar i shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, do të dënohet rëndë nga vota e popullit”, përmbylli Agim Aliçkaj për “Bota sot”.
