OPINIONTË FUNDIT

Deklaratat ‘lavdëruese’ të Osmanit për veten nxisin kritika – njohësit zbërthejnë mesazhin që u synua të përcillej!

Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani së fundmi ka zhvilluar një intervistë në një intervistë televizive duke prekur zhvillimet e fundit në vend.

Por, dëshira që mbei e paplotësuar për të pasur edhe një mandate si presidente, reflektoi në të gjitha deklaratat që e njëjta bëri.

Ajo përmendi shumë ngjarje që në opinonin publikë u kritikua, e ndër to ishte edhe sulmi në Banjskë.

Osmani tha se, me ndihmën e Amerikës janë parandaluar plane ogurzeza të Serbisë edhe pas sulmit në Banjska.

Ajo tregoi se kur kishte ndodhur sulmi kishte zhvilluar telefonata në 3 të mëngjesit.

“Ne një shtet e kemi në krah, është Amerika. Kjo është dëshmuar edhe në ditën e Banjskës dhe të gjithë që punojnë në institucione e dinë fort mirë për çka e kam fjalën. Është dëshmuar edhe kur është sulmuar Ibër Lepenci dhe të gjitha institucionet e dinë shumë mirë kënd e kemi thirrë ne në 3 të mëngjesit në telefon, kush na ka dalë në ndihmë e kush na ka mbyllë telefonin”, tha Osmani.

“E dinë institucionet tona që Presidentja e Republikës së Kosovës i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë për të parandaluar plane shumë me ogurzeza që kanë qenë përtej Banjskës, pra nuk ka qenë vetëm Banjska në rrezik..Kemi arritë që në komunikim me Amerikën të parandalojmë plane ogurzeza”, shtoi Osmani.

E duke parë këtë intervistë, a po përdor ish-presidentja Osmani këto deklarata si një mekanizëm mbrojtës për të forcuar imazhin e saj, apo si një përpjekje për të promovuar veten në publik, duke u prezantuar si “viktimë” ose garantuese e sigurisë, për shkak të skepticizmit për një mandat tjetër presidencial?

Berisha: Kosova ka përfituar nga mbështetja e SHBA-së, por pretendimet për kërcënime nuk janë shoqëruar me prova konkrete

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Fidair Berisha.

Eksperti thotë se, Kosova ka pasur sfida të vazhdueshme nga Serbia në arenën ndërkombëtare, por roli i Vjosa Osmani ka qenë i rëndësishëm në përfaqësimin dhe forcimin e diplomacisë së saj.

Ai gjithashtu thekson se, mbështetja e SHBA-së është kyçe për sigurinë e Kosovës, ndërsa deklaratat dhe veprimet e Osmanit synojnë të tregojnë lidership aktiv në kohë krize

“Që nga paslufta e deri më tani, Kosova është përballur me sfida mjaft serioze në politikën e jashtme nga ana e Serbisë , e cila në vazhdimësi ka tentuar ta paraqesë Kosovën sa më keq në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, mund të thuhet se roli i Ish Presedentes Vjosa Osmani ka qenë i rëndësishëm, pasi ajo vazhdimisht ka kontribuar në diplomacinë kosovare, duke e përfaqësuar shtetin në mënyrën më dinjitoze.

Deklarata e Ish Presidentes Vjosa Osmani për rolin e SHBA-se në parandalimin e “planeve ogurzeza” pas sulmit në Banjska duhet parë në disa prizma. Një gjë duhet theksuar se Kosova është pjesë e agjendës së SHBA-ve dhe mbështetet fuqishëm në aspektin e sigurisë.

Ndërsa çështja e telefonatës në orët e hershme është më tepër simbolike. Në rastin konkret, Ish Presidentja po synon të paraqesë një lidership aktiv në momente krize, veçanërisht kur shteti rrezikohet nga Serbia”, u shpreh ai.

ImageFidair BerishaFoto galeri
Ndër të tjera, eksperti shton që deklaratat e Vjosa Osmani për ndihmën e SHBA-së nuk janë mbështetur me prova konkrete, edhe pse roli i saj në diplomaci ka qenë i rëndësishëm.

Ai u shpreh se, përveç kontributit ndërkombëtar, ajo është kritikuar për qasje politike dhe për mungesë uniteti me partitë e tjera.

“Ish-presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se me ndihmën e Amerikës janë parandaluar plane ogurzeza të Serbisë, por për këto pretendime nuk janë ofruar detaje apo fakte konkrete në publik.

Është fakt se Kosova ka nevojë për figura me përvojë ndërkombëtare, sidomos në një kohë kur bota po përballet me tensione dhe konflikte.

Megjithatë, kohëve të fundit po vërehen edhe elemente të viktimizimit politik nga ana e Ish Presidentes Osmani, edhe pse në aspektin ndërkombëtar ajo ka qenë një figurë e rëndësishme në ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike. Po ashtu, pavarësisht kontributit të saj, ajo gjatë mandatit të saj nuk është parë gjithmonë si figurë unifikuese nga subjektet e tjera politike”, përfundoi eksperti i sigurisë, Fidair Berisha për “Bota sot”.

Gashi: Këto deklarata nuk duhen parë vetëm si rikujtim i një momenti krize, por si pjesë e një pozicionimi të kujdesshëm politik

Ndërsa, njohësi për çështje politike, Eduard Gashi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që këto deklarata nuk janë thjesht një kujtim i krizës, por një përpjekje e qëllimshme politike për të ndërtuar një imazh të caktuar.

Ai nënvizon se, theksimi i kontakteve me SHBA-në synon të paraqesë lidershipin si aktiv dhe me ndikim real në sigurinë kombëtare.

“Këto deklarata nuk duhen parë vetëm si rikujtim i një momenti krize, por si pjesë e një pozicionimi të kujdesshëm politik. Duke theksuar kontaktet direkte me qendrat vendimmarrëse amerikane në orët më kritike pas sulmit në Banjskë, synohet të ndërtohet imazhi i një lidershipi që jo vetëm reagon, por ndikon realisht në sigurinë kombëtare”, shprehet ai.

Në fund, njohësi për çështje politike, nënvizon se kjo mënyrë rrëfimi e zhvendos vëmendjen nga problemet e brendshme drejt rolit personal të një lideri në menaxhimin e krizave.

Ai sugjeron se kjo bëhet për të forcuar imazhin dhe autoritetin politik, duke e paraqitur liderin si figurë kyçe për sigurinë dhe për sfidat e ardhshme.

“Në të njëjtën kohë, kjo narrativë e zhvendos fokusin nga debatet e brendshme politike drejt rolit personal në menaxhimin e kërcënimeve shtetërore. Mesazhi që përcillet është i qartë: në momentet më të rënda, ekziston një figurë që ka qasje, besim ndërkombëtar dhe aftësi veprimi.

Prandaj, përtej dimensionit informues, kemi edhe një investim të qartë në kapital politik – forcim të autoritetit publik, konsolidim të profilit si garantuese e sigurisë dhe përgatitje të terrenit për beteja të ardhshme politike”, përfundoi Gashi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *