OPINIONTË FUNDIT

Çështja e Presidentit ende e pazgjidhur, çfarë pritet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Ka kaluar një javë që nga momenti kur presidentja Vjosa Osmani i dërgoi Gjykata Kushtetuese e Kosovës amendamentet që parashohin zgjedhjen e Presidentit të Republikës drejtpërdrejt nga qytetarët me të drejtë vote. Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë ndonjë vendim.

Megjithatë, çështja e postit të presidentit duket se do të mbetet e pazgjidhshme, edhe nëse Gjykata vendos në favor të dekretit të presidentes Osmani për shpalljen e zgjedhjeve të reja. Analistët theksojnë se mënyra aktuale e zgjedhjes së presidentit shpesh nxjerr në pah dobësi institucionale dhe krijon mundësi për bllokada politike

Ata vënë në dukje se kuorumi i lartë për votim, që kërkon prani të dy të tretave të deputetëve, e bën të mundur bojkotin parlamentar si mjet politik të ligjshëm. Po ashtu, shtojnë se edhe ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të zgjidhë problemin pa konsensus të partive. Sipas të dy ekspertëve, debati mbi reforma të mundshme dhe mënyrat më funksionale për zgjedhjen e presidentit mbetet thelbësor për stabilitetin institucional dhe zhvillimin demokratik të Kosovës.

Jakupi: Procedurat për zgjedhjen e presidentit mund të shkaktojnë bllokada institucionale

Analisti politik Zejnullah Jakupi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se mënyra aktuale e zgjedhjes së presidentit shpesh nxjerr dobësi në rregullat procedurale dhe në sistemin politik.

ImageZejnullah JakupiFoto galeri
Ai ka cekur se për të filluar votimi nevojitet prania e dy të tretave të deputetëve, dhe opozita nuk mund të detyrohet të marrë pjesë, pasi deputetët kanë mandat të lirë.

“Çështja e zgjedhjes së presidentit në Kosovë shpesh ka nxjerrë në pah dobësi në rregullat procedurale dhe në mënyrën se si është ndërtuar sistemi politik. Në teori, Kushtetuta synon që presidenti të zgjidhet me një mbështetje të gjerë politike, në mënyrë që ai ose ajo të jetë figurë përfaqësuese e unitetit të shtetit dhe jo vetëm e një shumice të ngushtë partiake. Megjithatë, në praktikë, ky mekanizëm ka krijuar mundësi për bllokadë institucionale, veçanërisht kur opozita vendos të mos marrë pjesë në procesin e votimit.

Në procedurën aktuale të zgjedhjes së presidentit në Kuvendi i Kosovës kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve për të filluar votimi. Kjo do të thotë se nëse një pjesë e deputetëve nuk hyn në sallë, votimi nuk mund të zhvillohet fare. Në këtë situatë, as ligji dhe as ndonjë figurë publike apo analist nuk mund ta detyrojë opozitën të qëndrojë në sallë. Deputetët kanë mandat të lirë dhe kanë të drejtë të vendosin vetë nëse do të marrin pjesë apo jo në një seancë. Kjo e bën bojkotin parlamentar një mjet politik të mundshëm dhe të ligjshëm”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse opozita nuk voton kandidatin e shumicës dhe nuk propozon një kandidat tjetër, procesi mund të bllokohet pa ofruar alternativë, gjë që mund të shihet si presion politik për kompromis përtej peshës reale elektorale.

“Megjithatë, ky mekanizëm ngre një debat të rëndësishëm politik dhe demokratik. Nëse partitë opozitare nuk votojnë kandidatin e shumicës dhe njëkohësisht nuk propozojnë një kandidat të tyre, atëherë krijohet një situatë ku procesi bllokohet pa një alternativë konkrete. Në një sistem demokratik, partitë politike marrin mbështetje nga qytetarët në bazë të votës së tyre elektorale. Kur një parti fiton shumicën relative dhe formon qeverinë, ajo konsiderohet se ka mandatin për të udhëhequr institucionet. Në këtë kuptim, bllokimi i procesit pa paraqitur një zgjidhje tjetër mund të shihet si një formë presioni politik ose si një përpjekje për të imponuar kompromis përtej peshës reale elektorale.

Nga ana tjetër, opozita mund ta arsyetojë bojkotin si një mjet për të detyruar dialog dhe marrëveshje politike. Kushtetuta është ndërtuar pikërisht me idenë që presidenti të mos jetë vetëm produkt i shumicës parlamentare, por një figurë që ka mbështetje më të gjerë. Për këtë arsye, kërkesa për kuorum të lartë synon të nxisë konsensus. Mirëpo, kur polarizimi politik është i madh, ky mekanizëm që synon kompromisin mund të kthehet në një instrument bllokimi”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Jakupi ka vlerësuar se situata tregon dobësi të sistemit institucional, pasi rregullat dhe procedurat aktuale mund ta bllokojnë procesin politik dhe nuk ekziston një mekanizëm i qartë për zhbllokim kur palët nuk arrijnë marrëveshje.

Në përfundim, Jakupi ka thënë se problemi lidhet jo vetëm me sjelljen e partive, por edhe me rregullat e sistemit, prandaj debati për reforma mbetet i rëndësishëm për stabilitetin institucional dhe funksionimin demokratik të shtetit.

“Kjo situatë tregon një dobësi të sistemit institucional, sepse rregullorja dhe procedurat aktuale mund ta ngurtësojnë procesin politik dhe ta bëjnë të vështirë daljen nga kriza. Nuk ekziston një mekanizëm i qartë që e zhbllokon automatikisht situatën kur palët nuk arrijnë marrëveshje. Si rezultat, vendi mund të përballet me tensione të vazhdueshme politike dhe me rrezikun e krizave institucionale.

Për këtë arsye, shumë juristë dhe analistë në Kosovë kanë propozuar ndryshime të mundshme në sistem. Disa sugjerojnë uljen e kuorumit për zgjedhjen e presidentit, të tjerë propozojnë zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli, ndërsa disa mendojnë se votimi duhet të zhvillohet edhe pa kushtin e pranisë së dy të tretave të deputetëve. Qëllimi i këtyre ideve është të shmanget bllokada institucionale dhe të krijohet një mekanizëm më funksional për zgjedhjen e presidentit.

Në përfundim, problemi nuk lidhet vetëm me sjelljen e partive politike, por edhe me mënyrën se si janë ndërtuar rregullat e sistemit. Kur rregullorja dhe procedurat krijojnë mundësi për bllokadë pa një rrugë të qartë zgjidhjeje, atëherë sistemi politik rrezikon të mbetet i ngërthyer në kriza të përsëritura. Prandaj debati për reformimin e këtyre rregullave mbetet i rëndësishëm për stabilitetin institucional dhe funksionimin demokratik të shtetit në Kosovë”, ka përmbyllur Jakupi.

Në favor të kujdoqoftë Kushtetuta, zgjedhja e presidentit mbetët e njëjtë

Ndërkaq, opinionisti Dedë Preqi ka vlerësuar se edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të njërës palë dhe shpallen zgjedhje të reja, çështja e zgjedhjes së presidentit do mbetet e njëjtë.

Sipas tij, për të shmangur krizën politike dhe institucionale, duhet konsensus i përbashkët midis partive.

“Edhe nëse Gjykata Kushtetuese, do jetë në favor të njërës palë apo tjetrës, dhe do shpallen zgjedhjet e reja, çështja e presidentit/ës, do mbetët e njëjtë, në kuptimin e asaj që do duhej gjithsesi të gjindet një konsensus i përbashkët në mes partive politike, në mënyrë që të mos ketë krizë të vazhdueshme politike dhe institucionale.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit-ës, Kosova do të ketë në mënyrë të vazhdueshme të njëjtat probleme, kur dihet se si Republikë parlamentare do duhej gjithherë të vazhdoi sipas ligjit të Kushtetutës së këtij vendi, që zgjedhja presidentit të arrihet përmes 2/3 e votave të deputetëve, që duhet të jenë në Kuvend.

Prandaj, kjo çështje do të shtrojë gjithherë debate politike për një rrugëzgjidhje, sepse do të ketë të njëjtat probleme për deri sa do e gjen një rrugëdalje, duke e ndërruar Kushtetutën, që presidenti, ose presidentja të zgjedhet drejt për së drejti nga vota e popullit”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se situata aktuale në Kosovë nuk është skandaloze, sepse probleme të tilla ndodhin në vendet demokratike, dhe Kosova, si shtet i ri, has vështirësi gjatë zhvillimit politik dhe ekonomik.

“Është më rëndësi të merret parasysh se miratimi i amendamenteve për ndryshimin e këtij ligji për zgjedhjen e presidentit-es, nga vota e popullit, nuk mund të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit, por prej një periudhe pas 6 mujore, pas miratimit në Kuvend, për të qenë e plotfuqishme dhe në zbatimin e saj në praktikë.

Ajo që po ndodh sot në Kosovë, nuk është edhe aq skandaloze, që po paraqitet dhe alarmohet në mediume të ndryshme, sepse gjithkund në vendet demokratike lindin probleme të tilla, por Kosova, si një vend i po sa dalur nga pushtuesi shekullor, e ka të vështirë të drejtojë lokomotivën e saj pa hasur në pengesa gjatë rrugëtimit të vet politik dhe ekonomik.

Dhe shkuarja në zgjedhje të reja, Kosovës dhe popullit të këtij vendi do ti kushtonte shumë, si nga aspekti financiar, poashtu edhe institucional, dhe kjo formë nuk do të sigurojë zgjedhjen e problemeve, poashtu edhe zgjidhjen e zgjedhjes së presidentit-es, për deri sa vetë natyra e Kushtetutës së këtij vendi funksionon në këtë mënyrë”, ka theksuar ai.

Në fund, Preqi ka shtuar se zgjidhjet nuk mund të jenë të menjëhershme, por koha do të tregojë rrjedhën e duhur dhe karakterin e vërtetë të shtetit të ri të Kosovës, pa krijuar iluzione utopike tek qytetarët.

“Në Kosovë, sipas këtij realiteti që ekziston në mes partive politike, pozitë dhe opozitë, sikur diçka në mes tyre nuk është e qartë dhe në rregull, sidomos kur bëhet fjalë për çështje madhore, siç janë mirëqenia e popullit të këtij vendi dhe funksionimi i institucioneve të shtetit, si baza themelore e një strukture njerëzore, që të arrijë zhvillimin e qenies së vet dhe veprimtarisë së plotë në shoqëri.

Dhe domethënia e gjithë kësaj, secilës nuk mund ti vëjmë menjëherë një pikë përfundimtare, por koha do të mbërrin në rrjedhojat e saj të konsiderueshme, dhe e përcakton karakterin autentik të këtij rrugëtimi të shtetit të ri të Kosovës, pa e krijuar idenë se nga njëherë po thurim utopira dhe moralizma; te fakti se gjithë kjo shpreh një ndjesi që bulëzon ndër të gjithë popullin e këtij vendi”, ka përfunduar Preqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *