OPINIONTË FUNDIT

“Bojkotimi i institucioneve është bojkotim i atdheut” – Deklarata e fortë e Gecit

Veprimtari Halil Geci ka reaguar ashpër ndaj bllokadës institucionale në Kosovë, duke e cilësuar bojkotin njëvjeçar të opozitës si “bojkotim të vetë atdheut”.

Ai thekson se në një kohë krizash globale dhe rrezikesh të shtuara nga Serbia, vendi ka nevojë për unitet dhe funksionim të plotë të institucioneve.

Sipas Gecit, mbajtja peng e zgjedhjes së Presidentit dhe paralizimi i institucioneve dëmton interesin shtetëror, ul besimin e aleatëve ndërkombëtarë dhe e paraqet Kosovën si shtet jofunksional.

Ai kërkon reflektim politik, kompromis dhe përgjegjësi shtetërore, duke theksuar se qytetarët presin zgjidhje dhe jo bojkot të Parlamentit.

Shkrimi i plotë i Halil Gecit:

BOJKOTI I OPOZITËS ËSHTË BOJKOTIM I ATDHEUT – QYTETARËT KËRKOJNË ZGJIDHJE, JO IKJE NGA PARLAMENTI

Kur bota është në flakë, opozita në Kosovë mban të bllokuar shtetin

Kriza globale, rreziku nga Serbia dhe bllokada njëvjeçare po dobësojnë Kosovën

Krizat institucionale, shpërqendrimi global nga Lindja e Mesme dhe veprimet destabilizuese po e shtyjnë Kosovën drejt një momenti kritik. Në kohën kur shteti ka më së shumti nevojë për unitet dhe përgjegjësi, skena politike ofron vetëm përçarje dhe bllokadë. Funksionaliteti shtetëror dhe mençuria politike nuk janë luks, por domosdoshmëri për mbijetesën e shtetit.

Megjithatë, Kosova vazhdon të mbahet peng nga një bojkot opozitar njëvjeçar, që ka paralizuar institucionet dhe funksionimin e shtetit, vetëm sepse verdikti i qytetarëve nuk u ka pëlqyer disa subjekteve politike. Kjo nuk është debat politik – është pengim i qëllimshëm i shtetit dhe interesit publik.

Kualicioni fitues VV-GUXO–PSDHK–Alternativa ka marrë mbi 60% të votave, por institucionet mbahen peng nga një opozitë që refuzon kompromisin në çështje jetike, si zgjedhja e presidentit. Pyetja është e thjeshtë, por tragjike: A duhet të mbahet peng një shtet i tërë vetëm për interesa partiake egoiste?

Konfliktet në Lindjen e Mesme kanë zhvendosur vëmendjen e fuqive të mëdha larg Ballkanit, duke krijuar një vakum ndërkombëtar, hapësirë që Serbia po e shfrytëzon për të testuar dobësitë e brendshme të Kosovës, me diplomaci, siguri dhe propagandë. Kosova nuk mund të lejojë që përçarja brenda saj të bëhet vegël destabilizimi.

Bllokimi institucional ka pasoja të rënda: izolim diplomatik i heshtur, humbje besimi dhe mbështetjeje nga aleatët ndërkombëtarë. Serbia shfaqet si “faktor stabiliteti”, ndërsa Kosova si “problem politik”. Një shtet që duket jofunksional humb mbrojtjen dhe përkrahjen e miqve.

Zgjedhja e Presidentit – testi i përgjegjësisë shtetërore

Qytetarët nuk presin fitore partiake, por reflektim politik dhe përgjegjësi shtetërore. Presidenti duhet të zgjidhet jo kur opozita ndihet fituese, por kur shteti ka nevojë për funksionim. Krizat nuk zgjidhen me inat politik, por me kompromis shtetëror. Shteti është mbi partitë.

Populli kërkon respekt për votën, unitet minimal për çështjet e sigurisë, dakordim për politikën e jashtme dhe përgjegjësi në dialogun me Serbinë. Ai kërkon pjekuri politike dhe shtetërore, jo bashkim artificial. Kosova duhet të tregojë se është faktor stabiliteti, jo burim krize, me koordinim të brendshëm dhe aktivizim diplomatik intensiv me SHBA, BE dhe NATO.

Kosova nuk është e humbur, por ndodhet në një moment delikat. Historia na mëson se shtetet nuk bien vetëm nga armiku, por nga paaftësia për t’u bashkuar në momentet kyçe.

Sot, qytetarët që ju dhanë votën kërkojnë bashkim dhe zgjidhje të krizës për zgjedhjen e presidentit, jo ikje dhe bojkot të institucioneve. Votat e qytetarëve nuk janë për t’u përdorur si mjet presioni. Ikja nga parlamenti dhe bojkotimi i punës institucionale është bojkotim i vetë atdheut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *