Blerja e raketave kineze nga Serbia trondit rajonin – ekspertët kërkojnë reagim të NATO-s dhe BE-së
Sistemi kinez FK-3 gjatë prezantimit të aftësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në aeroportin e Batajnicës, pranë Beogradit. Prill 2022.Racaj: Është e arsyeshme që NATO, Bashkimi Evropian dhe partnerët strategjikë të rajonit ta analizojnë me kujdes këtë zhvillimBerisha: Në planin afatshkurtër ushtarak, kjo armatosje nuk paraqet domosdoshmërisht një rrezik të menjëhershëm
Kina po vazhdon tentimin ta fuqizojë shtetin gjenocidal serbë, duke e pajisur me armatim të rëndë. Së fundi, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike CM-400 nga Kina. Me këtë blerje, Serbia u bë vendi i parë, pas Pakistanit, që siguroi nga Kina këto raketa me fuqi të madhe shkatërruese.
Mirëpo, pas këtij veprimi, ka reaguar kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, i cili ka thënë se vendi i tij, anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s – do të flasë me aleatët e tij për këtë çështje. Ai tha se nuk pret që “posedimi i një arme kaq serioze, në asnjë variant, të përdoret kundër vendeve fqinje – Kroacisë apo ndonjë tjetri”.
Ndërsa deri më tani nuk ka pasur reagime të tjera nga ndërkombëtarët për këtë bashkëpunim serbo-kinez.
A do duhej të kishte reagim të akterëve ndërkombëtarë pas kësaj lëvizje nga Serbia dhe bashkëpunimit të saj me Kinën? Sa rrezikohet siguria në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, nga kjo blerje dhe çfarë hapash duhet të ndërmerren nga institucionet tona?
E lidhur me këtë ҫështje kanë folur për ‘Bota sot’ njohësit e fushës së sigurisë.
Racaj: Stabiliteti i Ballkanit nuk mund të garantohet vetëm përmes armatimit, por përmes bashkëpunimit rajonal, transparencës ushtarake dhe angazhimit të fortë të aleancave euroatlantike
Kështu, gjeneral major, Muhamet Racaj vlerëson se, blerja e raketave balistike supersonike CM-400 nga Serbia nga Republika Popullore e Kinës përfaqëson një zhvillim serioz në aspektin e balancës ushtarake në Ballkan.
“Këto sisteme raketore janë armë me karakter të qartë ofanziv, të dizajnuara për goditje të shpejta dhe precize ndaj objektivave strategjikë në distanca të mëdha, si baza ushtarake, aeroporte dhe infrastrukturë kritike.
Përveç kësaj, Ushtria e Serbisë tashmë po zhvillon edhe sisteme të avancuara si “Sumadija/Vila”, të cilat përdorin raketa balistike Jerina-1 me rreze veprimi deri në rreth 300 kilometra, si dhe sisteme moderne të shumëfishta të raketave PULS me kapacitete të ngjashme taktike. Kombinimi i këtyre platformave krijon një kapacitet të integruar goditës, i cili tejkalon dukshëm kapacitetet raketore të shumicës së shteteve të Ballkanit Perëndimor”, vlerëson Racaj.
ImageGjeneral major, Muhamet RacajFoto galeri
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” thotë se, në këtë kontekst, reagimi i Kroacisë dhe shqetësimi i aleatëve në NATO është i kuptueshëm, sepse përfshirja e Kinës në armatimin strategjik të Serbisë mund të ndikojë në ekuilibrin e sigurisë rajonale.
“Prandaj, është e arsyeshme që NATO, Bashkimi Evropian dhe partnerët strategjikë të rajonit ta analizojnë me kujdes këtë zhvillim dhe të monitorojnë implikimet e tij në stabilitetin e Ballkanit.
Për Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit, këto zhvillime nuk duhet të interpretohen vetëm si çështje teknike të armatimit, por si pjesë e një dinamike më të gjerë të garës së armatimit dhe projeksionit të fuqisë ushtarake”, thekson ai.
Sipas tij, për këtë arsye, institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë forcimin e bashkëpunimit me NATO-n, modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe zhvillimin e sistemeve të inteligjencës dhe mbrojtjes ajrore, në mënyrë që të ruhet balanca strategjike dhe stabiliteti në rajon.
“Në fund, stabiliteti i Ballkanit nuk mund të garantohet vetëm përmes armatimit, por përmes bashkëpunimit rajonal, transparencës ushtarake dhe angazhimit të fortë të aleancave euroatlantike, të cilat mbeten garantuesi”, thotë gjenerali Racaj për ‘Bota sot’.
Berisha: Ballkani ka qenë një rajon i ndjeshëm ndaj garës së armatimit
ImageFidair Berisha.Foto galeri
Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe eksperti i sigurisë, Fidair Berisha. Ai vlerëson se, reagimi i kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq është i arsyeshëm, pasi Kroacia është anëtare e NATO-s, ndërkohë që armatosja e Serbisë me kapacitete të tilla raketore mund të shihet si një kërcënim potencial për sigurinë e rajonit.
“Serbia në vazhdimësi po investon në armatim modern, fakt që nuk duhet neglizhuar, duke pasur parasysh se ajo po forcon kapacitetet e saj ushtarake dhe po synon të rrisë ndikimin në rajon. Në këtë kontekst, Serbia shihet se ka një bashkëpunim të ngushtë me Kinën dhe Rusinë, ndërsa njëkohësisht po tregon ambicie për të qenë një fuqi ushtarake dominuese në Ballkan. Rritja e balancës ushtarake të Serbisë mund të ndikojë në ndryshimin e nivelit të sigurisë në rajon”, thotë Berisha.
Ai nënvizoi se, në të njëjtën kohë, Serbia po investon shumë edhe në diplomacinë e saj, duke u përpjekur të ruajë marrëdhënie të mira edhe me vendet perëndimore.
“Konfirmimi nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuҫiҫ, se Serbia ka blerë raketa supersonike CM-400 nga Kina, është vazhdimësi e strategjisë së saj për të rritur kapacitetet ushtarake dhe për të forcuar pozicionin në Ballkan. Megjithatë, në planin afatshkurtër ushtarak, kjo armatosje nuk paraqet domosdoshmërisht një rrezik të menjëhershëm. Por, duke marrë parasysh politikën dhe strategjinë e deritanishme të Serbisë, rreziku potencial nuk mund të përjashtohet plotësisht”.
“Dihet se historikisht, Ballkani ka qenë një rajon i ndjeshëm ndaj garës së armatimit. Për këtë arsye, stabiliteti i rajonit mund të ndikohet nga rritja e armatimit dhe nga bashkëpunimet ushtarake që zhvillohen jashtë kornizave tradicionale të sigurisë evropiane. Ndikimi i Kinës në Evropë dhe bashkëpunimi ushtarak mes Serbisë dhe Kinës duhet të vëzhgohet me kujdes nga Bashkimi Evropian dhe NATO”, thotë ai.
Ndër të tjera, eksperti Berisha potencoi se, sa i përket institucioneve të Kosovës, kërkohet ndërmarrja e disa hapave të rëndësishëm në rrafshin ndërkombëtar.
“Fillimisht, nevojitet një diplomaci më proaktive, si dhe bashkëpunim dhe koordinim i vazhdueshëm me ShBA-në dhe partnerët në NATO, duke informuar vazhdimisht aleatët për zhvillimet në rajon. Në planin e brendshëm të sigurisë është e domosdoshme vazhdimi i forcimit të kapaciteteve mbrojtëse përmes zhvillimit të mëtejshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë dhe strukturave të inteligjencës”, përfundoi Fidair Berisha për “Bota sot”.
