BE paralajmëroi Serbinë / Ekstradimi i Radoiçiqit, çelësi për Kosovën dhe Ballkani
Parlamenti Evropian i ka kërkuar Serbisë ndjekje penale të Milan Radoiçiqit për sulmin në Banjskë.
Dokumenti, thekson se Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë plotësisht për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij sulmi, duke përfshirë veçanërisht Milan Radoiçiq, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili sipas raportit ende nuk është ndjekur penalisht nga autoritetet serbe.
Po ashtu, Parlamenti Evropian shpreh keqardhje për këtë mangësi dhe e paraqet si një pengesë serioze në përparimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Raporti mes të tjerash, thekson rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si element kyç për perspektivën evropiane të Beogradit.
Kjo kërkesë e Bashkimit Evropian erdhi një vit e gjysëm pasi ndodhi sulmi terrorist në Banjskë, saktësisht më 24 shtator të vitit 2023. Në këtë sulm të organizuar serb, mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.
Por, si vlerësohet kjo kërkesë e Bashkimit Evropian për dorëzimin e Radoiqiqit? A mund të jetë bashkëpunuese Serbia në këtë drejtim?
Njohësit e sigurisë kanë komentuar këtë kërkesë të BE-së, duke dhënë qëndrimet e tyre se sa bashkëpunuese mund të jetë edhe Serbia në këtë rast.
Mosndjekja penale për sulmin në Banjskë shihet si sinjal alarmi për stabilitetin e Ballkanit dhe lidhjet mes politikës, krimit dhe strukturave paramilitare
Kështu, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi thekson se, kërkesa e Parlamenti Evropian që autoritetet në Serbi të ndërmarrin ndjekje penale ndaj Milan Radoiҫiqit për rolin e tij në sulmin në Banjskë nuk është thjesht një rekomandim politik.
“Në thelb, ajo përfaqëson një test strategjik për besueshmërinë e Serbisë përballë Bashkimit Evropian dhe për arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Nga perspektiva e sigurisë rajonale, sulmi në Banjskë ishte një operacion i mirëorganizuar paramilitar, i cili përfshinte armatim të rëndë, koordinim logjistik dhe një nivel të lartë planifikimi. Ngjarje të tilla nuk mund të konsiderohen incidente spontane lokale, por aksione që mbartin potencial destabilizues për gjithë rajonin”, vlerëson Elezi.
ImageBedri EleziFoto galeri
Ai thotë se, në këtë kontekst, fakti që figura kyçe si Milan Radoiçiq vazhdon të mos përballet me një proces të plotë penal krijon një problem serioz për besueshmërinë e institucioneve në Serbi.
“Nëse një person i identifikuar publikisht si organizator i një aksioni të armatosur kundër rendit dhe sigurisë në rajon nuk ndiqet penalisht, kjo krijon përshtypjen se ekziston një zonë gri midis strukturave politike, grupeve kriminale dhe elementeve paramilitare. Pikërisht për këtë arsye, kërkesa e Parlamentit Evropian duhet parë si një mesazh paralajmërues strategjik: stabiliteti i Ballkanit nuk mund të ndërtohet nëse strukturat e armatosura joformale tolerohen ose mbrohen politikisht.
Nëse Serbia zgjedh të mos veprojë në mënyrë të qartë dhe transparente ndaj këtij rasti, kjo do të interpretohet jo vetëm si mungesë vullneti juridik, por edhe si indikacion i një problemi më të thellë strukturor në raportin mes politikës, sigurisë dhe rrjeteve të ndikimit në veri të Kosovës”, thotë ai.
Eksperti Elezi thotë se, në aspektin gjeopolitik, mosndëshkimi i autorëve të një sulmi të tillë rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm në rajon.
“Ai mund të inkurajojë aktorë të tjerë që të përdorin metoda hibride të destabilizimit, përmes grupeve të armatosura jozyrtare, operacioneve të ndërmjetme dhe presionit të sigurisë. Prandaj, çështja e Milan Radoiçiqit nuk është thjesht një proces penal ndaj një individi. Ajo është një provë e drejtpërdrejtë nëse Serbia është e gatshme të distancohet realisht nga strukturat që përdorin dhunën si instrument politik në rajon.
Nëse kjo përgjegjësi nuk materializohet përmes veprimeve konkrete ligjore, atëherë mesazhi që dërgohet në rajon është jashtëzakonisht problematik: se dhuna e organizuar mund të përdoret si mjet politik pa pasoja reale”, thotë Elezi për ‘Bota sot’.
Eksperti austriak kërkon integrim të përshpejtuar të Kosovës në institucionet evropiane dhe transatlantike pas sulmit terrorist në Banjskë
Kurse, eksperti austriak për Ballkanin dhe kryetari i Komitetit Austriak për Zgjerimin e NATO-s, Gunther Fehlinger, vlerëson se kërkesa e Parlamentit Evropian që Serbia të ndjekë penalisht dhe të ekstradojë Milan Radoiçiq për sulmin terrorist në Manastirin e Banjskës është e drejtë dhe e vonuar.
ImageGunther FehlingerFoto galeri
“Thirrja e Parlamentit Evropian që Serbia të ndjekë penalisht dhe të ekstradojë Milan Radoiçiq për sulmin terrorist në Manastirin e Banjskës është e saktë, e justifikuar dhe shumë e vonuar,” theksoi Fehlinger.
Sipas tij, sulmi në Banjskë nuk ishte një incident i zakonshëm, por një akt i rëndë kundër sovranitetit të Kosovës.
“Sulmi në Banjskë nuk ishte një incident i vogël — ishte një sulm terrorist ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës, i kryer nga militantë të armatosur të lidhur me struktura të mbështetura nga Serbia,” u shpreh ai.
Fehlinger potencon se fakti që Milan Radoiçiq ka pranuar përfshirjen, por vazhdon të mbrohet në Serbi, është i papranueshëm për një shtet që synon integrimin evropian.
“Është e papranueshme që një person i përfshirë në një sulm të tillë të vazhdojë të gëzojë mbrojtje në një vend që pretendon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian,” tha ai.
Eksperti austriak kërkon që Bashkimi Evropian të kalojë nga deklaratat në veprime konkrete.
“Të gjitha negociatat e anëtarësimit të BE-së me Serbinë duhet të ngrihen menjëherë derisa Milan Radoiçiq të ekstradohet në Kosovë dhe të përballet me drejtësinë,” deklaroi Fehlinger.
Ai shtoi se asnjë vend kandidat nuk mund të negociojë në mënyrë të besueshme anëtarësimin në BE, ndërkohë që strehon një person përgjegjës për një sulm terrorist kundër një shteti fqinj demokratik.
Në të njëjtën kohë, Fehlinger kërkon që komuniteti ndërkombëtar t’i dërgojë një sinjal pozitiv Kosovës.
“Ndërsa Serbia pengon drejtësinë, Kosova duhet të integrohet me shpejtësi në institucionet kryesore evropiane dhe transatlantike,” u shpreh ai.
Sipas tij, gjatë vitit 2026 Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Evropës, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të përgatisë një rrugë të përshpejtuar anëtarësimi që do ta mundësonte hyrjen e Kosovës deri në vitin 2029.
“Një politikë e tillë do të dërgonte mesazhin e duhur në Ballkanin Perëndimor: ata që respektojnë demokracinë, bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare dhe mbrojnë vlerat evropiane ecin përpara,” theksoi ai.
Në të kundërt, sipas Fehlinger, vendet që mbrojnë destabilizimin dhe dhunën do të përballen me pasoja.
“Ngrirja e procesit të anëtarësimit të Serbisë derisa Radoiçiq të ekstradohet, ndërsa përshpejtohet integrimi i Kosovës, do të ishte sinjali më i qartë se Evropa qëndron për drejtësi, siguri dhe sovranitetin e shteteve demokratike,” përfundoi Fehlinger.
