“Bashkëpunimi me Vuçiqin” – Zeqiraj trondit me deklaratat për Edi Ramën
Opinionisti Idriz Zeqiraj ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se po minimizon krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës për t’u afruar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke kritikuar edhe një letër të përbashkët të tyre drejtuar Bashkimit Evropian.
Ai i ka quajtur shpifje pretendimet për përfshirjen e Vjosa Osmani kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se takimet në SHBA ishin pjesë e një agjende zyrtare dhe nuk kishin lidhje me politikën e brendshme.
“Edvin Ramën nuk e pengojnë krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës, për t`u bërë mik e vëlla me Vuçiqin. Letra e përbashkët Rama-Vuçiq, dërguar Komisionit Evropian për Integrim, shpërfillë jo vetëm Kosovën, por edhe BE-në, sepse ajo ka vënë kushte se nuk ka hyrje në Bashkimin Evropian të Serbisë, pa e zgjidhur çështjen me Kosovën. Prandaj, Rama po bënë çmos për t`i minimizuar krimet makabre të soldateskës serbo-sllave në Kosovë, njëherësh për ta rehabilituar Vuçiqin, si zëdhënës zyrtar i kësaj soldateske.
Në Promovimin e Bordit të Paqes, me ç`rast takuan Presidentin Trump, së bashku me presidenten Vjosë Osmani, gazetarë të prirur për senzacione e bënë Vjosën “bashkëpunëtore me Ramën, në rrezikimin e Qeverisë Kurti!” Marrëzira, sepse në atë kohë Vjosa ishte në pritje të kandidimit nga Kurti për presidente. Dhe, mbi të gjitha, ajo nuk zbret në nivele të tilla. Ajo u akuzua pse e dërgoi Ramën ke Trumpi!? Por, kjo nuk mund të besohet.
“Qysh u dorëzua Vjosa Grenellit dhe Ramës, kundër Kurtit”, shpifin horrakë e zuzarë? Këto janë llafe kafeneshë dhe shpifje të turpshme. Takimet në Amerikë ishin agjendë e organizuar nga administrata amerikane dhe nuk kishin asnjë lidhe me Albin Kurtin”, ka thënë ai.
ImageIdriz ZeqirajFoto galeri
Më tej, Zeqiraj ka potencuar se gjatë takimit në “Bordin e Paqës” me Donald Trump, Rama i kërkoi ndërhyrje për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ai ka theksuar se deklaratat e Ramës nuk morën asnjë reagim nga Trump.
“Momenti solli takimin bisedor të Vjosës dhe Ramës me presidentin Trump. Rama bëri një ndërhyrje larg standardit të kryeministrit dhe sikur të ishte në kishë apo xhami, filloi tiradën e tij lutëse, duke i kërkuar presidentit Trump “të ndërhyjë për lirimin e grupit të Ndërmarrjes të Përbashkët Kriminale”: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kryesisht, vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë, gjatë dhe pas Luftës të Kosovës.
Kryeministri Rama, i turpëruar, me fund, akuzoi Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, Prokurorin John Smith dhe Evropën, “për shkelje të Drejtësisë me akuza të rreme”, duke marrë rolin e gjykatësit, duke i shpallur të pafajshëm të akuzuarit në grup!
Rama “harroi” krimet serike dhe numerike të vrasjeve të ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; veprimtarët e LDK-së; gazetarët e kombëtares të “Bota Sot” të Vëllezërve Mazrekaj, veprimtarët e hershëm të LPK-së, duke u bërë amnistues i paautorizuar të krimit dhe të kriminelëve!
Vëmendja e Trump, për vajtimin e Ramës, nëse shëbehemi me një shprehje popullore, paksa pezhorative, “pordhi kali në derë të Hanit!” Asnjë reagim për marrëzirat e një sadisti gjakftohtë, i cili shkeli mbi kufomat, për ta forcuar miqësinë me aleatët e tij mostrum në PAN-in kriminal në Kosovë”, ka vlerësuar ai.
Po ashtu, Zeqiraj ka shtruar disa kërkesa që, sipas tij, Edi Rama duhej t’ia parashtronte presidentit Trump: si kundërshtimin e Asociacionit të komunave serbe, sigurimin e njohjeve nga 5 vendet e BE-së, përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, rritjen e rolit të SHBA-së në dialogun Kosovë–Serbi dhe avancimin e statusit të Kosovës drejt BE-së.
“Por, shtrohet pyetja: Çfarë duhej t`i kërkonte kryeministri shqiptar presidentit amerikan, në atë takim fort të përshtatshëm, për të qarë hallet e Kosovës të sotme:
1) Asociacioni për komunat me shumicë serbe është – kancer i Kosovës -. Shembull: Asociacioni i komunave serbe në Bosnje-Hercegovinë, bllokimi i shtetit boshnjak, kërcënimi për ndarje të çdo kohshme. Dhe, vetëm presidenti Trump e detyroi kriminelin Dodik, ta stopojë veprimtarinë kriminale të tij. Pse të kërkohet një asociacion ndryshe nga ai që është në Kosovë;
2) T`i kërkojë presidentit Trump ta përdorë autoritetin e tij tek 5 (pesë) vendet evropiane, për ta njohur pavarësinë e Kosovës, duke lartësuar kriterin bazë për anëtarësimin në NATO;
3) T`i kërkojë anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO, duke ia pamundësuar dhe dështuar orekset e Serbisë provokimet apo edhe sulmet ndaj Kosovës;
4) Kërkimin e përfshirjes të SHBA-së, për çështjet e mbetura pezull në relacionin Kosovë-Serbi, për shkak të burokracisë të BE-së, e dominuar nga miqtë e Serbisë;
5) Të ndihmojë përshpejtimin e bërjes kandidate të Kosovës për në BE;”, ka cilësuar Zeqiraj.
Zeqiraj ka shtuar se Rama e pengoi Osmanin të kërkonte mbështetje nga Trump për Kosovën.
Ai ka theksuar se Osmani ka kërkuar rol më të madh të SHBA-së në dialog dhe ka kritikuar emisarin e BE-së Miroslav Lajçak.
“Dhe, po të mos e bllokonte Rama, me përrallisjet e tij për të burgosurit e Hagës, Vjosa do të kërkonte pikërisht ndihmën e presidentit Trump. Ajo ishte ngulmuese që të mos vazhdohet dialogu me Përfaqësuesit e BE-së. Ajo sulmoi hapur dhe ashpër sllovakun Lajçak si argat Serbisë. E tha në Prishtinë dhe e përsëriti edhe në Amerikë, që SHBA duhet t`i prijë dhe ta përmbyllë procesin e dialogimit pë Kosovën.
Prandaj e parë në prizmin e interesit shtetëror, Vjosë Osmani duhej ta vazhdonte, të paktën, edhe për një mandat funksionin presidencial. Të gjitha sulmet dhe akuzat, tashme, janë shpifje qëllimkëqija. Madje ka edhe akuza paushalle se “presidentja shkeli Kushtetutën me shpërndarjen e Kuvendit”, është gënjeshtër e radhës. Helenët e lashtë kanë një proverb: “Bëri miza prapanicë dhe ndyu dynjanë!”
Realisht, presidentja Vjosë bëri detyrën, duke e shpërndarë Parlamentin, sepse ishin orët e fundit të skadimit të afatit ligjor, pas dështimit të zgjedhjes të Presidentit të Kosovës. Këtë e thotë edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
I pyetur pse të kundërtën e thotë një koleg i juaji, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese?
Kryeziu sqaron se ne gjuhën juridike quhen “përralla juridike”, që bëhet për inate personale.
Presidentja Osmani është bollshëm e shkolluar, për moshën e re që ka, me përvojë dhe përgatitje akademike solide, ka konsultuar në detaje Kushtetutën. Dhe, vendimi i drejtë ka qenë shpërndarja e Kuvendit, pikërisht, në kohën e duhur, për t`i ikur shkeljes të Kushtetutës”, ka cekur Zeqiraj.
Ai ka komentuar edhe raportimet se Rama i ka ndaluar hyrjen në Shqipëri zëvendëskryeministres dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke e vlerësuar këtë si një veprim të paligjshëm dhe një akt hakmarrjeje personale.
Në vijim, Zeqiraj sjell edhe historikun e familjes Gërvalla dhe aktivitetin e Donikës, duke përfunduar se qasja e Ramës ka krijuar tensione të panevojshme mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Vendimi i kryeministrit shqiptar, Edvin Rama, për ndalimin e hyrjes në Shqipëri të Donikë Gërvallës, është rast skandaloz, unik dhe shkelje e rëndë ligjore, sepse është edhe shtetase shqiptare dhe ka rregulla strikte juridike, që përjashtojnë vendimet arbitrare, qoftë edhe të kryeministrit të vendit. Kjo ishte një hakmarrje tipike personale, sepse denoncon dhe e konfirmon tradhtinë e përsëritur të Ramës kundër Kosovës.
Miku im i rinisë dhe i Shkollës së Mesme, Jusuf Gërvalla, babai i Donikë Gërvallës, pati dy korrespondenca politike me shefin e shtetit shqiptar, Enver Hoxha, në vitin 1981. Njëra nga pyetjet bazë ishte: Çfarë mendoni për zgjidhjen e çështjes të Kosovës, respektivisht, për lirinë e saj?
Enver Hoxha: “Çështja e Kosovës do të zgjidhet me fitoren e Revolucionit në shkallë botërore!”
Vizionari Jusuf Gërvalla reagon me pyetjen thumbuese, që kurrë nuk e priste Hoxha i Tiranës: “Po sikur ai Revolucion të mos vijë kurrë?!”
Kjo mjaftoi që letërkëmbimi mes tyre të ndërpritet.
Lakejt e Sigurimit Shqiptar filluan përgjimet dhe provokimet – njëherësh. Jusuf Gërvalla e nuhati rrezikun dhe kërkoi mbrojtjen e shtetit gjerman. Përgjigja e ministrit të Brendshëm gjerman ishte: “Ligji nuk e parashikon mbrojtjen e të huajve në Gjermani!”
Logjistika për ekzekutimin e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, u përgatitë nga shqipfolësit kosovarë, hafije të Sigurimit hoxhist, i cili dinë mjaftueshëm për rastin në fjalë.
Pas ekzekutimit të Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, Familja Gërvalla, për shkaqe sigurie, u largua nga Gjermania për në Shqipëri. Donikë Gërvalla, atëbotë ishte 10 vjeçare. Ajo u rritë dhe u shkollua në Shqipëri. Studimet i bëri në Akademinë e Arteve të Bukura. Ishte aktiviste e rinisë studentore, deri në grevën e njohur të urisë, për heqjen e emrit të diktatorit Hoxha të Universitetit të Tiranës.
Më 1992 largohet për në Gjermani dhe fillon një fakultet të dytë, jurisprudencën në Universitetin e Hamburgut.
Ndërkohë kyçet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Dega në Gjermani, fillimisht, anëtare e Kryesisë dhe pastaj Nënkryetare e saj.
Ndalimi i takimeve normale diplomatike, për ministrën e Drejtësisë, Donikë Gërvallën, nga presioni politik dhe porosia personale e kryeministrit shqiptar, Edvin Rama, krijon një situatë abnormaliteti në mes të Shqipërisë dhe të Kosovës. Madje kjo nuk është sjellja e parë e kryeministrit Rama aspak diplomatike dhe aq më pak vëllazërore.
Megalomania për personalizim vendor dhe ballkanik, e kanë çekuilibruar deri në përmasën e aventurizmit ordiner, jashtë standardit të një pushtetari bashkëkohor”, ka përfunduar Zeqiraj.
