Avokati i Thaçit: Prokuroria nuk paraqet prova që Thaçi të ketë dhënë urdhra
Avokati i Thaçit: Prokuroria nuk paraqet prova që Thaçi të ketë dhënë urdhra
Në deklaratën hyrëse të mbrojtjes para trupit gjykues në Hagë, avokati i ish-presidentit, Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq tha se Prokuroria Speciale nuk paraqet prova që Thaçi të ketë dhënë urdhra ushtarëve të UÇK-së për të kryer krime.
Sipas mbrojtjes, ZPS nuk ka asnjë provë se ka pasur linja të raportimit mes Thaçit dhe njësive të UÇK-së.
“Prokuroria nuk paraqet prova që zotëri Thaçi t’u ketë dhënë urdhra ushtarëve të UÇK-së, apo si anëtar i shtabit të përgjithshëm, apo si kryeministër i kësaj qeverie të përkohshme, po kështu prokuroria nuk ka as prova të linjave të raportimit midis zotëri Thaçi dhe njësive të UÇK-së dhe kryesve. Nëse nuk ka urdhra të tillë dhe linja raportimi nga njësitet e UÇK tek zotëri Thaçi është e paqartë se si mendon prokuroria se mund të vërtetojë se ekziston një marrëdhënie epror-vartës midis zotëri Thaçi dhe kryesve të këtyre krimeve. Mbi të gjitha ishte e qartë që zotëri Thaçi nuk kishte mundësinë materiale për të parandaluar apo ndëshkuar krimet”, tha ai.
Mbrojtja ka prezantuar edhe paraqitjet mediale të Thaçit në kohën kur po qeveriste me Qeverinë e Përkohshme që dëshmonin se ish-presidenti bënte thirrje për tolerancë dhe gjithëpërfshirje etnike.
“Ai është i brengosur për aktet e dhunës kundër serbëve dhe për largimin e serbëve duke thënë se jemi angazhuar që në ditën e parë për të krijuar një shoqëri ku sundon toleranca dhe jo hakmarrja, u kërkojmë serbëve që janë larguar nga Kosova të kthehen dhe të ndihmojnë për ndërtimin e paqes dhe demokracisë dhe respektimin e njëri-tjetrit… Zotëri Thaçi bëri thirrje publike për tolerancë dhe unitet etnik gjatë gjithë verës të vitit 1999”, u shpreh ai.
Mbrojtja e Thaçit më pas ka vazhduar duke hedhur poshtë edhe argumentet e ZPS-së për komunikatat.
Avokati Mishetiq përdori edhe prova nga aktgjykimet e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ).
“Çështja e komunikatave të UÇK-së është diskutuar edhe më përpara edhe në tribunal të tjerë që i kanë rrëzuar përpjekjet e mëhershme të prokurorëve të lidhur motivet kriminale me lëshimin e këtyre komunikatave. Për shembull TPNJ Dhoma pranon komunikatat që shërbenin pjesërisht për qëllime propagandistike dhe citoj vetëm ata që besoheshin dhe ose besohej se kishin lidhje me regjimin serb dhe kjo politikë citoj lidhej me objektiva luftarake të UÇK-së“, theksoi ai.
Avokati Mishetiq tha se Prokuroria Speciale duhet të vërtetojë se ekzistonte konflikti i armatosur deri në shtator të vitit 1999.
“Prokuroria duhet të vërtetojë se ekziston konflikti i armatosur deri në shtator ’99-ës por prokurori i TPNJ-së doli në përfundimin se konflikti i armatosur përfundoi në qershor të ’99-ës dhe për rrjedhojë TPNJ nuk kishte juridiksion për të hetuar krimet që ishin kryer në Kosovë pas muajit qershor 1999… Zotëri Williamson është shprehur se konflikti i armatosur përfundoi -thuhet shprehimisht- në mes të qershor 1999 por mesa duket ZPS paska zbuluar disa prova pa marr parasysh deklaratat e Williamson nga kjo periudhë e deri kur dorëzoi aktakuzën paska zbuluar prova që qenkan kaq bindëse se ka ekzistuar një konflikt i armatosur pas qershorit ’99-ës sa që ju si trup gjykues do ta shihni dhe do të dilni në përfundim se nuk janë prova të arsyeshme sepse konflikti i armatosur nuk ekzistoi pas qershorit ’99-të. Dhe kjo është konstatuar nga dy prokurorë ndërkombëtarë”, theksoi ai.
Derisa ka cituar disa vendime të Tribunalit, mbrojtja e Thaçit deklaroi se këto vendime kishin vërtetuar se nuk kishte sulm sistematik ndaj civilëve serbë e shqiptarë në Kosovë.
Sipas avokatit Mishetiq, nëse Prokuroria nuk arrin që të vërtetojë se ka pasur sulm të zgjeruar dhe sistematik kundër popullatës civile, bien 6 pikat e aktakuzës.
“6 nga 10 pikat e Prokurorisë janë për krimet kundër njerëzimit për të vërtetuar këto pika prokuroria duhet të vërtetojë se ka pasur sulm të zgjeruar dhe sistematik kundër popullsisë civile gjatë periudhës së aktakuzës, nëse nuk e vërtetojnë këtë këto 6 pikat e aktakuzës duhet rrëzuar. Dhe ju duhet të shfajësoni të akuzuarit për këto pika. TPNJ në çështjen ‘Limaj’ dolën në përfundimin se nuk kishte sulme të zgjeruara sistematike kundër popullatës civile, por duhet t’i përsërisim dhe të flasim në fakt për krimet kundër njerëzimit. Në paragrafin 2/10 deri në 210-217 konstatimet ishin se nuk kishte sulme sistematike të zgjeruara kundër serbëve dhe shqiptarëve as një politikë për të shënjestruar civilët, politikat ishte vetëm për ata që ishin kolaboracionistë të regjimit serb edhe kjo lidhej me objektivat ushtarake të UÇK-së”, deklaroi avokati i Thaçit.
Në Gjykatën Speciale dje ka nisur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se kanë kryer krime lufte. Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.