Analisti zbërthen mesazhet e liderëve evropian ndaj Kurtit: Dëshirojnë hapa konrketë drejt zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese!
Gjermania dhe Franca, si shtete kryesore të Bashkimit Evropian, i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti angazhim të vazhdueshëm për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për të ardhmen evropiane të Kosovës.
Në letrat e urimit pas rizgjedhjes së tij, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz kanë shprehur mbështetjen e tyre për Kosovën, duke vlerësuar përvojën e Kurtit dhe duke nënvizuar nevojën për përparim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Të dy liderët kanë theksuar se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian lidhet ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Arbnor Sadiku.
Ai thotë se Franca dhe Gjermania kërkojnë nga Kosova jo vetëm vazhdimin e dialogut me Serbinë, por edhe zbatimin konkret të marrëveshjeve, që mund të kërkojë kompromis politik nga ana e saj.
“Kur Franca dhe Gjermania flasin për ‘angazhim’ nga Kosova në dialog me Serbinë, ato nuk e kanë fjalën vetëm për vazhdimin e procesit, por për hapa konkretë drejt zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese. Kjo nënkupton një nivel të caktuar fleksibiliteti politik, i cili në praktikë shpesh perceptohet si kompromis apo edhe lëshim nga ana e Kosovës”, u shpreh ai.
ImageArbnor SadikuFoto galeri
Tutje analisti shton që mesazhet e liderëve si Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz ndikojnë në drejtimin e dialogut dhe raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian, duke reflektuar qëndrimin e boshtit kryesor të BE-së.
Por sipas tij, përparimi i vërtetë dhe normalizimi i marrëdhënieve varen kryesisht nga gatishmëria reale e Kosovës dhe Serbisë për të bërë kompromis.
“Mesazhet e liderëve si Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz kanë peshë të konsiderueshme, pasi reflektojnë qëndrimin e boshtit kryesor të Bashkimi Evropian. Ato ndikojnë në drejtimin e dialogut dhe në raportet e Kosovës me BE-në, por nuk janë vendimtare në vetvete.
Në fund, përshpejtimi i normalizimit varet më shumë nga gatishmëria reale e palëve për kompromis sesa nga presioni diplomatik i jashtëm”, përfundoi analisti Sadiku për “Bota sot”.
