Aleanca që po e tmerron Vuçiqin – Tahiraj: Justifikim për agresion dhe armatosje
Para disa ditësh, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është shumë i shqetësuar për aleancën mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.
Duke folur para gazetarëve në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, Vuçiq theksoi se ende po pret përgjigje në pyetjen se pse po krijohet një aleancë ushtarake mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit.
Ai paralajmëroi se kjo është arsyeja pse Serbia do të investojë më shumë në mbrojtje.
Ish-bashkëluftëtari i heroit Sali Çekaj dhe veprimtari Saim Tahiraj, këtë deklaratë të Vuçiqit e ka konsideruar si një “arsyetim” për armatosjen e vazhdueshme të Serbisë.
“Këto deklarata të Aleksandar Vuçiqit janë një hipokrizi e llojit të vet, që vetëm politika serbe di ta luajë me shumëfytyrësinë e saj. Aleanca ushtarake Shqipëri–Kroaci–Kosovë nuk paraqet asnjë rrezik për Serbinë, sepse është një aleancë për stabilitet në rajon dhe për mbrojtje në rast të një sulmi eventual nga Serbia”, ka thënë Tahiraj.
Sipas tij, armatosja e Serbisë është pjesë e qëllimeve të saj hegjemoniste ndaj Kosovës, BeH-së, Kroacisë etj.
“Deklaratat hipokrite të Vuçiqit rreth kësaj aleance janë vetëm një arsyetim për armatosjen e vazhdueshme që Serbia e ka bërë ndër vite nga aleatët e saj tradicionalë si Rusia, Kina dhe shtete të tjera.
I gjithë armatimi që Serbia ka blerë dhe vazhdon ta blejë nuk bëhet për mbrojtjen e territorit të vet, sepse nuk rrezikohet nga asnjë shtet i rajonit. Kjo armatosje shihet si pjesë e synimeve të saj hegjemoniste ndaj vendeve të rajonit, si Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe në veçanti ndaj Kosovës”, është shprehur Tahiraj për “Bota sot”.
Ai ka rikujtuar edhe faktin se Serbia e konsideron Kosovën ende si pjesë të kushtetutës së saj, duke thënë se kjo gjë përbën shqetësim serioz.
“Serbia e konsideron ende Kosovën si territor të saj, duke mos e hequr atë nga kushtetuta e saj, dhe kjo përbën një shqetësim serioz politik. Serbia historikisht është njohur për politika agresive ndaj territoreve të huaja, veçanërisht ndaj atyre shqiptare”, ka nënvizuar ai.
Për këtë arsye, Tahiraj ka theksuar se Kosova duhet të punojë më shumë në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, duke rritur buxhetin për profesionalizimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë me teknologji bashkëkohore.
“Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës duhet të jetë prioriteti numër një për çdo qeveri që vjen”, ka përfunduar Tahiraj.
Ndryshe, gjatë Konferencës në Mynih, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se bashkëpunimi trepalësh Kosovë–Shqipëri–Kroaci po konkretizohet edhe përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të forcave ushtarake, me fokus në rritjen e ndërveprueshmërisë, zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe avancimin e bashkëpunimit në përputhje me standardet euroatlantike.
“Takimi trilateral ndërmjet Gjeneral-Lejtënant Bashkim Jasharit, komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral-Lejtënant Arben Kingjit, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, dhe Gjeneral Tihomir Kundid, shef i Shtabit të Forcave të Armatosura të Kroacisë, përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Deklarata e përbashkët e mbrojtjes, e nënshkruar në nivel ministrash më 18 mars 2025, po përkthehet në angazhime konkrete si në aspektin e politikave të mbrojtjes ashtu edhe në bashkëpunimin ushtarak”, ka potencuar Maqedonci.
