Albin Kurti mori pjesë në shënimin e Ditës së Dëshmorëve në Istog
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje, në shënimin e Ditës së Dëshmorëve të komunës së Istogut, bëri homazhe në kompleksin memorial në fshatin Vrellë dhe ndau mirënjohje në organizmin “Istogu Trail” në nder të kësaj dite.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani,
E nderuara drejtore e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Era Rexhaj,
Të nderuar kolegë nga Kuvendi e Qeveria,
Të dashur qytetarë të këtij vendi me njerëz të urtë, bujar e patriotë,
Të këtij vendi me bukuri të jashtëzakonshme natyrore,
Unë ndihem i nderuar që ndodhem para jush, në këtë ditë të atyre të cilët dhanë gjithçka që ne të jetojmë të lirë, të zhvillohemi mirë dhe të veprojmë mbarë, pra, në ditën e dëshmorëve.
Kjo datë e sotme 12 prilli nuk është e zakonshme, është fort e veçantë, është datë e përvjetorit, sivjet 27 vjet të një prej betejave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Brigadës 133, “Adrian Krasniqi”, rrëzë malit ndërmjet fshatrave Lubozhd dhe Vrellë. E në këtë betejë ranë asokohe heroikisht dëshmorët: Abedin Dërvishaj, Bujar Visoqi, Ismet Bicaj, Izet Shatri, Nezir Mujaj, Skënder Maraj, Smajl Fetahaj dhe Xhafer Mehmetaj.
E Istogu në nderim të kësaj dite historike për komunën por jo vetëm, edhe për mbarë kombin tonë, tashmë ka ndërtuar një traditë të shënimit me ngjarje kulturore e sportive, ndër to edhe garën sportive, të njohur me emrin “Istogu Trail”.
Ky aktivitet që ka filluar në vitin 2000, si turnir i futbollit të vogël, për nder të rënies së dëshmorit Izet Shatri, pikërisht më 12 prill në ditën e dëshmorëve të Istogut, deri para 4 viteve, quhej: Turniri memorial “Izet Shatri”. E tash e 4 vite është duke u mbajtur si vrapim malor në dy disiplina. Disiplina e parë është ajo që është e gjatë 13.3 kilometra, pra duke u thirrur tek numri i Brigadës 133, po jo 133, 13.3 nëse e bëjmë 10 për qind të dëshmorëve, besoni që kemi bërë shumë, e cila e simbolizon pra numrin e Brigadës së UÇK-së, e që e mban emrin dëshmorit Adrian Krasniqi, dhe gjithashtu disiplinën 32 kilometra, e cila bëhet në shtigjet e bjeshkëve të Istogut.
Këtë ditë të rëndësishme për historinë tonë të lavdishme Istogu e ka gërshetuar sa me krenarinë për historinë, poashtu edhe me shëndetin e së ardhmes. Me sport e aktivitet fizik i kujtojmë ata që e dhanë edhe jetën e tyre shpirtërore edhe fizike për atë që ne e çmojmë dhe e gëzojmë sot, e ajo është liria e popullit tonë, në Republikën e dashur të Kosovës.
Prandaj, urime e suksese të gjithë garuesve, jo vetëm sot, por merruni me sport sa më shumë që mundeni. Përgëzime organizatorëve, në veçanti Fikretit dhe lavdi dëshmorëve të kombit.
ImageImage
