“Ajatollahët e LDK-së, turpi i Dardanisë – nuk luftuam për shtet islamik!” – Tërmkolli shpërthen ndaj partisë
Ish-deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka reaguar ashpër përmes një deklarate publike, duke përdorur tone të forta ndaj strukturave të partisë.
Në reagimin e saj, Tërmkolli i ka quajtur “ajatollahë” disa përfaqësues të LDK-së, duke i cilësuar si “turpi i Dardanisë” dhe duke i akuzuar se, sipas saj, po shkelin mbi Kushtetutën dhe mbi traditën shqiptare.
“‘Ajatollahët’ e LDK-së, turpi i Dardanisë! Fundërrinat shkelin mbi Kushtetutën si t’ua kishte bërë Serbia dhe shkelin mbi traditën e kulturën shqiptare si t’ua kishte lënë baba Sulltan! Maskarenj, nuk luftuam për shtet islamik dhe për asnjë fe! Luftuam për Komb, Shtet e Atdhe!”, ka shkruar ajo.
Në fund të reagimit, Tërmkolli ka përdorur edhe hashtagët #MakeDardaniaAgain dhe #MDA.
Ky reagim erdhi pas njoftimit se janë bërë edhe riorganizime të orarit mësimor të shkollave e shkurtim të pushimit të gjatë për shkak të muajit të Ramazanit, veprim ky që nxiti reagime të shumta në publik.
Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës bëri të ditur se mësimi do të fillojë nga ora 07:30, ndërsa do të shkurtohet kohëzgjatja e mesndërrimit dhe do të reduktohen pushimet e gjata.
Sipas njoftimit, mësimi do të fillojë nga ora 07:30, ndërsa do të shkurtohet kohëzgjatja e mesndërrimit dhe do të reduktohen pushimet e gjata.
“Këto masa janë ndërmarrë në respekt të agjëruesve dhe për të lehtësuar organizimin e ditës shkollore”, thuhet në njoftimin e DKA-së të Prishtinës në Facebook.
Autoritetet arsimore bëjnë të ditur se, pavarësisht ndryshimeve në orar, nuk do të zvogëlohet numri dhe kohëzgjatja e orëve mësimore.
Procesi mësimor do të përfundojë më së largu deri në orën 17:00, duke ruajtur cilësinë dhe vazhdimësinë e mësimit.
