OPINIONTË FUNDIT

Afati 60-ditor dhe dilemat kushtetuese, Kelmendi sqaron situatën

Juristi Muhamet Kelmendi, për “Bota sot” komentoi aktualitetin politik në Kosovë, duke theksuar se moszgjedhja e Presidentit ka çuar në shpërndarjen e Kuvendit dhe pritjen e zgjedhjeve të reja.

Ai vuri në dukje se Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe se amendamentet kushtetuese të vitit 2012 propozojnë kalimin e zgjedhjes së Presidentit nga Kuvendi tek qytetarët.

Kelmendi thekson se Kushtetuta ka dispozita për zgjedhjen e Presidentit (neni 82, paragrafi 3 dhe neni 86, paragrafi 2), por ekziston një mospërputhje praktike mbi fillimin e afatit 60-ditor për zgjedhje, sidomos kur procedura fillon 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual.

“Aktualisht në Kosovë ekziston çështja e moszgjedhjes së Presidentit të Republikës. Seancat e Kuvendit të Kosovës përfunduan pa arritur zgjedhjen e Presidentit. Si rezultat, Presidentja e Republikës e shpërndau Kuvendin dhe pritet caktimi i datës së zgjedhjeve të reja. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje (VV) e ka dërguar çështjen për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Në këto ditë të fundit, nga Presidentja janë paraqitur edhe amendamentet e vitit 2012 për ndryshimin kushtetues. Çështja kryesore lidhet me propozimin për kalimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit nga zgjedhja në Kuvend tek zgjedhja e drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës nuk duket se i ka paraparë në mënyrë të plotë këto vështirësi praktike. Në të vërtetë, ekzistojnë dispozita kushtetuese që iu ipet deri ne nje mase këtyre çështjeve zgjidhje.

Në nenin 82, paragrafi 3 të Kushtetutës thuhet:

“Nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi.”

Ndërsa në nenin 86, paragrafi 2 përcaktohet:

“Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.”

Në një lexim të parë duket se këto dispozita janë të qarta dhe nuk krijojnë dilema juridike. Megjithatë, në një analizë më të thellë mund të vërehet një nënkuptim ose një mospërputhje midis këtyre dy neneve.

Konkretisht, afati prej 60 ditësh nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit nuk është i qartësuar se kur fillon. Kushtetuta qartëson vetëm afatin prej 30 ditësh para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Kjo çështje bëhet edhe më e ndërlikuar nëse procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon pikërisht 30 ditë para përfundimit të mandatit, siç ka ndodhur në praktikë”, shpjegon ai.

Kelmendi vuri në dukje se në rast moszgjedhjeje të Presidentit brenda afatit, lind nevoja për interpretim juridik nga Gjykata Kushtetuese.

Ai thekson se institucionet shtetërore kanë dhënë interpretime të ndryshme, por interpretimi përfundimtar i normave kushtetuese i takon gjykatës, e cila duhet të harmonizojë dispozitat dhe të sigurojë funksionimin normal të institucioneve.

“Në këtë rast lind pyetja: çfarë ndodh nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e Presidentit?

Pikërisht këtu lind nevoja për një interpretim juridik nga Gjykata Kushtetuese. Kjo për faktin se normat kushtetuese janë interpretuar në mënyra të ndryshme nga institucionet shtetërore. Një interpretim është dhënë nga Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa një interpretim tjetër nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

Secila palë mbështetet në argumente juridike. Megjithatë, se cila prej tyre ka të drejtë mbetet të përcaktohet.

Në një shtet kushtetues dhe demokratik, interpretimi përfundimtar i normave kushtetuese i takon Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, është kjo gjykatë ajo që do të duhet të japë interpretimin përfundimtar dhe të qartësojë raportin midis këtyre dispozitave kushtetuese.

Në teorinë e së drejtës kushtetuese, situata të tilla njihen si konflikte interpretimi midis normave kushtetuese, të cilat zgjidhen përmes interpretimit sistematik dhe teleologjik të Kushtetutës, me qëllim harmonizimin e dispozitave dhe ruajtjen e funksionimit të rregullt të institucioneve shtetërore”, u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *