OPINIONTË FUNDIT

Absurditetet e Shqiptarisë në kohëra atipike globale

Në një kohë kur bota përballet me kriza reale të luftërave, ekonomive të lëkundura dhe tensioneve gjeopolitike, hapësira shqiptare vazhdon të prodhojë një lloj absurdi të vetin të pashërueshëm.
Mbi dy dekada pas luftës në Kosovë, ende nuk ekziston një numër i saktë dhe i pakontestueshëm për viktimat dhe pasojat nga ky gjenocid. Një plagë historike trajtohet me improvizim institucional dhe me heshtje selektive. Kjo nuk është më mungesë kapaciteti, ngjason te jetë mungesë vullneti (dhe jo vetëm).
Në anën tjetër, opozita reagon me tone patetike, duke akuzuar dhe moralizuar, por që harron se për vite të tëra ka qenë vetë në pushtet pa prodhuar as zgjidhje, as standard të vetëm. Reagimi bëhet më shumë për konsum të lodhët publik sesa për ndryshim real. Diskursi bie në nivel banal: “je i Serbisë”, “tradhtar”, duke e çuar në një cikël vicioz.
Në të njëjtën kohë edhe në Shqipërinë mëmë prodhohen gafat e ditës, që përtej simbolikave shpërfaqin mospasjen e vizionit të qartë për të gjithë neve që pretendojmë të jemi shqiptar politik. E.R. arrin të prezantojë një hartë të Kosovës të paplotë, një detaj që në çdo shtet normal do të konsiderohej minimumi i kujdesit institucional.
E të gjorët shqipo të Ilinditës/Maqedonisë njerkë duke i parë dyja shtetet llugë në punët e tyre, e me pafuqinë e vet politike, po duhet ta përjetojnë ndjesinë sesi një një gjysmë palo shtet sillet me ta si macja me miun, duke i defaktorizuar në vetë themelin shtetformues, që në rrethana ku dy shtete shqiptare stabile me doktrinë të qartë kombëtare ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të tyre do të duhej të i dridhte këllqet këtij palo shteti.
Siç po shihet qartë, poblemi nuk është vetëm te individët apo partitë. Problemi është te një kulturë politike që ushqehet me zhurmë, simbolikë boshe dhe konflikt artificial, ndërkohë që çështjet reale mbeten të pazgjidhura.
Në fund, absurdi nuk është më përjashtim. Është bërë standard.

Kastriot Osmani, mjek i mjekësisë së përgjithshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *