A ka reflektuar LDK-ja? Analistët komentojnë qëndrimin e Abdixhikut pas vendimit të Kushtetueses
Të mërkurën, Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e saj lidhur me dekretin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Pas këtij vendimi, ka reaguar kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese sjell qartësi të nevojshme dhe respektohet nga LDK.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin. Lidhja Demokratike e Kosovës e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike. Ky vendim nuk krijon epërsi për askënd. Ai e rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit”, shkroi ai në Facebook.
Abdixhiku theksoi se LDK beson se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet përmes marrëveshjes politike.
“Lidhja Demokratike e Kosovës beson se çështje të tilla nuk zgjidhen me imponim, por me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës. Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve”, shtoi ai.
Abdixhiku nënvizoi se, nëse nuk arrihet një marrëveshje politike brenda 34 ditëve, LDK do të hyjë e bashkuar në çdo proces të ri zgjedhor.
“Në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor, me besimin për të ofruar zgjidhje të reja për vendin”, deklaroi Abdixhiku.
Por si pritet ky reagim? Ekspertët politikë vlerësojnë se qëndrimi i LDK-së tregon vazhdimësi të linjës së mëparshme, ku përgjegjësia për zgjedhjen e Presidentit bie mbi shumicën parlamentare, ndërsa konsensusi mbetet i domosdoshëm. Po ashtu, ata shprehen se vendimi mund të shfrytëzohet nga opozita për zgjedhje të reja.
Qarri: Abdixhiku nuk sheh arsye për marrëveshje me LVV-në
ImageGani QarriFoto galeri
Analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se, kriza politike u shkaktua nga dekreti i Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, të cilin e cilëson egoist.
Sipas tij, edhe pse Gjykata Kushtetuese e trajtoi çështjen, ajo nuk i detyroi deputetët të krijojnë kuorum për zgjedhjen e presidentit, duke lënë hapësirë për bllokada dhe vazhdim të krizës politike.
“Shkas i gjithë kësaj katrahure politike, u bë pikërisht dekreti egoist dhe shumë inatçor i Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, akt që u dëshmua edhe nga Gjykata Kushtetuese, por mungesa e opsionit për zgjidhjen e problemit edhe nga vet kushtetuesja, është se me vendimin e nxjerrë, ajo nuk i obligoi deputetët të qëndrojnë në seancë dhe të krijojnë kuorumin, për zgjedhjen e presidentit njëjtë si me rastin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që vendi të mos futet përsëri në një krizë të re e të vijojë me ciklin e përsëritjes së zgjedhjeve, të marrin fund insinuatat e partive politike dhe Kosova të ecë përpara.
Gjykata Kushtetuese me vendimin e fundit, megjithëse në dukje, krijoji stabilizim të përkohshëm institucional, ajo duke mos i detyruar deputetët, në vendimin e nxjerrë që si përfaqësues të qytetarëve, të qëndrojnë në seancat parlamentare dhe të marrin pjesë në votime pro, kundër apo me abstenim, njëjtë si me rastin e zgjedhjes së kryekuvendarit, në vend se të ofronte themelin për zgjidhjen e problemit, ajo sikur u bë pjesë e politikës ditore dhe shkak i vazhdimit të problemit, duke ua rikthye përsëri në dispozicion partive opozitare, rastin për rifillimin e inskenimeve të njohura me insinuata dhe veprimet e njohura bllokuese”, ka thënë ai .
Sipas tij, mungesa e detyrimit për deputetët që të sigurojnë kuorumin lë hapësirë për bllokada, duke rrezikuar rikthimin e krizës dhe zgjedhjeve të parakohshme nëse mungon konsensusi politik.
“Andaj me gjithë rrëzimin e dekretit kundërkushtetues të zonjës Vjosa Osmani dhe konstatimin se dekreti i saj “nuk ka efekt juridik”, kushtetuesja parandaloi vetëm përkohësisht, shpërndarjen e Kuvendit dhe futjen e serishme në bllokadë institucionale duke i dhënë Kuvendit një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, akt me të cilin la qëllimisht hapur mundësinë e krijimit të një spirale të re pasigurie dhe përsëritjen e krizës së njohur politike në Kosovë, kur dihet mirëfilli se për tu zgjedhur presidenti, duhet të mbahen tri raunde të votimit, për të cilat është i domosdoshëm kuorumi, që të shtjerrën të gjitha mundësitë dhe procesit për zgjedhjen e presidentit të mund ti shkohet deri në fund.
Kështu që, duke pasur parasysh faktin se i tërë procesi, njëjtë si para nxjerrjes së dekretit të presidentes edhe pas vendimit të kushtetueses serish do të varet nga vullneti për konsensus të partive politike, pavarësisht efektit momental stabilizues në rrafshin institucional, mungesa e vendimit të kushtetueses që do ti obligonte deputetët të qëndrojnë në sallë, ta mundësonin kuorumin dhe të votojnë me një nga tri format e lartcekura të votimit, në mënyrë që Kosova të mos futet në një krizë të re dhe të vazhdojë me dramën e përsëritjes së zgjedhjeve, në rast të mosarritjes së dakordimit ndërmjet partive për konsensus politik, pritet të ndërlikohet serish situata dhe vendi të detyrohet të shkojë përsëri në zgjedhjen të parakohshme”, ka vlerësuar ai.
Në fund, Qarri ka theksuar se pas prishjes së raporteve mes Osmanit dhe LVV-së, edhe Lumir Abdixhiku nuk ka arsye apo interes për marrëveshje për presidentin.
Ai ka shtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të shfrytëzohet nga opozita për ta çuar vendin në zgjedhje të reja dhe për ta fajësuar LVV-në për përfitime elektorale.
“Shto kësaj faktin se pas prishjes së raporteve të zonjës Osmani me LVV-në, as Abdixhikut i cili është i lidhur familjarisht me Vjosa Osmanin, nuk i ka ngelur arsye e fortë të bëjë marrëveshje me LVV-në për ndonjë president tjetër, dhe as dëshirë tërheqëse, për mbështetje apo koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen, duket hapur se nuk është më dekreti i presidentes, por pikërisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ai që do ta qojë vendin në zgjedhje të reja, do të keqpërdoret nga partitë opozitare si narrativë, për ta quar vendin serish në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe shfrytëzohet nga partitë opozitare për ta fajësuar LVV-në për moszgjidhjen e presidentit dhe për zhvillimin e fushatave elektorale, me shpresë se do të marrin ndonjë votë më tepër dhe thyejnë rezultatin aktual të përqindjes së lartë të votave të LVV-së, të marra, në zgjedhjet parlamentare me 28 dhjetor të vitit të kaluar”, ka përfunduar Qarri.
Majkovci: Nuk duket koalicion LVV–LDK, zgjedhjet e reja më të mundshme
Ndërsa, politologu Fahredin Majkovci ka vlerësuar qëndrimin institucional dhe të matur të kreut të LDK-së, i cili shpreh gatishmëri për zbatim dhe përkushtim ndaj rendit kushtetues.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen nga të gjithë.
Në këtë frymë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur gatishmëri për zbatimin e tyre, ndërsa reagimi i kreut të saj pas këtij vendimi vlerësohet si institucional dhe i matur, duke theksuar qartë detyrimin për respektimin e vendimeve të Gjykatës dhe përkushtimin ndaj rendit kushtetues.
Në këtë kuptim, ky qëndrim është në shërbim të konsolidimit institucional dhe stabilitetit politik, ndërsa mbetet e rëndësishme që ai të shoqërohet me veprime konkrete edhe në vazhdim”, ka thënë ai.
Më tej, Majkovci ka theksuar se reagimi i LDK-së nuk tregon ndryshim thelbësor, por vazhdimësi të qëndrimeve të saj.
“Reagimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk reflekton një ndryshim thelbësor të qasjes, por më tepër vazhdimësi të qëndrimeve të saj të mëparshme. LDK po vazhdon të mbetet në pozicionin se përgjegjësia kryesore për procesin e zgjedhjes së Presidentit bie mbi shumicën parlamentare dhe se për të siguruar mbështetjen e saj është e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje politike”, ka cilësuar ai.
Tutje, Majkovci thotë se aktualisht nuk duket e mundur një koalicion LVV–LDK apo një marrëveshje të shpejtë për Presidentin.
“Për momentin, nuk duket se ka hapësirë reale për një koalicion ndërmjet Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, as për një marrëveshje të shpejtë për çështjen e Presidentit.
Sidoqoftë, do të shohim se si do të rrjedhin ditët e mbetura në dispozicion, nga gjithsej 34, për partitë politike sipas vendimit të Gjykatës.
Në këtë fazë, më e mundshme duket skenari i shkuarjes në zgjedhje të reja sesa arritja e një marrëveshjeje eventuale politike.
Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur, dhe çdo zhvillim i ri politik mund të ndikojë në dinamikën e koalicioneve, si dhe në mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit”, ka përfunduar Majkovci për “Bota sot”.
