POLITIKATË FUNDIT

KE-ja përmirësoi raportin ku thuhej se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi duhet t’i vënë viza Kosovës

Komisioni Evropian

Komisioni Evropian ka korrigjuar pjesën e raportit për vizat, ku kritikonte Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi se po i lejon qytetarët e Kosovës të futen në territoret e tyre pa viza, duke thënë se kjo është në mospërputhje me politikat e BE-së për vizat.

Pas raportimit të mediave dhe reagimeve në opinion publik për këtë pjesë të raportit, Komisioni Evropian dje në një konferencë për media njoftoi se Kosova ishte përfshirë gabimisht në listën e vendeve të treta ndaj të cilave BE-ja aplikon regjim vizash, raporton Zëri.info.

Zëdhënësja për çështje të brendshme e KE-së, Anitta Hipper, tha të martën se KE-ja mbështet tërësisht lirinë e lëvizjes në rajon dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, si çështje me prioritet.

“Sa i përket çështjes specifike nga rajoni, jemi duke e përmirësuar dhe do të dalë versioni i përmirësuar”, tha ajo dje.

Në raportin e publikuar tashmë është bërë ky përmirësim.

Image

Të hënën kur edhe doli raporti, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi u kritikuan nga BE-ja se nuk e përshtatin politikën e tyre të vizave me Unionin, duke lejuar hyrjen e vendeve të treta, përfshirë edhe Kosovën.

“Maqedonia e Veriut nuk ka ndërmarrë veprime në vitin 2021 për të harmonizuar më tej politikën e vizave të vendit me atë të BE-së. Shtetasit e vendeve të mëposhtme, të cilëve u kërkohet viza për hyrje në BE, gëzojnë ende qasje pa viza në Maqedoninë e Veriut: Azerbajxhan, Botswana, Kubë, El Salvador, Kosovë* dhe Turqi”.

Ngjashëm ishte edhe raporti për Malin e Zi.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani tha se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk vendos viza për Kosovën, duke nënvizuar poashtu se bëhet fjalë për gabim të Komisionit Evropian që do të korrigjohet.

“Është gabim i Komisionit Evropian, vendosja e Kosovës në listën e vendeve me të cilat duhet të ketë regjim të vizave është lëshim që është vërejtur nga Komisioni Evropian. Asnjëherë nuk ka kaluar nëpër organet e KE-së dhe do të rishikohet”, tha Osmani.

Osmani theksoi se trend nuk është vendosja e vizave, por trend tjetër, kalimi i kufirit me letërnjoftime.

“Është krejtësisht kontradiktore me politikën e KE-së. Ne në kuadër të procesit të Berlinit, gjashtë vendet anëtare, sapo nënshkruam marrëveshje për lëvizjen me letërnjoftime në rajon, ndaj tendenca është e kundërta e vendosjes së vizave. Tani, jo vetëm me Kosovën, BeH, Malin e Zi, me Serbinë, nuk kemi nevojë as për pasaportë dhe qëllimi është që ky rajon të hyjë plotësisht në kornizën e lëvizjes së lirë të qytetarëve”, tha Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, hodhi poshtë pretendimet për tërheqjen e liberalizimit të vizave për Maqedoninë e Veriut. Osmani tha se do të punohet për përjashtime shtesë në marrëdhëniet me BE-në.

N. D. Send an email 13:03, 07-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *