POLITIKA

Kurti: Bandat e dirigjuara nga Vuçiqi kanë intensifikuar sulmet në Veri, e dinë që po iu vie fundi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për situatën e krijuar në Veri pas shpërthimeve të shumta që ndodhën atje sot.

Ai tha se bandave kriminale atje po i vjen fundit dhe se ato e dinë këtë, derisa shtoi se Qeveria “as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato”.

Kurti thotë se “me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje”, pasi sipas tij “do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj”.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *