POLITIKATË FUNDIT

Eksperti nga Shqipëria: Nga Kosova po kërkohet një ndarje e butë e vendit në dy pjesë

Delegacioni i Kosovës niset nesër në Bruksel, ku Aleksander Vuçiç duhet të firmosë marrëveshjen për të pagjeturit, për t’i kërkuar në këmbim Kurtit asociacionin e komunave. Pavarësisht skenarit të mirëmenduar në Këshillin e Sigurimit të OKB, ku engjëllin e vetëm kishte Rusinë, Serbia nesër në Bruksel duhet të mendojë mirë deklaratat që do të bëjë dhe veprimet që do të kryejë.

Ka një dyshim të madh përsa i takon bashkëpunimit, por si BE, edhe SHBA, janë të vendosur që këtë gjë ta kryejnë sa më shpejt nëpërmjet planit franko-gjerman.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, ishte në studion e A2 CNN për të komentuar takimin e nesërm.

“Serbia kurrë nuk do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjes së të zhdukurve. Ata mund t’i japin ndërkombëtarëve atë që dëshirojnë, por pa prekur thelbin e tyre dhe interesat e tyre. Presioni është mbi Kosovën që po mundohet ta shtyjë sa më shumë Asociacionin, pasi nuk mund të shmanget. Nga Kosova po kërkohet një ndarje e butë e vendit në dy pjesë”, tha Krisafi.

“Vuçiç nuk do të bëjë asnjë veprim të nxituar sepse është në pozitë shumë të mirë. Vuçiç është treguar mjeshtër në diplomaci. Vuçiç ka arritjet e tij, që janë ndalur njohjet e Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk e ka kuptuar që është momenti për kompromise, nuk jemi më në vitin 1999, kur Serbia bombardohej dhe izolohej. Është një skenë tjetër sot dhe qasje tjetër ndaj Serbisë”, theksoi Krisafi.

Sipas tij, Kosova duhet t’i largohet qëndrimeve dogmatike të tipit “ne fituam luftën dhe ne kemi të drejtë”.

Në lidhje me zgjedhjet në veri të Kosovës, Krisafi theksoi: “Zgjedhjet ishin katastrofike për Kosovën. Treguan se serbët kanë unitet absolut të serbëve. SHBA i treguan Kosovës që ndikimi që ka në veri është 0 dhe i dhanë një leksion se pse duhet ta bëjë asociacionin. Ishte gabim i Kosovës që zhvilloi zgjedhjet, edhe pse ishte detyrë nga ndërkombëtarët. Duhet t’i kishte shtyrë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *