Situatë e tensionuar në veri, Sveçla jep detaje: Zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba!
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas disa shpërthimeve dhe të shtënave me armë në veri të Kosovës.
Sveçla përmes një postimi në Facebook njoftoi se “nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare”, përcjell “Bota sot”.
Policia e Kosovës pasi ka pranuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sot ka asistuar për funksionalizimin e zyreve të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit.
Nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare.
Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cënohet nga askush.
Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellur para drejtësisë të gjithë kriminelët e përfshirë në sulmet e sotme. Policia do të vazhdojë angazhimet sipas mandatit të saj në gjithë Republikën e Kosovës për ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit.