Vuçiq bisedon me Lajçakun për situatën në Kosovë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka diskutuar për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe problemet me të cilat po përballen serbët e Kosovës “për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”.
Kështu shkroi ai më 5 dhjetor në profilin e tij në Instagram, pas takimit që pati me Lajçakun në Beograd.
“E theksova domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe respektimin e të drejtave dhe vullnetit të popullit tonë. Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun konstruktiv, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit dhe kushteve më të mira për jetën e të gjithëve qytetarëve”, ka shkruar Vuçiq.
Lajçak erdhi në Beograd pasi Beogradi zyrtar javën e kaluar kritikoi ashpër vendimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të emëruar kreun e Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.