POLITIKATË FUNDIT

“Nganjëherë s’don, nganjëherë s’din, e shpeshherë edhe të dyjat”, Kurti e “nxjerrë të keqen” ndaj Prokurorisë

“Drejtësia, sistemi gjyqësor në Kosovë, lëngon pikërisht për shkak se kemi një prokurori e cila nganjëherë s’don, nganjëherë s’din, e shpeshherë edhe të dyjat”, me këto fjalë ndër të tjera, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot zgjodhi foltoren e Kuvendit të Kosovës për të sulmuar haptazi Prokurorinë. Kreu i Qeverisë para deputetëve foli lidhur me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, teksa akuzoi prokurorinë se kishin zell maksimal për këtë rast, ndryshe nga e kaluara, shkruan Reporteri.net.

Kryeministri Kurti tha se edhe në të kaluarën ka pasur kryeshefa të tjerë në KEK, e që ka pasur keqpërdorime marramendësi por sipas tij kurrë nuk u trajtuan nga institucionet e drejtësisë, duke përmendur prokurorinë.

Por, jo me kaq, Kurti vazhdoi të kritikonte opozitën, pasi siç tha ai ata i janë gëzuar këtij arrestimi, dhe sipas tij një gjë e tillë nuk po ndodh për herë të parë.

“Nagip Krasniqi është në burg, dhe ai me siguri e sheh në tv këtë gëzim opozitar për të. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në sallë të kuvendit për njerëzit të cilët janë burg, me sisemin prokurorial i cili nga viti ne vit i cili është gjykuar nga raportet ndërkombëtare”, tha Kurti para deputetëve.

Mllefi i Kurtit ndaj Prokurorisë shpërtheu edhe me prokurorin, Blerim Isufaj, dekretimi i të cilit tash e sa muaj ka mbetur pezull nga ana e presidentes së vendit.

Kreu i ekzekutivit tha se disponimi negativ politik ndaj Qeverisjes së tij, dhe jo vetëm atij si Kryeministër, lidhet pikërisht me figurën e Isufajt.

Kryeministri i vendit lëshoi një varg sulmesh në drejtim të prokurorit Isufaj, duke thënë se ai nuk e ka të fituar asnjë rast në gjykatë, dhe sipas tij, Isufaj e ka treguar më parë që rastet që kanë qenë vetëvrasje i ka cilësuar vrasje, dhe ato që kanë qenë vrasje, si vetëvrasje.

Për Blerim Isufajn, Kurti tha se po dëshiron të bëhet kryeprokuror, edhe përkundër vullnetit të Presidentes, Kryeparlamentarit dhe vet atij si Kryeministër, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se në një vend ku Qeveria e kapë drejtësinë, aty merr fund demokracia. Ajo ka thënë se Kosovës i duhen gjyqtarë dhe prokurorë të cilët nuk i frikësohen asnjë qeverie.

Një reagim pati edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e cila tha se Kurti bëri goditjen më të rëndë në drejtësi direkt nga Kuvendi.

“Vrasje brutale të demokracisë”, e ka quajtur deklaratën e Kurtit, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili. Deputetja Kica-Xhelili ka thënë se Kryeministri po tregon që kryeprokurori do të zgjidhet vetëm me aprovimin e pushtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *