Konjfuca: Me këtë papërgjegjësi të deputetëve, kjo legjislaturë nuk e meriton me vazhdu
Ndonëse, pritjet ishin që seanca e sotme e Kuvendit të Kosovë të vazhdonte në 12:30, përsëri në mungesë të deputetëve u ndërprenë punimet deri në seancën e radhës.
Kjo seancë, e cila në rend dite kishte pika të papërfunduara nga seancat e muajit shkurt, mars e prill ishte paraparë të niste në 10:00, por në mungesë të kuorumit u shty për 12:30.
E pas kthimit, kryekuvendari Glauk Konjufca tha se nuk ekziston mundësia të vazhdojë seanca dhe për mbajtjen e saj do të njoftojë.
“Prapë nuk ekziston mundësia me vazhdu kështu që iu lajmërojmë për seancën tjetër”, u shpreh Konjufca.
Paradite, Konjufca kritikoi deputetët për mosprezencë në seancë. Madje, ai u shpreh se me këto sjellje kjo legjislaturë nuk meriton të vazhdojë.
Ndër pikat që ishin paraparë të diskutoheshin në seancën e sotme ishin votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021, votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor etj.
19.04.2023 – 13:05Tahiri akuzon mazhorancën në Kuvend: Jemi në një kaos parlamentar
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka akuzuar mazhorancën në Kuvend për dështimin e miratimit të projektligjeve.
Pas shtyrjes së seancës së sotme në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit në vendimmarrje, Tahiri tha se legjislativi tashmë është nw një kaos parlamentar.
Ai tha se partia në pushtet është e papërgjegjshme duke lënë më shumë se 50 pika të papërfunduara.
Tahiri: Jemi në një kaos parlamentar
“Vendi tashmë drejtohet nga një mazhorancë shumë e papërgjegjshme, nga një mazhorancë e cila nuk arrin t’i ketë 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu nga një mazhorancë e cila ka lënë më shumë se 50 pika, projektligje, marrëveshje ndërkombëtare të pa votuara që nga viti i kaluar. Ne jemi duke përfunduar muajin e katërt të këtij viti dhe kemi ende pika të papërfunduara të agjendës së vitit 2022.
Kjo mënyrë e papërgjegjshme e drejtimit të këtij Kuvendi nga kjo mazhorancë normalisht se duhet të ketë një fund diku. Nuk mund të vazhdojë kështu dhe nuk mund të ketë projektligje të rëndësishme për vendin të pa votuara…
Kjo është reflektim se si është duke qeverisur vendi sot nga kryeministri Kurti dhe kjo qeveri. Absolutisht jemi në një kaos parlamentar, jemi në një situatë kaotike që ka krijuar kjo mazhorancë dhe kjo qeveri”, tha ai.
Seanca e cila filloi sot në orën 10:00 u shty për në orën 12:30, për shkak se Lëvizja Vetëvendosje nuk i kishte mbi 61 deputetë për të votuar pikat që janë në rend të ditës, pasi partitë opozitare janë deklaruar se nuk do t’ia bëjnë kuorumin mazhorancës.
19.04.2023 – 11:22S’ka kuorum, shtyhet seanca
Seanca e Kuvendit të Kosovës, e planifikuar për orën 10:00 është shtyrë për në orën 12:30, për shkak të mungesës së kuorumit.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili ka thënë se nevojiten votat e mazhorancës për votimin e shumë pikave të rendit të ditës.
Konjufca ka kritikuar deputetët për mungesë të prezencës.
Sipas tij, me këto sjellje të papërgjegjshme, kjo legjislaturë nuk meriton të vazhdojë.
Në rend dite për seancën e sotme janë pika të papërfunduara nga seancat e muajit shkurt dhe mars.
Në mesin e tyre është edhe votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021, votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
19.04.2023 – 11:08Konjufca: Me këtë papërgjegjësi të deputetëve, kjo legjislaturë nuk e meriton me vazhdu
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka dhënë një deklaratë të papritur.
Ai i nervozuar me mungesat e deputetëve dhe mungesën e kuourimit, ka kritikuar deputetët për papërgjegjësi.
Madje, deklaroi se “kjo legjislaturë nuk e meriton me vazhdu”
“Qysh po e shohë këtë papërgjegjësi të disa deputetëve, mendoj se kjo legjislaturë nuk meriton me vazhdu”, deklaroi Konjufca.
Problemi me kuorum po i përsëritet pushtetit tash e disa javë.
Edhe në javën e kaluar dështoi të mbahet seanca e Kuvendit pasi nuk pati deputetët të mjaftueshëm.