POLITIKATË FUNDIT

Pse Beogradi nuk mund të ketë ndikim në serbët e Kroacisë?

Marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, që janë dakorduar në Ohër e Bruksel, kanë hapur një debat në institute të marrëdhënieve të jashtme ndërkombëtare.

Njëri prej këtyre instituteve, Shkolla e Studimeve të Avancuara John Hopkins, me bazë në Uashington, mbajti këtë muaj konferencë në Prishtinë me analistë nga Prishtina e Beogradi lidhur me urgjencën që këtë herë krejt çka merren vesh Kosova e Serbia të implementohen.

Për këto marrëveshje po diskutohet edhe në emisionin “Kallxo Përnime”.

Edward P. Joseph nga Instituti ‘SAIS’ në SHBA ka thënë se Beogradi ka ndikim mbi serbët në Bosnjë-Hercegovinë, në Mal të Zi, në Kosovë, por jo në Kroaci.

Sipas tij, në Kroaci ka autonomi të natyrshme, duke shtuar që modeli i Kroacisë do të mund të funksiononte edhe në Kosovë por këtu është një situatë tjetër.

“Kur Franjo Tugjman, në vitin 1995 dha autonomi, qëllojani se çfarë dha ai? Këshillin e Përbashkët të Komunave. Është pothuajse i njëjti emër me atë që po kërkojnë në Kosovë. Pse Tugjmani e bëri këtë? Sepse ai ishte burrë i mirë? Ai nuk ishte burrë i mirë. E bëri sepse serbët e Kroacisë hoqën dorë nga lidhja me Serbinë dhe pranuan që ishin në Kroaci” – tha ai.

Përderisa shtoi se serbët e Kroacisë e shohin veten si qytetarë të Kroacisë.

“Nuk ndjejnë se gjysma janë në Serbi, apo tre të katërtat, pesë të gjashtat dhe nuk shpresojnë të jenë nën Serbi; ata hoqën dorë nga kjo” – shtoi ai.

Më tej ai ka thënë se nga kjo marrëveshje do të fitojë edhe Kosova.

“….për t’u treguar pasaportat e Kosovës do të ketë takime në Bruksel mes Vuçiqit e Kurtit. Në atë dhomë do të ketë flamur të Kosovës përskaj flamurit serb. Do të ketë shkëmbim të misioneve diplomatike. Këta janë hapat. Unë nuk them se dikush duhet të besojë se ato janë të lehta, por kjo do të duhet të bëhet dhe kjo do të kërkojë angazhim intensiv të SHBA-së e BE-së’’ – tha ai.

Ndryshe, më herët, kryeministri Albin Kurti në një postim në Twitter kishte thënë se dakordimi i cili ndodhi në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet plotësisht dhe menjëherë.

Kurti ka thënë se Kosova ka kaluar 2 vitet e fundit duke negociuar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Serbinë.

“Më 18 mars në Ohër, Josep Borrell njoftoi zyrtarisht marrëveshjen. Ajo për të cilën është rënë dakord tani duhet të zbatohet – plotësisht dhe menjëherë. Asnjë zbatim i pjesshëm, pa vonesa”- ka shkruar Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *