Vuçiq tregon se si Kurti përmes zgjedhjeve po mundohet ta pengojë formimin e Asociacionit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq mendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, insiston që zgjedhjet të mbahen në veri të Republikës së Kosovës dhe për këtë ka një arsye.
Siç ka vlerësuar Vuçiq, Kurti këtë po e bën në mënyrë që sipas tij, kryetarët e komunave, në të cilat, siç tha, partitë e Kurtit dhe (Hashim) Thaçit të marrin pjesë, do të jenë nga ato parti dhe pastaj thonë se ato komuna në veri nuk duan të jenë pjesë e Asociacionit të Komunave Serbe.
Vuçiq tha gjithashtu se në këtë mënyrë Kurti, i cili nuk dëshiron të formojë Asociacionin, dëshiron të blejë kohë shtesë, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.
“… Pozita jonë është edhe më e vështirë sepse e dimë që shumica e vendeve perëndimore, ato që e njohën pavarësinë e Kosovës, nuk janë aspak të interesuar për Asociacionin dhe nuk janë të interesuar për mbijetesën e popullit tonë në Kosovë…”, citohet të ketë thënë Vuçiq gjatë një takimi me përfaqësuesit politikë serbë nga Kosova në Rashkë të Serbisë.
Ndryshe, gjatë këtij takimi është bërë e ditur se ai u ka premtuar 28 milionë euro shtesë dhe se ato do të jenë në dispozicion menjëherë.
Ky është takimi i dytë mes Vuçiqit dhe përfaqësuesve politikë të serbëve nga Kosova në shtatë ditët e fundit. Para takimit në Rashkë, ata kishin pasur një takim në Beograd.