LSH: Mjeku kujdestar nuk e paraqiti në polici rastin e dhunës ndaj dy shqiptarëve
Lidhja Shqiptare, i ka kërkuar ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovskit, të urdhërojë mbikëqyrje të jashtëzakonshme lidhur me përgjegjësinë e mjekut kujdestar, i cili dyshohet se nuk e raportoi në polici rastin e dhunës ndaj dy punëtorëve të Higjienës Komunale në Shkup.
Kërkojmë mbikëqyrje të jashtëzakonshme për përgjegjësinë e mjekut kujdestar që nuk paraqiti në polici rastin e dhunës ndaj dy shqiptarëve
Sipas informacioneve që kemi, mjeku kujdestar që pranoi dy punëtorët e Higjienës Komunale pas sulmit në Shkup nuk e raportoi rastin. I kërkojmë ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovskit, të kërkojë menjëherë mbikëqyrje të jashtëzakonshme dhe të bëjë publike gjetjet, duke mbrojtur privatësinë e të lënduarve.
Kërkojmë përgjigje konkrete. A e ka raportuar rastin mjeku kujdestar? Nëse jo, a i takonte atij detyra për ta raportuar dhe pse nuk e përmbushi? Ministri duhet të sqarojë gjithashtu nëse spitali e përmbushi detyrimin e raportimit sipas nenit 273 të Ligjit për Procedurën Penale.
Nëse mbikëqyrja konstaton se mjeku kujdestar nuk e përmbushi një detyrë që i takonte, kërkojmë që organet kompetente të përcaktojnë përgjegjësinë e tij profesionale ose disiplinore dhe të ndërmarrin masat përkatëse. Nëse dalin indicie për përgjegjësi penale, kërkojmë që gjetjet t’i përcillen Prokurorisë.
