Shasivari:9 Vjet në Gjykatën Kushtetuese pa shqipen,sot na mbanë ligjerata për shqipen
“Për 25 vjet nuk e zgjidhën këtë çështje, ndërsa sot na tregojnë se si nuk duhet ta zgjidhim ne!”
INA: Z. ministër Shasivari, gjyqtari kushtetues Osman Kadriu në një intervistë televizive ka kritikuar Qeverinë për kërkesën drejtuar Komisionit të Venecias lidhur me provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. A ju habit ky qëndrim?
Shasivari: Nuk më habit kritika. Më habit kontradikta!
Për 25 vjet kjo çështje ka mbetur pa zgjidhje. Sot, kur për herë të parë kemi një proces konkret ligjor, kur kemi ndërmarrë hapa institucionalë dhe kur kërkojmë ekspertizën e një prej institucioneve më prestigjioze juridike evropiane, disa prej atyre që nuk e zgjidhën dje, sot na shpjegojnë pse nuk duhet ta zgjidhim ne. Z. Kadriu duhet ta dijë se Komisioni i Venecias nuk është institucion nga i cili duhet të frikësohet një shtet demokratik. Është organ këshillimor i Këshillit të Evropës, të cilit u drejtohen shtetet pikërisht për të marrë ekspertizë juridike dhe për të ndërtuar zgjidhje cilësore e të qëndrueshme. Nëse argumentet e tij janë aq të forta dhe zgjidhja është aq e qartë, atëherë çfarë problemi ka që ato të vlerësohen edhe nga ekspertët evropianë? Një opinion profesional nuk mund ta dëmtojë një zgjidhje të mirë. Përkundrazi, mund ta përforcojë atë.
INA: Duket se keni edhe një përgjigje më të drejtpërdrejtë për z. Kadriu?
Shasivari: Nuk është çështje personale. Është çështje e konsistencës ndërmjet asaj që predikon sot dhe asaj që ke bërë dje, kur ke pasur mundësi dhe përgjegjësi institucionale për të vepruar.
Z. Kadriu është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2018. Gjatë gjithë kësaj periudhe, në paraqitjet e tij në këtë Gjykatë, asnjëherë nuk e ka përdorur gjuhën shqipe? Asnjëherë nuk ka bërë që shqipja të dëgjohet në sallën e Gjykatës Kushtetuese? Ju, si agjenci lajmesh, keni raportuar më 23 shtator 2025, kur unë, si profesor i së drejtës kushtetuese, për herë të parë para kësaj Gjykate e përdora gjuhën shqipe, duke thyer një barrierë gjuhësore në historinë mbi 60-vjeçare të këtij institucioni dhe duke treguar se gjuha shqipe e ka vendin e merituar në këtë Gjykatë.
Dhe këtu qëndron ironia që nuk mund të anashkalohet: rreth nëntë vjet në Gjykatën Kushtetuese pa e dëgjuar zërin e z. Kadriu në shqip, ndërsa sot na mban ligjërata se si duhet të mbrohet shqipja! Me sa duket, për disa, shqipja është shumë më e lehtë të mbrohet me deklarata sesa të përdoret në institucione. Unë preferoj që shqipja të përdoret në institucionet e shtetit, jo vetëm të përmendet në intervista televizive.
INA: A mendoni se z. Kadriu po përpiqet ta politizojë një çështje juridike?
Shasivari: Mendoj se po përpiqet ta zhvendosë debatin nga thelbi i çështjes. Pyetja nuk është nëse duhej apo nuk duhej t’i drejtoheshim Komisionit të Venecias. Pyetja themelore është: pse, për 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, nuk u arrit të gjendej një zgjidhje konkrete për një çështje të të drejtave gjuhësore, të cilën sot të gjithë pretendojnë se e mbrojnë? Tetë ministra shqiptarë të drejtësisë kanë kaluar nëpër këtë institucion që nga viti 2001. Studentët shqiptarë kanë pritur me dekada. Sot, kur ne si Qeveri kemi marrë përgjegjësinë për ta çuar përpara këtë proces, nuk do të lejojmë që historia e mosveprimit të shndërrohet në gjykim ndaj atyre që më në fund po veprojnë. Është shumë e lehtë të jesh patriot me deklarata dhe ekspert me kritika. Shumë më e vështirë është të marrësh përgjegjësi dhe të prodhosh zgjidhje. Unë nuk kam ardhur në Ministrinë e Drejtësisë për të vazhduar traditën e premtimeve të parealizuara. Kam ardhur për të zgjidhur çështje që të tjerët i kanë lënë pezull.
INA: Kritikët thonë se, duke kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias, Qeveria po e vendos në pikëpyetje të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe.
Shasivari: Ky është një manipulim që duhet demaskuar.
Ne nuk po kërkojmë opinion për të pyetur nëse shqiptarët kanë të drejtë ta përdorin gjuhën e tyre. Këtë të drejtë e garantojnë Kushtetuta dhe ligjet.
Ne po kërkojmë ekspertizë për mënyrën se si të ndërtojmë një mekanizëm juridik të qëndrueshëm, të zbatueshëm në praktikë dhe të mbrojtur nga kontestimet e ardhshme juridike. Pikërisht për këtë arsye duhet të mësojmë edhe nga përvojat e mëparshme, përfshirë sfidat dhe kontestimet që ka hasur Ligji për Përdorimin e Gjuhëve.
Dua të jem shumë i qartë: Komisioni i Venecias nuk do të vendosë në vend të institucioneve tona. Ai do të japë një opinion profesional. Vendimi dhe përgjegjësia përfundimtare mbeten te institucionet tona. Prandaj, ta paraqesësh kërkesën për një opinion profesional si tradhti ndaj gjuhës shqipe është ose moskuptim i funksionit të këtij institucioni, ose përpjekje për ta manipuluar opinionin publik.
INA: A do të thotë kjo se Qeveria nuk do të tërhiqet nga procesi?
Shasivari: Absolutisht jo! Ne nuk do të tërhiqemi nga përgjegjësia jonë. Nuk po kërkojmë privilegj për askënd. Po kërkojmë barazi, mundësi të barabarta dhe një zgjidhje që respekton standardet profesionale të provimit të jurisprudencës. Nuk po kërkojmë provim paralel dhe as standard më të ulët profesional. Po kërkojmë që gjuha shqipe të ketë hapësirën e saj ligjore, duke ruajtur të njëjtin standard profesional për të gjithë kandidatët. Studentët nuk kanë nevojë për më shumë deklarata, konferenca dhe debate politike. Kanë nevojë për një zgjidhje funksionale. Dhe kjo është pikërisht ajo për të cilën po punojmë.
INA: Çfarë mesazhi keni për Osman Kadriun dhe të gjithë ata që po e kritikojnë këtë proces? Shasivari: Kam disa pyetje shumë të thjeshta për ta.
Nëse e kishit kaq të qartë rrugën juridike, pse nuk e hapët atë gjatë 25 viteve? Pse nuk e zgjidhët kur kishit mundësi? Pse nuk bëtë që shqipja të dëgjohej në institucionet ku kishit përgjegjësi? Dhe sot, kur dikush po ndërmerr hapa konkretë, pse shqetësoheni më shumë për mënyrën se si po veprohet sesa për faktin që, më në fund, po veprohet? Unë nuk pretendoj se kam monopol mbi këtë çështje. Por askush tjetër nuk ka monopol mbi të drejtat gjuhësore të shqiptarëve. Dhe një gjë tjetër: ne nuk kemi hyrë në këtë proces për të fituar një debat me Osman Kadriun, me Ali Ahmetin apo me cilindo tjetër. Kemi hyrë për t’u dhënë fund 25 viteve të pritjes. Nuk do të lejojmë që një çështje e të drejtave të studentëve të shndërrohet në pronë politike të askujt. Disa kanë 25 vjet që flasin për gjuhën shqipe. Ne po punojmë që gjuha shqipe të bëhet realitet institucional. Disa mbrojnë vendimet dhe mosveprimet e së kaluarës. Ne po ndërtojmë zgjidhjen për të ardhmen e studentëve. Sepse shqipja nuk mbrohet me ligjërata për shqipen. Mbrohet duke e përdorur, duke e institucionalizuar dhe duke krijuar mundësi konkrete që ajo të jetë gjuhë e barabartë në jetën institucionale. Ky është dallimi ndërmjet fjalëve dhe veprave!
