Oficeri shqiptaro-amerikan diplomohet në Akademinë Federale të Zbatimit të Ligjit në SHBA, krenari për komunitetin shqiptar
Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit (AALEA) ka përgëzuar me krenari anëtarin e saj, oficerin Selmani, për diplomimin me sukses nga Qendrat Federale të Trajnimit për Zbatimin e Ligjit (FLETC) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një njoftimi, shoqata vlerësoi përkushtimin, disiplinën dhe sakrificat e oficerit shqiptar gjatë rrugëtimit të tij profesional, duke theksuar se kjo arritje përfaqëson një angazhim të rëndësishëm në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara.
Oficeri Selmani shërben në radhët e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare të SHBA-së (CBP), një prej institucioneve federale përgjegjëse për sigurinë kufitare dhe zbatimin e ligjit.
AALEA theksoi se diplomimi i tij është një arsye krenarie jo vetëm për familjen dhe kolegët, por edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, pasi ai përfaqëson trashëgiminë shqiptare ndërsa shërben me nder për kombin amerikan.
“Ti mban më shumë sesa një medalje dalluese, ti mban krenarinë e trashëgimisë sate shqiptare dhe nderin e shërbimit ndaj këtij kombi të madh”, thuhet në mesazhin e urimit të shoqatës.
Në përfundim, AALEA i uroi oficerit Selmani suksese të mëtejshme në karrierën e tij, duke shprehur besimin se kjo arritje do të jetë vetëm fillimi i një rrugëtimi të suksesshëm profesional, me mundësi për lidership dhe avancim në shërbimin publik amerikan. /Telegrafi/
