Takimi i parë me sy të lidhur: A do të guxonit ta provonit trendin e ri të njohjeve romantike?
Dy të panjohur, asnjë fotografi paraprake dhe vetëm pak minuta për të zbuluar nëse mes tyre mund të lindë diçka
Imagjinoni të uleni përballë një personi që nuk e keni parë kurrë. Nuk e dini si duket, çfarë shprehjeje ka fytyra e tij apo nëse është tipi që zakonisht do t'ju tërhiqte. Sytë i keni të mbuluar, ndërsa zëri, prekja e duarve dhe emocionet janë kontakti juaj i parë me të.
Kur hiqen mbulesat e syve, fillon takimi i vërtetë, ndërsa aparati fotografik përjetëson reagimet spontane të të dyve.
Bëhet fjalë për një koncept interesant të njohjeve romantike, të njohur si blind date photoshoot , i cili ndërthur takimin me një person të panjohur dhe një seancë fotografike.
Njohje pa filtra dhe paragjykime
Në një kohë kur njohjet romantike shpesh fillojnë me një fotografi profili, ky koncept e përmbys rendin e zakonshëm të gjërave.
Pjesëmarrësit plotësojnë paraprakisht një pyetësor, ndërsa përzgjedhja e çifteve bëhet me ndihmën e një sociologeje.
Më pas organizohet një seancë e shkurtër fotografike, gjatë së cilës dy të panjohurit takohen për herë të parë, pa presionin për të krijuar medoemos një marrëdhënie romantike.
Buzëqeshjet e ndrojtura, vështrimet kureshtare, heshtja dhe emocionet e çastit bëhen pjesë e një përvoje krejtësisht të veçantë, transmeton Telegrafi.
A mund të lindë tërheqja para se të shohim njëri-tjetrin?
Në jetën e përditshme, pamja fizike shpesh përcakton nëse do t'i japim dikujt mundësinë për ta njohur më mirë.
Por, çfarë ndodh kur për disa çaste pamja përjashtohet nga ekuacioni?
Toni i zërit, mënyra e komunikimit, humori, spontaniteti dhe ndjesia e afërsisë mund të marrin një rëndësi tjetër.
Sigurisht, jo çdo takim përfundon me një histori dashurie. Megjithatë, vetë përvoja ofron mundësinë për të dalë nga zona e rehatisë dhe për të sfiduar kriteret me të cilat zakonisht i përzgjedhim partnerët.
Pak guxim, shumë kureshtje
Interesimi i madh për këtë koncept ngre një pyetje interesante: mos vallë jemi lodhur nga njohjet virtuale, fotografitë e përzgjedhura me kujdes dhe bisedat e pafundme përmes ekranit?
Ndoshta, mes gjithë mundësive që na ofron teknologjia, kemi filluar të na mungojë spontaniteti i një takimi të vërtetë.
Dhe kush e di? Personi që nuk do ta kishit përzgjedhur kurrë duke parë fotografinë e profilit, mund të jetë pikërisht ai me të cilin nuk do të dëshironit të përfundonte takimi.
Po ju, a do t'ia besonit rastësisë takimin tuaj të ardhshëm romantik? / Telegrafi/
