TË FUNDIT

Policia dhe AKI-ja parandalojnë një vrasje të dyshuar, sekuestrohen armë me shurdhues

Dy persona janë arrestuar në kuadër të hetimeve për përgatitjen e një vrasjeje të rëndë në bashkëkryerje, në një operacion të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është zhvilluar të shtunën në disa lokacione në Prishtinë, Obiliq dhe Gjakovë, me qëllim të lokalizimit të personave të dyshuar dhe sigurimit të provave materiale.

Dy të arrestuarit dyshohen për përgatitjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, si dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Gjatë operacionit, Policia ka sekuestruar armë dhe municion, përfshirë një pistoletë me shurdhues dhe pesë fishekë, të cilat janë gjetur në një automjet të dyshuar.

Po ashtu, gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve është gjetur dhe sekuestruar një armë e shkurtër e llojit TT me shtatë fishekë.

Policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale që mund të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejmë të hetimeve.

Operacioni është realizuar nga hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, në bashkëpunim me AKI-në dhe Prokurorinë, si dhe me mbështetjen e Njësisë për Mbështetje Speciale.

Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe lokalizimin e personave të tjerë të dyshuar dhe dokumentimin e plotë të rastit./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *