Pse jemi vazhdimisht të lodhur, edhe kur flemë mjaftueshëm?
Jo çdo lodhje largohet me gjumë. Ndonjëherë, rraskapitja buron nga mënyra se si e jetojmë përditshmërinë dhe presioni i vazhdueshëm që ushtrojmë mbi veten
Alarmi bie në orën tetë të mëngjesit. Ende pa u ngritur nga shtrati, marrim telefonin dhe u përgjigjemi mesazheve. Gjatë dushit, në mendje rendisim obligimet e ditës. Hamë mëngjes, nëse kemi kohë, duke shikuar video njëra pas tjetrës në rrjetet sociale.
Punojmë, bëjmë blerje, llogarisim shpenzimet, zgjidhim probleme të paparashikuara dhe kthehemi në shtëpi duke pritur momentin kur më në fund do të mund të pushojmë, shkruan El Nuevo Día .
Të nesërmen, edhe pas shtatë orësh gjumë, zgjohemi sërish të lodhur. Por, përtej lodhjes, është shqetësues fakti se mezi mund të kujtojmë diçka nga dita që sapo kemi kaluar. A kemi qenë vërtet të pranishëm në të?
Presim të premten, fundjavën e zgjatur, fillimin e pushimeve vjetore. Kërkojmë momente të vogla gëzimi në të ardhmen për ta përballuar më lehtë të tashmen, ndërkohë që mes këtyre pritjeve kalon një pjesë e mirë e jetës sonë.
Kur rutina shndërrohet në jetë me autopilot
Fjala rutinë rrjedh nga fjala franceze “route”, që do të thotë rrugë. Rrugët e njohura na nevojiten, ndërsa shumë prej gjërave që na bëjnë të lumtur mbështeten pikërisht në përsëritje.
Ka diçka të veçantë edhe në përgatitjen e kafesë së preferuar, çdo mëngjes, në të njëjtën mënyrë.
Rutina i jep rregull jetës sonë. Problemi nuk qëndron te përsëritja, por te momenti kur pushojmë së vërejturi çfarë ndodh përreth nesh. Një gjë është rutina që organizon jetën dhe krejt tjetër automatizmi që na bën të mungojmë në të.
Mesazhet zanore i dëgjojmë me shpejtësi të dyfishtë, flasim në telefon gjatë ecjes dhe punojmë ndërsa hamë drekë. Madje, fillojmë të ndihemi në siklet kur bëjmë vetëm një gjë në të njëjtën kohë.
Na shqetëson fakti se makineritë po na ngjajnë gjithnjë e më shumë, por rrallë pyesim veten se sa shumë po fillojmë ne t’u ngjajmë atyre, transmeton Telegrafi.
Kur edhe pushimi bëhet obligim
Edhe aktivitetet që duhet të na çlirojnë nga ky ritëm përfundojnë duke u bërë pjesë e tij. Ecim për të arritur numrin e caktuar të hapave, lexojmë për të mësuar diçka dhe meditojmë për të reduktuar stresin.
Gjithnjë e më të vështirë e kemi të bëjmë diçka vetëm sepse na pëlqen.
Dikur presioni vinte nga jashtë, nga eprorët, kolegët apo pritshmëritë e shoqërisë. Sot, këtë presion e kemi përvetësuar aq shumë, saqë e ngutemi, e mbikëqyrim dhe e kritikojmë vetveten se nuk kemi bërë mjaftueshëm.
Paradoksalisht, sa më shumë t’u përgjigjemi këtyre kërkesave të brendshme, aq më shumë ato shtohen. Kështu, mund të ndihemi fajtorë edhe kur askush nuk kërkon asgjë prej nesh dhe të mbetemi të rraskapitur edhe kur i lejojmë vetes të pushojmë.
Lodhja që nuk largohet me gjumë
Kushtet e vështira të punës, problemet financiare, përkujdesja për të tjerët dhe problemet shëndetësore janë ngarkesa reale. Do të ishte e padrejtë që çdo rraskapitje t’ia atribuonim vetëm mënyrës së të menduarit.
Megjithatë, ekziston edhe një lodhje që lidhet me bisedat që shtyjmë, vendimet që shmangim dhe dëshirat që i lëmë për kohën kur mendojmë se do të jemi më të lirë.
Këmbëngulja për të vazhduar një mënyrë jetese që nuk guxojmë ta rishqyrtojmë konsumon shumë energji psikike.
Ndoshta një pjesë e lodhjes nuk buron aq nga ajo që bëjmë, sesa nga përpjekjet për të shmangur pyetjen se si ndihemi për gjithçka që bëjmë.
Pikërisht atëherë fillojmë të ëndërrojmë t’i lëmë të gjitha pas, ndërkohë që ndoshta nuk na nevojitet një jetë e re, por një mënyrë tjetër për ta jetuar atë që kemi.
Natyrisht, lodhja e vazhdueshme, pavarësisht gjumit të mjaftueshëm, mund të lidhet edhe me aneminë, çrregullimet e tiroides, apnenë e gjumit apo probleme të tjera shëndetësore, ndaj nuk duhet neglizhuar vlerësimi mjekësor.
Nesër alarmi do të bjerë përsëri. Me gjasë, do të ngrihemi në të njëjtën orë, do të shkojmë në të njëjtën punë dhe do të kryejmë shumë nga të njëjtat obligime.
Për një kohë të gjatë kemi besuar se lodhja është dëshmi e gjithçkaje që kemi bërë. Ndoshta, nganjëherë, ajo është dëshmi se sa pak kemi qenë të pranishëm në atë që kemi bërë.
Sepse ekziston një lodhje që lehtësohet duke fjetur dhe një tjetër që fillon të largohet vetëm kur zgjohemi vërtet. E për këtë nuk mjafton të bjerë alarmi. /Telegrafi/
