Rivarroset Dr. Adem Ademi në Mitrovicë: Pas 27 vjetësh pritjeje
Mjeku i mirënjohur, humanisti, veprimtari dhe kontribuuesi i luftës për lirinë e atdheut, Dr. Adem (Fazli) Ademi, është rivarrosur sot në Varrezat e Dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës, pas 27 vjetësh pritjeje të dhimbshme nga familja dhe të afërmit e tij, njofton Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Paraprakisht, në Mitrovicë u mbajtën homazhe pranë arkivolit dhe Akademisë Përkujtimore. Familjarë, miq, kolegë, bashkëveprimtarë, qytetarë dhe përfaqësues institucionalë u mblodhën për të nderuar jetën dhe veprën e Dr. Adem Ademit, përkushtimin e tij ndaj profesionit, humanizmin dhe kontributin e çmuar për çështjen kombëtare.
Dr. Adem Ademi u rrëmbye dhe u zhduk me dhunë nga forcat serbe më 19 prill 1999, së bashku me qytetarë dhe intelektualë të tjerë nga Mitrovica, Skënderaja dhe Vushtrria, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Në këtë ditë dhimbjeje dhe nderimi, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur theksoi solidaritetin me familjen Ademi dhe me të gjitha familjet që ende presin të mësojnë fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.
“Mirënjohje familjeve të viktimave të zhdukjes me dhunë dhe shoqatave familjare për qëndresën, dinjitetin dhe angazhimin e palodhshëm e bashkëpunimin në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë” , theksohet në njoftim.
Komisioni, në bashkëpunim me institucionet e tjera të angazhuara në këtë proces, mbetet i përkushtuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës dhe për të vërtetën e plotë. /KosovaNews/
